PersonazheSport

Valeri Lobanovski: Trajneri më i madh i futbollit, për të cilin mund të mos keni dëgjuar kurrë

Nga Josh Mcloughlin

Kush është trajneri më i rëndësishëm në historinë moderne të futbollit? Tifozët me kujtesë dobët (apo që janë fansa të thekur të dikujt) mund të sugjerojnë emrit e Aleks Ferguson apo Pep Guardiolës. Ata që janë të informuar mund të citojnë suksesin dhe ndikimin e emrave të tjerë të trajningut si Helenio Herrera, Ernst Hapel, Bob Paizlej apo Rinus Mishels.

Dominimi ekonomik dhe futbollistik i Evropës Perëndimore të pasluftës, ka bërë që ligat angleze, spanjolle, italiane dhe gjermane, të kenë shumë më tepër investime, vëmendje dhe mbi të gjitha mitizim sesa ato në Evropën Lindore.

Valeri Lobanovski përmendet rrallë nga tifozët jashtë Ukrainës apo Rusisë është dhe vendlindja e tij, ku ai qe trajner për pjesën më të madhe të karrierës së tij, pavarësisht se fitoi më shumë se 30 trofe, duke e çuar Bashkimin Sovjetik në finalen e Euro 1988”, dhe duke trajnuar 3 lojtarë që fituan Topin e Artë.

Lobanovski ndërtoi tre ekipe të shkëlqyera të Dinamos së Kievit,ku secilën e stërviti për gati një dekadë njëra pas tjetrës, dhe ishte tërësisht dominues brenda vendit, duke fituar 8 tituj të ligës sovjetike dhe 6 kupa gjatë viteve 1974-1990, dhe 5 tituj kampionë dhe 3 kupa në ligën ukrainase të futbollit gjatë viteve 1997-2001.

Ai ishte trajneri i parë që drejtoi një ekip sovjetik drejt suksesit evropian, duke fituar Kupën e Kupave në vitet 1975 dhe 1986, dhe Superkupën Evropiane në vitin 1975. Dinamo e Kievit e kohës së Lobanovskit arriti vazhdimisht në fazat finale të Kupës Evropiane të Ligës së Kampionëve, duke i shkaktuar shumë humbje klubeve më të njohura të Evropës Perëndimore.

Pavarësisht fiksimit të sotëm me statistikat dhe trofetë si treguesit e vetëm të madhështisë, ai që vlen të kujtohet nuk është thjesht suksesi i Lobanovskit si trajner. Pas vdekjes së tij në vitin 2002, futbolli elitar evropian ka ardhur duke u formësuar sipas imazhit të Lobanovskit,dhe ka luajtur në stilin e skuadrave të tij.

Sot Evropa Perëndimore ka adoptuar metodat e tij të stërvitjes, përgatitjes dhe planifikimit taktik, dhe ka zbatuar vizionin e tij novator të lojës në fushë, duke e bërë atë një nga trajnerët më të rëndësishëm dhe më me ndikim në historinë e futbollit.

I lindur në Kiev në vitin 1939, i riu Valeri ishte një matematikan i talentuar. Ai fitoi medaljen e artë pasi mbaroi shkollën e mesme. Siç shkruan Xhonatan Uillson librin e tij“Piramida e përmbysur:Historia e taktikave të futbollit”, Lobanovski jetoi në kohën e arritjeve te mëdha shkencore të Bashkimit Sovjetik:armët bërthamore, sonda hapësinore “Sputnik” dhepërpjekjet e mëdha për epërsi teknologjike ndaj Perëndimit, patën ndikimin e tyre në formimin e Lobanovskit.

Vetë Kievi ishte qendra e kërkimit në teknologjinë e re të informatikës. Pikërisht gjatë studimeve për inxhinieri termike në Institutin Politeknik të këtij qyteti, lindi edhe interesi i Lobanovskit për sistemet, statistikat dhe mendimin analitik, dhe bashkë me të edhe dashuria e tij për futbollin.

Si lojtar në ekipin e Dinamos së Kievit sovjetik, që fitoi kampionatin e vitit 1961 nën drejtimin e trajnerit të famshëm Viktor Masllov, Lobanovski ishte një anësor i spikatur për aftësitë e tij individuale. Aftësia e tij e shkëlqyer për t’i dhënë topit një harkim të madh, bënte që ai të shënonte shpesh direkt nga goditja e këndi, duke bërë që shtypi ta krahasonte atë me Didin, 2 herë fitues i botërorëve me Brazilin.

Por Masllov i largoi shumë shpejt lojtarët që nuk përshtateshin me sistemin e tij të ri 4-4-2 – përfshirë Lobanovskin. Thuhet se ky i fundit u grind me Masllov kur refuzoi të pinte vodka gjatë drekës:një autodisiplinë e padëgjuar në atë kohë. Pas largimit nga Dinamo, Lobanovski kaloi një periudhë të vështirë në ekipet e Çernomorets Odesa dhe Shakhtar Donjeck, përpara se të tërhiqej nga futbolli i luajtur në moshën 29-vjeçare.

Në autobiografinë e tij “Ndeshje e pafundme”, Lobanovski kritikoi qasjen e ekipit të Shakhtarit:“Në futbollin modern, është e pamundur të mbështetesh tek fati. Duhet të krijohet një ansambël, një grupim lojtarësh që i nënshtrohen idesë së lojës së përbashkët. Kjo nënkupton jo vetëm kontrollin obsesiv që kanë trajnerët e sotëm mbi taktikat, por edhe autoritetin absolut kanë trajnerët e suksesshëm mbi lojtarët e tyre”.

I zhgënjyer, Lobanovski për pak sa nuk e braktisi tërësisht botën e futbollit për të punuar si hidraulik, por iu ofrua puna e trajnerit tek skuadra që militonte në kategorinë e dytë Dnjepër Dnjepërpetrovsk në vitin 1969. Brenda 3 vitesh, ai e ngriti në vendin e gjashtë në ligën e parë.

Gjatë një feste në vitin 1972, ai u njoh me Anatoli Zelencov, një ekspert i informatikës dhe bioenergjitikës, me të cilin lidhi një miqësi fortë. Ata diskutuan mbi kërkimet më të fundit shkencore, dhe si t’i zbatonin ato në futboll. Një vit më vonë, të dy u emëruan në krye të Dinamos së Kievit.

Lobanovski drejtonte pjesën e taktikës, ndërsa Zelencov merrej me përgatitjen individuale të lojtarëve. Edhe pse Masllov i kishte kushtuar një rëndësi të madhe aftësisë dhe përgatitjesfizike, Lobanovski ishte i pari që i dha një rol qendror shkencës, statistikave dhe analizës së ndeshjeve.

Me stafin e tij, Lobanovski regjistroi numrin e goditjeve, pasimeve, driblimeve, ndërhyrjeve, ndërprerjeve dhe gabimeve në faza të ndryshme të lojës, duke kultivuar llojin e njohurive statistikore që i japin sot formë lojës së futbollit.

Në librin e tyre “Baza metodologjike për zhvillimin e modeleve të stërvitjes”, Lobanovski dhe Zelencov shkruajnë:“Gjëja e parë që kemi në mendje, është të përpiqemi të gjejmë mënyra të reja veprimi, që nuk do të lejojnë kundërshtarin t’i përshtatet stilit tonë të lojës.

Nëse një kundërshtar e ka përshtatur veten me stilin tonë të lojës…atëherë ne duhet të gjejmë një strategji të re. Kjo është dialektika e lojës. Ideja e futbollit si një garë midis sistemeve apo  “stileve” (për shembull, zotërimi i topit përkundrejt kundërsulmit), dhe përdorimi i “dialektikës” sugjeron një vizion hegelian të evolucionit të pamëshirshëm taktik: përparimin marshues të shpirtit të lojës.

Pavarësisht se Lobanovskii u pajtua me konceptit e futbollit “Geist”, ai nuk ishte idealist. Në dallim nga përkushtimi i palëkundur i Guardiolës për lojën me zotërim dominant të topit, Lobanovski ishte një pragmatist, dhe ia përshtaste stilin e tij secilit nga kundërshtarët që kishte përballë.

Ai synonte të dominonte mesfushën ose përdorte lojën e hapur, pra çfarëdolloj taktike që çonte drejt fitores. “Mënyra e lojës zhduket shpesh nga kujtesa. Ato që mbeten janë rezultatet.Pavarësisht se aplikonte plane trajnimi të përshtatura në nivel individual, Lobanovski vlerësoi mbi të gjitha “lojën në grup”.

Si për të vënë në dukje rëndësinë e kolektivitetit mbi individin, Lobanovski dhe Zelencov ishin të mendimit se “një lojtar i shkëlqyer…vjen nga parimi i mëposhtëm:1 për qind talent dhe 99 për qind punë e palodhur”. Futbolli total i viteve 1970 i Rinus Mishels, vlerësohet sepse i dha formë lojës moderne përmes presionit dhe ndërrimit të pozicioneve.

Por kombinimi i qasjes së koordinuar, kolektive, me planifikimin e bazuar në të dhëna dhe pragmatizmin që zbatonte Lobanovski,nënkupton se sot loja e futbollit i ngjan më shumë laboratorit sovjetik sesa idealit holandez.

Marrë me shkurtime nga “Engelbergideas” – Bota.al

Back to top button
Close
Close