Nunc est Bibendum

Verë dhe epsh

vere

“Nunc est Bibendum!”, nuk është vetëm vend për histori vitikulture e verëtarie, për teknicizma (të cilave sa më larg mundohemi t’u qëndrojmë) apo reportazhe e recensione, prandaj herë pas here mban dhe ca rreshta si këto që vijojnë, shkëputur nga një libërth i këndshëm mbi afrodiziakët e të ngjashmit, ofruar përmes këshillash tetëdhjetëvjeçare nga një shijues jete, faqosur për herë të parë vetëm për përdorim privat, diku afër përfundimit të ekzistencës së tij. Ndoshta një ditë do t’i kthehemi tërësisë së këtij shkrimi. Por sot, këtu… lidhur me verën, si afrodiziak a më pak i tillë:

“… Një gotë e mirë e një të bardhe aromatike nga lugina e lumit Ren, nuk është aspak e kotë… Të zgjon shumë më tepër se ç’do verë tjetër me tepër gaz e që mund të provokojë shpërthime të papritura dhe të gëzuara të shpirtit. Ia del të të pasurojë fantazinë me imazhe të gëzueshme që ndezin zemrën, pa lodhur mendjen e rënduar stomakun.

Por përtej kësaj, në takimet dashurore të gjithë stimuluesit e këtij lloji kërkojnë një përdorim shumë të vëmendshëm. Poetët, të diturit dhe baballarët e Kishës e lavdërojnë verën si një aleat të dashnorëve. Në fakt, mund të thuhet se ajo shkrin mbrojtjen, ndihmon çlirimin e pasioneve, largon turpet, “ngroh” ata që janë të ftohtë nga natyra. Më shumë se kaq, vera nuk mund të bëjë.

Por, në duart e mjeshtrit, kaq do të mjaftonte.               

Sipas rastit, efekti i saj mund të jete më pak i ndjeshëm e ndoshta jo pozitiv. Them këtë sepse në fund të fundit, efikase është vetëm çka arrin qëllimin. Të stimulosh epshin nuk është afrodisiake, është të torturohesh. E pirë në mënyrë jo të shëndetshme, vera shton dëshirën, por frustron përmbushjen. Jep kurajo, por kjo lloj kurajoje nuk shkon për fushëbetejën e Erosit. Avujt e alkoolit dhe kapadaillëku (term që pajtohet me shkrimin e një autori nënshkruar Pilaff Bey) i tepërt shpesh sjellin “sëkëlldi” e ndonjëherë vënë në rrezik kontrollin e mirë të situatës, nga ana e fillestarëve. E nëse dashnori nuk është fillestar, tjetri rrezikon përçmimin, hatërmbetjen, apo të bërit qesharak.

Vera është një afrodiziak i pasigurtë, avujt e së cilës kanë bërë të vyshken mjaft çiftëzime.

Ji esëll: bëj të pijë të dashurën, kontrollo fjalët e gjestet se përndryshe do të të mohohej parajsa e do të shtyheshe drejt humbjes së shpirtit, nga ku do të lëshoje britma majmuni, do të flije si një kufomë, apo do të nxirrje, si ndonjë bishë, gjithë çka barku. E gjithë kjo do të shkatërronte e çnderonte gjithë ceremoninë… edhe nëse do të arrije lumërinë.

Vera për më tepër, “sakrilegj i mjerë”, mjegullon pjesëmarrjen mendore në ritual dhe zhvesh konsumimin nga “çelja”, e cila nëse do të arrihej me ndihmën e verës, do t’ju përplaste përdhe gjysmë të vdekur, do t’ju plagoste burrërinë me një paralizë qesharake që mund të shpjerë në impotencën e një të sapolinduri…”

                                                               Nga Pilaff Bey

…të kuptohemi drejtë, autori ishte në të vërtetë një njohës dhe shijues i verës, si pak të tjerë.

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button