Immanuel Kanti është një nga mendimtarët që ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si e kuptojmë dijen dhe realitetin. Teoria e tij, e njohur si idealizëm transcendental, është një nga gurët themelorë të filozofisë moderne dhe, njëkohësisht, një nga idetë më të debatueshme.
Në thelb, Kanti pohon se ne nuk arrijmë kurrë të njohim gjërat ashtu siç janë në vetvete, por vetëm ashtu siç na shfaqen neve. Kjo do të thotë se përvoja jonë nuk është pasqyrë e realitetit të zhveshur, por një konstrukt i ndërtuar nga mënyra se si mendja jonë e përpunon botën.
Pjesë e vështirësisë për të kuptuar Kantin qëndron në faktin se filozofia e tij është jashtëzakonisht e sistematizuar. Për të kuptuar një ide, shpesh është e nevojshme të jesh i njohur me gjithë sistemin e saj.
Për më tepër, gjatë jetës së tij autoriale, Kanti duket se e ka zhvilluar e ndonjëherë edhe ndryshuar qëndrimin, gjë që e bën të vështirë të dallosh nëse kemi të bëjmë me kundërshti, apo me evoluim të mendimit. Megjithatë, një gjë mbetet konstante: bindja e tij se hapësira dhe koha nuk janë cilësi objektive të botës, por forma të perceptimit tonë. Ne nuk shohim gjërat “ashtu siç janë”, por ashtu siç mendja jonë na lejon t’i shohim.
Kjo ide radikale nuk do të thotë se Kanti mohon realitetin. Ai nuk thotë kurrë se bota është një iluzion, por thekson se mënyra jonë e njohjes është e kushtëzuar nga kapacitetet e mendjes. Shfaqjet janë reale, por ato janë reale vetëm në raport me mënyrën se si ne i përjetojmë. Në këtë kuptim, përvoja është subjektive, por këto kushte subjektive janë të përbashkëta për të gjithë njerëzit. Kjo i jep botës një unitet që është i garantuar, por jo i plotë.
Pikërisht këtu lind debati më i madh mbi Kantin. Filozofët kanë dhënë dy lexime kryesore të idealizmit transcendental. Interpretimi i parë, i quajtur i “dy objekteve”, e ndan realitetin në dy botë: atë të gjërave në vetvete, që ekzistojnë pavarësisht nesh, dhe atë të shfaqjeve, që varen nga mendja jonë. Ky interpretim është kritikuar ashpër, pasi duket sikur e kthen Kantin në një skeptik që pohon se nuk mund të kemi kurrë dijeni të sigurt për realitetin. Madje, është ngritur pyetja se si mund të ekzistojë diçka përtej hapësirës e kohës, kur pikërisht ato janë themeli i çdo përvoje tonë.
Interpretimi i dytë, ai i “dy aspekteve”, shihet sot si më i afërt me frymën e Kantit. Sipas tij, nuk kemi dy botë të ndara, por dy aspekte të së njëjtës botë: aspektin që na shfaqet në përvojë dhe aspektin që mbetet i fshehur përtej kufijve të dijes sonë. Shfaqjet nuk janë iluzione mendore, por realiteti i perceptuar nga ne. Thjesht, nuk mund ta pretendojmë kurrë se kemi njohur realitetin në tërësinë e tij.
Kjo është arsyeja pse Kant mbetet një figurë kaq e rëndësishme dhe kontroverse. Ai prishi ndarjen klasike mes realistëve, të cilët besonin se njohim drejtpërdrejt realitetin, dhe skeptikëve, që dyshonin në çdo njohje. Ai ofroi një rrugë të tretë: njohim realitetin, por vetëm përmes filtrit të mendjes sonë. Ky revolucion i heshtur në mënyrën e të menduarit është arsyeja pse filozofia e tij ende, pas më shumë se dy shekujsh, është objekt debatesh dhe interpretime të pafundme. / bota.al