Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?

Ylljet Aliçka: Mungesa e gjatë e lirisë na kish mbushur me iluzione, që u tretën prej tranzicionit

Prof. Dr. Ylljet Aliçka, ish Ambasador i Shqipërisë në Francë, Portugali, Monako dhe UNESCO, një prej shkrimtarëve më në zë shqiptarë të pas vitit 1990, autor i disa librave, të cilët janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë mirëpritur prej lexuesve të huaj, nga Italia, në Francë dhe deri në SHBA, ka folur në këtë intervistë për bota.al në lidhje me shembjen e Murit të Berlinit, si dhe fenomenet që shoqëruan tranzicionin e vështirë të Shqipërisë, pas vitit 1990.

Z. Aliçka, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndërmend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Lindur dhe rritur përgjatë komunizmit, (rënia e Murit mua më gjeti 40 vjeç), me referenca të konsoliduara tipike të diktaturës, nuk kam shpresuar ndonjëherë se do binte regjimi komunist, aq shumë më dukej se kish zënë rrënjë, në tokën dhe mendjen e shqiptarëve. Vetë  sundimi i gjatë komunist solli përshtatjen graduale të individit ndaj rrethanave që diktonte diktatura, kultivoi pasivitetin, absolutizmin e mendimit  dhe mungesën e refleksit ndaj mendimit alternativ, apo shpirtin kundërshtues. Sadoqë, pozita gjeografike e Shqipërisë ofronte disa ura ajrore me Perëndimin, si valët e radios dhe më vonë të televizionit, të cilat dërgonin aromën e lirisë dhe mendimit ndryshe. Vite para rënies së Murit të Berlinit, kish kohë që  ndiqja me mjaft interes lëvizjet e fuqishme demokratike në Poloni, Çekosllovaki e përsëri në protestat në Hungari, Rumani…. për të mbërritur te ngjarjet e vrullshme të rënies së Murit të Berlinit. Ishin kohë plot shpresë, çaste të mrekullueshme, kur me veshin te radiot, (“Zëri i Amerikë”s, “Rai”), prisnim me ngazëllim se diçka e madhe mund të ndodhte edhe në Shqipëri. Ishin pikërisht ato kohë, kur nisa të shpresoja se edhe diktatura shqiptare mund të pësonte të njëjtin fat me vendet e ish Lindjes europiane, pa harruar asnjëherë se modeli i komunizmit shqiptar ishte më i veçantë se simotrat e veta. Thënë përmbledhtas, ashtu si cilido shqiptar, atë kohë e konsideroj si një çlirim të madh shpirtëror.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Pa asnjë dyshim, rol vendimtar. Sadoqë kushtet e brendshme për ndryshim (kriza e thellë ekonomike, shkelja ekstreme e të drejtave të njeriut…) ishin pjekur me kohë, nuk besoj se Shqipëria kishte arritur atë ndërgjegjësim, a kurajo për ta përmbysur e vetmuar sistemin komunist. Ishte “ngjishja” e historisë në Europën e Lindjes, pra shembja domino e diktaturave komuniste në krejt Europën e Lindjes, që nxiti kurajon e studentëve e më pas krejt shoqërisë, të cilët iu vunë në ballë lëvizjes për përmbysjen e diktaurës.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Ju vetë keni patur një rol në momente kritike, të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheni kokën pas si e shikoni këtë rrugëtim?

Vetë demokracia është rrugëtim, pra proces ulje ngritjesh, por padyshim, shumë më kompleks e më i koklavitur se sa e kishim menduar. Të dehur nga rënia e diktaturës, me ndjesinë e përkëdhelisë, se Perëndimi do na ndihmonte pa kushte, shumë shpejt u kuptua se mungesa e gjatë e lirisë na kish ushqyer me imazhe iluzore mbi lirinë dhe botën. Kjo vinte dhe për shkak të mungesës së thelluar të njohjes të realiteteve jashtë Shqipërisë, duke imagjinuar se krejt bota e ndaluar ishte një Eden. Zhgënjimi pas imazhit iluzor, mendoj se shpërfaqi mjaft tipare të fshehura të individit shqiptar të sapodalë nga diktatura. Pjesë e këtij përfytyrimi të deformuar të realitetit perëndimor, gjithçka më dukej me ngjyra rozë, mirëqënie e menjëhershme (Perëndimi i pasur do na ndihmonte me bujari…) e veçanërisht liria absolute. Por shumë shpejt optimizmi i fillimit u vu seriozisht në pikëpyetje. Krahas edhe faktorëve të tjerë jashtë shqiptarë, ndeshja me realitetin jo aq romantik të Perëndimit, bëri që xhami i personalitetit të individit shqiptar të krisej në pikat e dobëta të tij: mendësia e pasurimit të shpejtë kryesisht me rrugë joligjore: droga, prostitucioni, kriminaliteti, tipare këto që nuk kemi qenë shumë të ndërgjegjshëm se i kemi patur para këtyre përplasjejeve. Kjo shërben jo rrallë për të ngritur mite mediokre, vetëfetishizime, narcisizëm apo mjete të sofistikuara të përpunimit të opinionit publik. Kjo gjë favorizohet deri diku dhe nga media, e cila me lirinë dhe brishtësinë e saj ekonomike e profesionale ofron hapësirë që ky lloj abuzivizmi të zerë vend qoftë haptas, qoftë me gjoja spontanitetin mediatik. Kam mendimin se gjatë këtyre viteve janë shfaqur pak ide, vizione mobilizuese apo ringjallëse në fushën shpirtërore e morale, që do lëkundnin klishetë e vjetra të mendimit, apo që do t’i ofronin individit arsyen dhe orientimin e ri për të jetuar.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Pa luftë klasash, pa frikë nga pushteti, anëtare e BE me të drejta të plota, qytetarë të barabartë me qytetarët e tjerë europianë, dhe me ndjesinë reale të të qenit të barabartë me njëri-tjetrin. Sado paradoksale të duket në pamje, unë jam i mendimit se komunizmi alla shqiptar kishte frikë nga barazia e njeriut me njeriun, duke gjetur një platformë ideologjike (luftën e klasave), më shumë për të legjitimuar superioritetin, racizmin politik, e për pasojë duke nxjerrë anën më të errët të njeriut.

Pavarësisht entuziasmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Shqipëria ka ndjekur dhe po ndjek rrugën e natyrshme që ndjek evolucioni i një vendi në një shoqëri post-diktatoriale, me vlerat dhe antivlerat e saj. Së pari, u zhduk frika nga sistemi, nga biografitë e dyshimta, kur njeriu u ndje realisht i barabartë me tjetrin, u vendos multipartitizmi, liria e fjalës dhe e mendimit, liberalizimi i fesë, antarësimi në Këshillin e Europës, në NATO, krijimi i sektorit privat, liberalizimi i tregut, hapja me botën, ndryshimi cilësor i kuadrit ligjor, shumëllojshmëria e medias, ndarja e qartë e pushteteve…. Keq? Mjaft gjëra, sadoqë më duket se kritika është bërë modë: qëndrimi mbi pronën, korrupsioni i gjerë në të gjitha nivelet e shoqërisë, trafikimi i qenieve njerëzore, droga, mosrespektimi i shtetit të së drejtës, pensionet e ulëta, mosfunksionimi i pushtetit gjyqësor, rënia e cilësisë së arsimit, cënimi i legjimitetit të përfaqësimit social e politik, veçanërisht atij parlamentar…

Në nivele shoqërore, them se ashtu si gjatë dikaturës, kur shoqëria polarizohej mbi baza klasore, sot jemi dëshmitarë të një polarizimi mbi baza pasurie, e një stili individualist të të jetuarit. Jetojmë sot, një kohë apo një hapësirë kur identitetet kolektive po bëhen gjithnjë e më konfuze, si dhe ndjeshmëria tenton të standartizohet gjithnjë e më shumë. Kam bindjen se ende mbetemi një shoqëri e prirur ndjeshëm ndaj indoktrinimit, me modele të imponuara sjelljeje, mendimi dhe përfaqësimi, me individë me sistem njohës të manipuluar. Thënë ndryshe, gjykatës të varfër të interesave vetjake, që më shumë kontribuojnë për rritjen e individualizmit irracional, apo papërgjeshmërisë etike. Inercia dhe ndikimi i vlerave dhe antivlerave njerëzore nga e kaluara është ende e pranishme. Për pasojë individëve të sotëm iu duhet të përshtaten, apo ballafaqohen, edhe me pamundësinë e mjaft strukturave apo individëve me pushtet, të cilat paralelisht me përpjekjet për të forcuar shtetin e së drejtës dhe respektin ndaj institucioneve, nuk mundin të frenojnë a kontrollojnë dot impulset e tyre agresive.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonë, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve.

Filoeuropianizmi shqiptar është real, jo vetëm për arsye historike, por edhe sepse vlerat e standarteve të atij klubi që quhet Bashkimi Europian,  përkojnë me aspiratat e një shoqërie për një jetë më të mirë. Një integrim ky që ka nevojë të perceptohet jo si një lutje e vazhdueshme ndaj vendeve anëtare të BE-së për të na pranuar, pra si një ankth apo amok integrues, por si një mjet rindërtimi shpirtëror e moral, që përmirëson standartet e jetesës. Moskapja e trenit të integrimit ka arsye objektive e subjektive. Objektive, pasi nuk ia kemi dalë dot të përmbushim detyrat e vëna, që i përkojnë standarteve europiane në fushën ekonomike, politike, juridike, krizat e shpeshta e të thella politike, pa harruar krizën e tmerrshme të vitit 97, e cila përkoi në një kohë tepër kritike të procesit të integrimit, dhe që për dëmin historik të shkaktuar nuk jemi ende ndërgjegjësuar. Faktorë këta që në një farë mënyre, e kanë burimin nga dogmatizmi i thellë i komunizmit shqiptar. Ndër arsyet subjektive të “moskapjes së trenit”, mendoj se lidhen me paragjykimet, deri dhe fetare, klishetë dhe stereotipitë e njohjes të shqiptarëve nga të huajt, pra imazhit të krijuar  me prirje negative ndaj Shqipërisë.

Nuk them ndonjë gjë të re duke pohuar se ende jemi tepër të panjohur për qytetarin e mesëm perëndimor. Ka një mospërputhje nga njëra anë e identitetit tonë real, në tërësinë e tij të koklavitur (fundja si e çdo kombi) apo dëshirës sonë për të  afishuar në arenën ndërkombëtare atë identitet që na sjell më shumë dobi si komb, dhe nga ana tjetër aftësive pritëse apo thithëse të partnerëve institucionalë, politikë apo kulturorë ndërkombëtarë. Shpesh parimet në bllok, apo regullat universale të këtyre organizmave, mbeten të pa përshtatura në raste e situata specifike të realitetit të koklavitur. Ose jo në pak raste, të interpretuara mbi shije dhe ndjesi individuale të përfaqësuesve ndërkombëtarë. Thënë ndryshe, ndjeshmëria ndërkombëtare ndaj vendit tonë ka prirje standartizimi, për të përfunduar shpesh në një retorikë të konsumuar. Nuk mungojnë nga ndërkombëtarët këndvështrimet sensacionale, apo ekzotike, të cilat ofrojnë  hapësirë të mjaftueshme për opinione të deformuara, i cili është bërë shkak zhgënjimesh e deziluzionesh jo vetëm në planin individual, por një pengesë serioze dhe në planin politik e atë institucional. Fakti që ne kemi probleme të imazhit, dëshmon se kjo është kryesisht çështje kulturore, çështje politikash e prioritetesh, pra më shumë se sa defiçiti demokratik, mendoj se kjo është dhe pasojë e një defiçiti komunikues. Fatmirësisht sot, klishetë e glorifikimit të gjithçkaje që vjen nga jashtë dhe koha deri diku naïve e magjepsjes ndaj të huajës, ka kaluar. Këtu po ndikon shumë dhe  globalizmi, ku Shqipëria vizitohet nga një numër gjithnjë e më i madh të huajsh, ku në më të shumtën e rasteve largohen nga Shqipëria me përshtypje apo mendim rrënjësisht shumë më pozitiv për vendin.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Kritika ndaj klasës politike si e paaftë, e korruptuar, kriminale është bërë sot refleksi i parë i një mase të gjerë njerëzish, dhe që padyshim ka pjesë të së vërtetës. Ndërkohë, gjithësekush bën përpjekje  të fshehta a të hapura për t’u përfshirë në jetën politike,  jo vetëm për besnikëri ndaj një ideali, por më shumë për protagonizëm apo përfitim ekonomik. Unë nuk mendoj se fajin e problemeve dhe vonesave shqiptare e ka vetëm klasa politike, por as më shumë as më pak, të gjitha hallkat e shoqërisë shqiptare, pasqyrë e së cilës është dhe vetë politika. Këtu jo pak ka kontribuar media, e cila me lirinë dhe brishtësinë e saj ekonomike e profesionale ka favorizuar dhe ofruar hapësirë për të ngritur mite mediokre, vetëfetishizime, narcisizëm apo mjete të sofistikuara të përpunimit të opinionit publik, një lloj abuzivizmi ky që ka zenë vend qoftë haptas, qoftë me gjoja spontanitetin mediatik (kinse pa dijenë e subjektit), por që fsheh nga pas një angazhim të ethshëm e vigjilent, për gjithçka që ka të bëjë me imazhin e suksesit dhe karrierës politike. Nga ana tjetër, në një mënyrë apo tjetrën është vetë shoqëria e sotme shqiptare, ajo që po ofron elemente të mjaftueshëm për atë që do e quaja “ndërgjegjësim fals të grupeve të gjera të popullsisë”, ku informimi publik është shndërruar në komunikim interesash, apo ku narcisizmi etno-kulturor shitet si vatër e vlerave të së ardhmes, mjedise këto të përshtatshme për të fikur në mendjen e njeriut çdo lloj dyshimi të natyrës njohëse, për të kontrolluar mendimet, si dhe për të rritur pandjeshmërinë ndaj mendimit alternativ.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar.

Unë nuk mendoj se ka munguar vullneti për “të ndërtuar” sundimin e ligjit, por ky vullnet pozitiv, është vënë në jetë me shumë zik-zake, me deformime të natyrës abuzive, korruptive e kriminale… shpesh i maskuar nën maskën e moralit të mirë dhe të dobisë shoqërore.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Besoj shumë në aftësinë orientuese të individit shqiptar, më tepër i aftë në të ardhmen për të harmonizuar më realisht dëshirat dhe ambiciet në jetë, me hapësirat reale, mundësitë dhe rastësitë që të ofron një kohë apo një hapësirë e caktuar. Unë besoj te dinamizmi i shoqërisë shqiptare, në këtë vend ku gjithmonë ndodh diçka, për mirë a për keq dhe se është nevoja, ajo që do e drejtojë shoqërinë shqiptare drejt rrugës normale të një vendi europian normal. Në një kontekst globalizimi shpresoj se gjithnjë e më shumë, mjaft shqiptarë që janë larguar nga Shqipëria për arsye studimi apo ekonomike, do të kthehen për të ndjekur dinamikën, evolucionin ekonomik, politik, social, kulturor e sidomos shpirtëror, pa harruar se, si kudo në botë, edhe në vendin tënd koha nuk ka ndaluar.

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Në kontekste e realitete të paparashikueshme të ekuilibreve gjeostrategjikë, e shikoj me optimizëm Shqipërinë e vitit 2049, kjo falë dinamizmit të shoqërisë shqiptare, falë dhuntive natyrore, pozicionit gjeografik, pasurive natyrore, të pasur me ujë, falë një politike pragmatike dhe stabiliteti e paqeje në rajon. Ndofta dhe duke drejtuar BE, nëse BE do mbijetojë. / bota.al


Kjo intervistë e Prof. Dr. Ylljet Aliçkës, është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke. Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Leave a Reply

Back to top button