Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?

Intervista / Delina Fico: 30 vitet e tranzicionit shqiptar, plot gëzime edhe plagë të dhimbshme

Delina Fico, aktiviste për të drejtat e njerit dhe eksperte për çështje të shoqërisë civile, u është përgjigjur pyetjeve të bota.al në lidhje me tranzicionin 30-vjeçar të Shqipërisë, që pasoi shembjen e sistemit komunist. Fico flet në këtë intervistë në lidhje me ngjarjet që pasuan shembjen e Murit të Berlinit, impaktin që pati në realitetin tonë, rrugëtimin e Shqipërisë përgjatë këtyre dekadave, si dhe ndalet për të reflektuar mbi atë çfarë shkoi mirë dhe çfarë nuk shkoi mirë, në Shqipërinë e paskomunizmit.

Znj Fico, ky vit shënon 30 vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, kur gjithësecili e kujton “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, me shembjen e barrierës që ndante më dysh Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Muri i Berlinit ra në nëntor 1989 dhe unë e mora vesh këtë ngjarje përmes RAI-t, televizioni publik italian. Pashë turmat që thyenin murin, imazhe që janë përsëritur me mijëra herë në hapësirën e medias dhe të komunikimit publik, sa herë që është folur për këtë moment historik. Por, në atë kohë, shembja e Murit të Berlinit m’u duk si një ngjarje periferike për Shqipërinë. Tani mendoj se e kisha gabim. Jam e qartë se disa njerëz në Shqipëri e panë shembjen e Murit të Berlinit si një ngjarje qendrore edhe për Shqipërinë. Për mua muri i Berlinit ra në dhjetorin e vitit 1990, kur nga ballkoni i apartamentit tonë dëgjoja zhurmat e çuditshme që vinin nga kodra ku ishte vendosur Qyteti i Studentëve. Ajo natë e parë e protestës së studentëve të Universitetit të Tiranës dhe ditët që pasuan, ishin për mua çarja e madhe në murin rrethues të sistemit politik, ekonomik dhe shoqëror brenda të cilit kisha lindur, dhe të jetës që kisha bërë deri atëherë. Ai ishte momenti kur kuptova se diçka e madhe, diçka e jashtëzakonshme po ndodhte, se diçka ose gjithçka nuk do të ishte më si më parë.

A mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg Shqipërisë, pati një ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Duke e parë nga largësia dhe lartësia e të sotshmes, mendoj se valët e tërmetit që shkaktoi rënia e Murit të Berlinit mbërritën edhe në Shqipëri. Mendoj se ata njerëz, të cilët që në atë kohë ishin të qartë se sistemi diktatorial, në të cilin kishim jetuar, ishte i gjithi gabim, e panë shembjen e Murit të Berlinit si një shenjë shprese se diktatura mund të përmbysej edhe në Shqipëri. Mendoj se drejtuesit e Partisë së Punës së Shqipërisë i morën në konsideratë shembjen e Murit të Berlinit dhe përmbysjet politike që pasuan në Gjermaninë Lindore dhe në vende të tjera të bllokut lindor, në formulimin e qendrimeve të tyre ndaj lëvizjeve për ndryshim që filluan një vit më vonë në Shqipëri. Por, mendoj se për pjesën më të madhe të shoqërisë shqiptare, shembja e Murit të Berlinit, në atë nëntor të vitit 1989, ishte thjesht një ngjarje që ndodhte atje, në botën e largët e të huaj, ku shqiptarët nuk lejoheshin të shkelnin më prej mëse 30 vitesh (që nga prishja e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik) dhe një ngjarje, e cila nuk kishte ndikim të drejtpërdrejtë në përpjekjet e përditshme të njerëzve dhe familjeve shqiptare.

Ka patur shumë kritika mbi mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Evropës Lindore. Edhe rrugëtimi historik dhe politik i Shqipërisë ka qenë disi i pazakontë (për të thënë më të paktën). Sot, kur ktheni kokën pas, si e shikoni këtë rrugëtim?

Në këto kritika ka një element të fortë zhgënjimi nga revolucioni – një histori e përsëritur pafund në shumë vende të botës dhe në momente të ndryshme të përmbysjeve historike. Njerëzit ngrihen e përmbysin një sistem dhe ëndërrojnë parajsën në atë moment unik çlirimi energjish të pamata njerëzore. Dhe parajsa nuk ndodh, për një mijë arsye. E para mes tyre është se parajsa nuk egziston – nuk egziston fare ose nuk egziston në këtë botë, merreni si të doni. Por, përtej këtij zhgënjimi njerëzor të përjetshëm me parajsën që nuk materializohet, ka edhe zhgënjim për atë që mund të ishte arritur, por nuk është arritur ende. Shoqëria shqiptare ka kaluar plot peripeci në këta 30 vite, ka përjetuar gëzime të mëdha, por edhe ka marrë plagë të rënda dhe shumë të dhimbshme. Por, parë nga një perspektivë historike, shqiptarët e Shqipërisë nuk i zu kurrë malli për të kaluarën diktatoriale (ndryshe nga disa segmente të shoqërive në disa nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik), nuk hoqën kurrë dorë nga përkushtimi ndaj një sistemi demokratik të orjentuar fort kah Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe nuk flirtuan kurrë me dasitë fetare apo etnike. Në këtë kuptim, pavarësisht halleve të mëdha dhe lëkundjeve të forta politike dhe shoqërore, shqiptarët e kanë busullën të orjentuar mirë drejt atij sistemi politik, ekonomik dhe shoqëror që ende përfaqëson progresin në botë. Ky pozicionim i qartë politik i shqiptarëve merr një vlerë të shtuar në kontekstin aktual të zhvillimeve botërore ku vende më të zhvilluara se Shqipëria po flirtojnë me demokracinë iliberale, me politika konservatore populizmi dhe me udhëheqës autoritarë që sundojnë duke ringjallur demonët e nacionalizmit, të racizmit, të anti-semitizmit, të urrejtjes ndërfetare, apo të diskriminimit të grave dhe të personave LGBTI.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni, si e imagjinonit Shqipërinë pas 2 apo 3 dekadash, në atë vit të largët 1989?

Sa herë mendoj për ato vite të para të ndryshimeve politike në Shqipëri – dhe mendoj për to me shumë dashuri -, buzëqesh kur kujtoj sa naivë ishim. Më vjen për të qeshur edhe kur mendoj se sa naivë do t’ju jemi dukur miqve tanë të huaj nga vendet demokratike, kur thoshim gjëra të tipit: “Shqipëria do të bëhet si Zvicra për pesë ose dhjetë vjet”.  Ama, nuk mendoj se ishte gabim që ëndërruam aq fort, edhe pse kjo ëndër e madhe kolektive ju ngjante në më të shumtën varianteve më piktoreske të një reklame për turizëm në Itali apo Zvicër, ndërsa ëndërrat individuale të shqiptarëve u ngjanin shpesh imazheve të filmave serialë italianë apo amerikanë të asaj kohe, si “Quandao si ama” apo “Dinasty”, me vila të mëdha me pishinë, gra të bukura që ndërronin rrobat për ditë, burra të suksesshëm me makinë me shofer, e të tilla gjëra të sipërfaqshme si këto. Por, fakti që ëndërronim fort e shumë na motivonte që të ngriheshim në mëngjes, të mos mposhteshim nga mungesa e dritës, e ujit, nga plehrat në rrugë që nuk i mblidhte njeri, nga shfaqja e egër e dhunës në rrugë apo në formën e grabitjes së vajzave për t’i trafikuar jashtë për prostitucion, dhe të përpiqeshim të bënim diçka të mirë për vete, për familjen tonë, për miqtë tanë, dhe, disa herë, edhe për vendin. Shumë shqiptarë kërkuan një jetë më të mirë duke emigruar në vendet e zhvilluara, të tjerë përpiqeshin të mësonin për herë të parë marifetet e biznesit privat, gazetarët mbronin me zjarr fjalën e lirë, muzikantët e artistët organizonin koncertet dhe ekspozitat e para duke u përpjekur të kapnin ritmin e bashkëkohores në art, dhe të gjithë, po të gjithë, i shpenzonin paratë e para për të rregulluar banjot e shtëpive, gjë që fillonte me kthimin e tyre në allafrëngaJ.

Pavarësisht entuziazmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vite të regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: Çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar gjatë këtyre 30 viteve? Dhe çfarë shkoi keq?

Mjaft gjëra shkuan mirë. Shikoni ku jemi: në 1990 ishim diktatura më e egër dhe vendi më i izoluar e më i varfër në Europë. Në 2019 jemi një vend ku respektohen në një masë të madhe të drejtat e liritë e njeriut, komunikojmë gati lirisht me vende të tjera në Europë dhe në botë, jemi një vend me të ardhura të mesme të larta (sipas Bankës Botërore). Nuk e mbërritëm dot Zvicrën as pas 30 vitesh, por mbërritëm në pikën e normalitetit të një vendi europian (në kuptimin gjeografik të fjalës) shoqëruar, natyrisht, me hallet dhe sfidat e mëdha të një demokracie të re dhe të një shteti ende të brishtë e të kufizuar në burime, sidomos në ato burime që duhen për të adresuar varfërinë dhe nevojat e grupeve të margjinalizuara. Për mua, shqiptarët duhet të ndihen krenarë për veten e tyre dhe vendin e tyre, për atë që kanë arritur në këto 30 vite të lirë, plot shpresë dhe të vështirë. Ajo që shkoi keq, shumë keq, gjatë 30 viteve të fundit ishte fakti që klasa politike që u gjend në krye të punëve në fillim të viteve 1990, e shpërdoroi energjinë pozitive dhe etjen e madhe të shqiptarëve për të ndërtuar një Shqipëri si e gjithë Europa. Për fatin tonë të keq, në ato vite të para na udhëhoqën ca politikanë mediokër, pa dashuri dhe vizion për vendin që ju ra në dorë të menaxhojnë, me një mentalitet autoritar dhe të prapambetur. Dhe kjo na çoi në tragjedinë e vitit 1997, një traumë e rëndë kolektive që, për mua, është burimi kryesor i sfidës më të madhe që përjetojmë edhe sot, pas më shumë se 20 vitesh: mungesës së besimit tek njëri-tjetri dhe mungesës së besimit tek institucionet publike. Dhe, siç e dinë ata që studiojnë shoqërinë njerëzore dhe zhvillimet politike, pa këtë besim të qytetarëve mes tyre dhe të qytetarëve ndaj institucioneve publike, pavarësisht se sa të mira mund t’i kesh ligjet, nuk mund të ndërtosh një shoqëri të qendrueshme demokratike me institucione të forta dhe efektive politike, puna e të cilave të përkthehet në rritjen e mirëqenies për të gjitha shtresat shoqërore. Por, kjo është një bisedë e gjatë që nuk mund të shterohet këtu.

Eshtë thënë se vendet e Evropës Lindore, hynë në periudhën post-komuniste duke zgjedhur qasje të ndryshme. Ata shtete që zgjodhën një qasje më radikale ndaj tranzicionit – një lloj “big bang”-u – e përfunduan më shpejt këtë proces (si Republika Çeke dhe Polonia), apo edhe Sllovakia, ndërkohë që shtetet që e “humbën” vrullin dhe zgjodhën një qasje më graduale (Hungaria dhe Sllovenia), mbetën më mbrapa. Sipas këndvështrimit tuaj, cilën qasje zgjodhi Shqipëria. Dhe a ishte e duhura?

Në ato vite të para të tranzicionit, politikanët shqiptarë dhe ekonomistët që ju shkonin nga pas,  mbështetur edhe nga institucionet ndërkombëtare që ndihmonin Shqipërinë, përqafuan pa hezitim reforma që i hapën rrugën krijimit të institucioneve politike të një sistemi demokratik dhe ekonomisë së tregut. Kjo mundësoi një shpërthim të jashtëzakonshëm të energjive ndërtuese dhe prodhuese të individëve në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, këta politikanë dhe ekonomistë që ishin, në rastin më të mirë, të paformuar profesionalisht për detyrën e rëndë që ju ra mbi supe, ndoqën një politikë të tokës së shkretë në raport me asetet dhe shërbimet publike.  I vunë kazmën çdo të mire publike që ishte krijuar në 45 vjet me mundin dhe djersën e shqiptarëve, jo të anëtarëve të Byrosë Politike të PPSH-së. Lanë të rrënohen rrugët dhe hekurudhat, fabrikat dhe uzinat, ndërtesat dhe shërbimet publike, e bënë lëmsh pronësinë mbi tokën me dhënien e saj në përdorim pa asnjë vizion për të ardhmen, e kështu me rradhë. Kjo qasje shkaktoi trauma të rënda dhe të panevojshme, sepse i la njerëzit në fat të vet, me pak ose shumë pak përkrahje nga institucionet publike, në një kohë kur shumë grupe shoqërore, sidomos të varfërit, gratë dhe vajzat, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, personat me aftësi të kufizuara, e grupe të tjera në nevojë, kishin nevojë për përkrahje në ato kohra të vështira e të komplikuara për të gjithë shoqërinë. Për më tepër, kjo qasje dobësoi shtetin, i hapi derën pasurimit të paligjshëm dhe korruptiv të disa individëve në kurriz të pasurisë së përbashkët të shqiptarëve dhe la pasoja të rënda (si, për shembull, ato që burojnë nga lëmshi i pronësisë mbi tokën), të cilat edhe sot janë shkopa në rrotat e zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Për mendimin tim, të gjitha qeveritë që kanë drejtuar në Shqipëri këta 30 vitet e fundit, kanë ndjekur përgjithësisht politika të djathta zhvillimore duke i dhënë një rol primar zhvillimit dhe rolit të sektorit privat, qoftë edhe në ofrimin e shërbimeve publike. Mendoj se koha ka ardhur që në Shqipëri të ketë një debat të hapur, konstruktiv dhe profesional për nevojën e fuqizimit të sektorit publik dhe për marrjen nga ai të përgjegjësive më të mëdha për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për ofrimin e shërbimeve publike efiçente e me cilësi të lartë.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot 3 dekada më vonë, Shqipëria “ende pret tek porta”. Pse kjo vonesë? Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë që ta humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?

Mendoj se katër janë faktorët kryesorë që na kanë bërë të mos ta kapim më parë trenin e integrimit në BE. Së pari, nuk kemi pasur dhe nuk kemi ende një front të bashkuar të të gjitha forcave politike në Shqipëri që të punojnë me një plan të përbashkët dhe konkretisht për integrimin e Shqipërisë në BE. Po ta kishim pasur këtë front të bashkuar, reforma në drejtësi do të kish ndodhur më parë, korrupsioni do të ishte luftuar më fort, do të kishim pasur që shumë vite më parë një administratë publike kompetente, efektive dhe me integritet. Nga ana tjetër, për fatin shumë të keq të shqiptarëve, kemi ende forca politike që e përdorin procesin e integrimit në BE si një mjet lufte kundër kundërshtarit politik. Kemi ende politikanë që shkojnë në Bruksel e Strasburg jo për të avokuar për integrimin e Shqiprisë në BE, por për të thënë gjithë të zezat e mundshme për vendin e tyre. Së dyti, një administratë publike e dobësuar nga ndryshimet e shpeshta sa herë që ka ndryshuar forca politike në pushtet, dhe e pashpërblyer si duhet, nuk ju është përgjigjur gjithnjë në nivelin e pritshëm detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në BE. Së treti, qytetarët, media dhe shoqëria civile nuk ia kanë dalë që të krijojnë trysni të vazhdueshme dhe që sjell rezultate, për t’i shtyrë institucionet publike, duke përfshirë institucionet e drejtësisë, që të bëjnë atë që duhet për t’u afruar me ligjet, standartet dhe normat e BE-së jo thjesht në letër, por edhe në praktikë. Dhe, e katërta, kemi pasur në ndonjë moment edhe fatin e keq që të mbetemi peng i zhvillimeve të brendshme të BE-së, të cilat jo gjithnjë kanë favorizuar zgjerimin e BE-së ose ju kanë dhënë përparësi disa vendeve që kanë pasur aleanca historike me disa prej vendeve anëtare të BE-së.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë që të ngrihet në lartësinë e peshës dhe rëndësisë që kjo periudhë 3-dekadëshe ka në historinë e Shqipërisë?

Kjo pyetje kërkon një përgjigje të përgjithësuar, e cila ka shumë të ngjarë të lerë jashtë gjëra të rëndësishme. Mendoj se çdo qeveri shqiptare është përpjekjur të bëjë disa gjëra të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Çdo qeverie nuk i kanë munguar profesionistët e mirë dhe drejtuesit e paaftë, punonjës publikë me integritet dhe zyrtarë të korruptuar e harbutë. Ndryshimin në qeverisje e kanë bërë shpesh dy gjëra: natyra e vizionit për politikat zhvillimore për Shqipërinë dhe aftësia e një qeverie për të arritur rezultate. Por, thënë këtë, të paktë kanë qenë ata politikanë që frymëzojnë respekt për përkushtimin ndaj interesit publik, për aftësinë e tyre për të bërë më të mirën në sektorin ku drejtojnë dhe shërbejnë, dhe për integritetin e tyre personal dhe profesional në kuptimin më të gjerë të fjalës.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranzicionit post-komunist shqiptar?

Mungesa e sundimit efektiv të ligjit është një nga sfidat e mëdha, më të cilat përballemi edhe sot si shoqëri. Është folur shumë për sistemin tonë të drejtësisë që pak drejtësi ka dhënë në këta 30 vite. Kështu që nuk po harxhoj më fjalë për këtë gjë. Dua të flas këtu edhe për faktin që kemi ende një shkallë të ulët ndërgjegjësimi mes nesh lidhur me faktin që ndryshimi që kërkojmë, fillon nga vetja. Dëshiron që të sundojë ligji? Fillo me respektimin e tij, duke filluar nga gjërat e thjeshta, si parkimi në vendin e duhur, pagimi i taksave, ndërtimi i një shtese në shtëpi vetëm me leje, respektimi i procedurave burokratike dhe i kohës që ato kërkojnë për t’u kryer, e kështu me rradhë. Dhe mos e justifiko veten duke thënë: “Ah, po ai tjetri po e shkel ligjin, ndaj më lejohet ta shkel edhe unë!” Secili përgjigjet vetë para ligjit, dhe shoqëria ka nevojë që secili të kontribuojë në krijimin e një kulture të sundimit të ligjit. Një shoqëri funksionon vetëm kur njerëzit e zbatojnë ligjin dhe normat shoqërore që plotësojnë zbatimin e tij.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto 3 dekada, na ka zbritur të gjithëve me këmbë në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Kjo do të varet se çfarë do të vendosim të bëjmë ne si shoqëri. Do të vazhdojmë të mbyllim sytë para politikanëve që punojnë vetëm për interesin e tyre personal dhe, herë-herë, kundër interesit tonë të përbashkët, apo do të përkrahim e votojmë për politikanë që na dëshmojnë me vepra se japin rezultate për të mirën e përbashkët? Do të vazhdojmë të qahemi nga mëngjesi deri në darkë se sa keq i ka punët vendi ynë, apo do të punojmë çdo ditë për të bërë diçka të mirë për veten, familjen tonë dhe Shqipërinë? Do të ngrihemi çdo mëngjes për t’u grindur me dikë, apo do të punojmë çdo ditë që të ndërtojmë aleanca e miqësi me të tjerë shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, për të çuar përpara mirëqenien e përbashkët? Do të vazhdojmë të rrimë tek cepi i rrugës për të parë se ç’do të bëjnë të tjerët për ne, apo do të marrim përgjegjësi personale që të jemi ndryshimi që kërkojmë?

Një pyetje e fundit: Ku e shihni Shqipërinë, në 2049-ën?

Sfidat janë të mëdha, duke përfshirë rritjen e pabarazisë sociale, pasojat e ndryshimeve klimaterike dhe ndikimin e teknologjisë së informacionit në zhvillimet politike të një vendi, duke përfshirë Shqipërinë. Por unë besoj tek një e ardhme e mirë për Shqipërinë. Besoj tek ecja përpara edhe pse me vështirësi. / bota.al


Kjo intervistë e Znj. Delina Fico është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Leave a Reply

Back to top button