Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?

Intervista / Bardhyl Londo: Muri i Berlinit, apo Rozafa shqiptare?

Bardhyl Londo i parandjeu ndryshimet e mëdha dhe shpresëdhënëse që do të pasonin shembjen e sistemit komunist dhe do të transformonin Shqipërinë, pas dy bisedave jo dhe aq rastësore që pati në një qoshe të Panairit të Librit në Frankfurt, me një kroat dhe një polak, të dy të arratisur nga vendet e tyre respektive.

Një prej shkrimtarëve dhe poetëve më të njohur të Shqipërisë, në këtë intervistë për bota.al mbi tranzicionin e këtyre tre dekadave, sjell të gjalla përjetimet e asaj kohe. Me kujtime që enden mes të famshmes “Wind of change” të Scorpions në Sheshin e Kuq në Moskë, puthjes së Gorbaçovit me ish udhëheqësin e Gjermanisë Lindore, të cilën vetë Londo e quan “The last kiss”, mllefit të atyre që u vinin vërdallë turmave që festonin, si dhe entuziasmit, të cilit i kish vënë fre përmes vargjeve…

Mbaruan duartrokitjet,

thirrjet entuziaste

u ulën krahët me “V”-të e gishtave në erë.

Pastaj filloi shiu

si për të na kujtuar se këpucët na fusnin ujë

dhe se lata e druve duhej prerë…

Ky vit shënon 30 -vjetorin e shembjes së Murit të Berlinit, një nga ato ngjarje epokale, ku gjithsecili e kujton se “ku ishte dhe çfarë po bënte në ato momente”. Nëse ju vjen ndër mend, ku ndodheshit dhe cili ka qenë përjetimi juaj në atë kohë, mbi ngjarjet që po shpaloseshin, mbi shembjen e barrierës që ndante Berlinin, Gjermaninë, Evropën dhe Lindjen me Perëndimin?

Nuk di të them me saktësi ku u ndodha ato çaste, po me siguri ose në shtypshkronjë (atëherë punoja në gazetën “Drita”), ose në shtëpi. Por besoj se nuk ka shumë rëndësi vendi, rëndësi ka se lajmi ishte si një rrufe, ose si një tërmet i paparë deri atëherë. Ishte aq tronditës, sa dukej krejtësisht i pabesueshëm. Filluam pastaj të hapim radiot dhe kanalet e huaja televizive (për fat të keq ishin vetëm dy kanale televizive: ai italiaz dhe ai jugosllav). Gjithësesi mjaftuan edhe vetëm këta të na bindnin se mrekullia e tetë e botës kishte ndodhur, se kishte ndodhur diçka që ngjasonte me lindjen e Krishtit. Njerëzit ishin si të trullosur, si të dehur ndonëse nuk kishin pirë asnjë gram alkool. Nganjëherë vinin vërdallë kot dhe nuk dinin fare çfarë të thoshnin. Në vend që të flisnin, belbëzonin fjalë pa kuptim: dukej sikur njerëzimi ishte kthyer në fëmijërinë e tij, në moshën e belbëzimit.

Vetëm pak ditë më vonë buçiti himni i grupit gjerman “Scorpions”, i cili do të mbushte sheshet e Evropës dhe sidomos Sheshin e Kuq në Moskë, ku gjermanët do ta këndonin me një përkushtim të veçantë.

Midis kësaj dalldie gëzimi dhe shfrenimi apo çlirimi prej streseve shumëvjeçare, kishte nga ata që vinin rrotull turmës dhe mërmërinin me një mllef që nuk e fshihnin dot: “gëzohuni, gëzohuni, se nesër do të na lëpini përsëri këmbët neve”. Është e hidhur, por për fat të keq profecia e tyre në pjesën më të madhe u realizua.

Por, në një farë mënyre unë i jetova ngjarjet epokale direkt, ose më saktë atmosferën e papërsëritshme që u priu atyre. Isha në Panairin e Librit në Frankfurt, kur Gorbaçovi erdhi në Berlinin Lindor. E ndiqnim në televizion dhe na dukej aq afër sa po të zgjasnim dorën do ta takonim. Ajo që më tronditi më shumë, ishte puthja buzë më buzë e dy sekretarëve të parë të partive komuniste të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të ish-Gjermanisë Lindore. Jo vetëm se puthja e burrave në buzë ishte dhe është e shëmtuar, por, çka ishte më e rëndësishmja nuk dinim si ta  interpretonim atë puthje prej djalli. A ishte një puthje dashurie, ribashkimi pas gjithë atyre që ishin thënë për shkërmoqjen e kampit socialist, apo ishte puthja e fundit, apo “darka e fundit” e Krishtit me dishepujt, emërtojeni si të doni?

Nga kjo dilemë, prej së cilës unë nuk dilja dot kurrë, më ndihmuan të kuptoja diçka një kroat dhe një polak, të arratisur në Gjermani gjatë periudhës komuniste. Ata kishin nga një pavion libri sa një kotec, ku ekspozonin librat që botonin në Gjermani për të luftuar komunizmin kroat dhe atë polak. Pavioni ynë, pavion i thënçin se ishte ndoshta më i vogël nga koteci i emigrantëve polakë dhe atyre kroatë që gjithçka e paguanin me paret e të mërguarve të vendeve të tyre.

Me që ishin arratisur vonë nga vendet përkatëse, ata i njihnin mirë rregullat drakoniane të Shqipërisë staliniste. Nuk u afruan kurrë sa ishin qoftë dhe dy shqiptarë ndonëse dëshira, siç do ta kuptoja më vonë, nuk u mungonte.

Një ditë, kur të tjerët shkuan të hanin drekë, unë mbeta vetëm në pavionin kotec.

Atëherë kroati, një burrë shtatlartë, elegant, por me një farë prepotence që i vihej re në çdo lëvizje, më përshëndeti dhe pa e zgjatur më tha: -“A ta marr unë këtë librin dhe nesër ta bie prapë”? Fjala ishte për “Titistët” e Enver Hoxhës, nuk më kujtohet mirë në çfarë gjuhe ishte anglisht apo gjermanisht. Kroati e kishte vëzhguar me kujdes pavionin tonë, kishte piketuar dhe librin që donte, në mos për ta lexuar, të paktën për t’i hedhur një sy.

Të nesërmen, kur mbeta përsëri vetëm, u duk përsëri fqinji kroat me librin në dorë gati për ta kthyer. -“Unë nuk i shoh dot me sy, më tha, as këtë tuajin, as këtë tonin” (nuk ua përmendi emrat as Titos, as Enver Hoxhës, aq shumë i urrente), “por një gjë di të them me siguri: edhe këto që broçkullis ky tuaji, janë përralla dhe gjepura. Unë që isha i prirur të ruaja veten në raste të tilla, u hoqa sikur nuk kuptoja asgjë”. -“Nuk të kuptoj”, i thashë. -“Nuk më kupton”, më tha me arrogancën e tij që nuk ishte dashakeqe, as fyese, “apo bën sikur nuk më kupton? Merre vesh, pra, shumë shpejt nuk do ketë as Jugosllavi, as kamp socialist”. Unë mbeta gojëhapur, nuk e prisja kurrë një shpegim kaq të hapur dhe që nuk të linte shkas për asnjë hezitim. Për t’u treguar i sinqertë, unë kurrë nuk e kisha atë besim që kishte kroati se gjërat do të ndryshonin aq shpejt dhe me aq lehtësi. Kur vuri re lëkundjen time të madhe, kroati la “Titistët” atje ku e kishte marrë dhe iku me një çap më të vendosur se kurrë. Tek dera e pavionit kotec, u kthye edhe njëherë nga unë: “shumë shpejt”, përsëriti më i vendosur se kurrë kësaj here.

Fqinji i dytë, polaku, ishte krejt ndryshe nga kroati: i sjellshëm ndoshta më tepër se ç’duhej, i gatshëm të të hapte rrugë edhe kur ti mund ta kishe krejtësisht gabim. Edhe ai e kishte studiuar mirë pavionin tonë dhe ia kish vënë syrin një albumi të vogël me ikona mesjetare. Duke i njohur rregullat tona shumë mirë, sepse edhe ata kishin ikur nga vende socialiste, edhe polaku u afrua në kohën kur unë isha vetëm. Siç më tregoi, kishte ikur nga Varshava në vitin 1975, ishte vendosur në Berlin me një grup polakësh dhe kishin themeluar një shtëpi të vogël botuese. Me botimet e tyre shpresonin të nxisnin ndërgjegjen antikomuniste, sidomos të polakëve të shumtë në emigrim.

-“Nuk e dija që në Shqipëri kishte ikona”, tha gjithmonë me një mirësjellje mbresëlënëse. -“Në rast se të pëlqen aq shumë mund ta marrësh falas”, i thashë. Nuk e di si e kuptoi propozimin tim polaku, por në mënyrë të çuditshme ai e ktheu bisedën tek Gorbaçovi. -“Si të duket ajo që po bën?” – pyeti hapur fare. Ç’t’i thoshja, ne atëherë ruheshim si djalli nga temjani, kishim frikë edhe se mos na shpëtonte ndonjë fjalë në gjumë. “Nuk kam shumë informacion”, thashë, fjalën më të çuditëshme dhe më pa kuptim që mund të thuhej. Hera e parë që polaku buzëqeshi me një ironi gjithësesi dashamirëse. -“Të kuptoj shumë mirë”, tha duke ikur, “edhe unë po të isha në Poloni do të flisja njëlloj si ti”.

Iku, pa marrë as albumin që i propozova: dukej që kishte ardhur për diçka tjetër dhe që albumi me ikonat nuk i interesonte aq shumë sa ç’u duk në fillim.

Në Frankfurtin e asaj vjeshte të butë, diçka jo shumë e zakontë për atë qytet, një kroat dhe një polak, emigrantë që të dy, por që ishin lindur e rritur në vende shumë më liberale se Shqipëria, për të mos përmendur pastaj Gjermaninë ku jetonin, me fjalët, veprimet dhe qëndrimet e tyre më kishin bindur e ngrohur zemrën aq shumë, sa edhe sot e kësaj dite, sa herë që më kujtohen, habitem me besimin që pata tek ta. Si duket edhe brenda meje flinte po e njëjta dëshirë që priste të shpërthente “pa frikë e pa zori”, siç thotë Migjeni. Përfundimisht u binda se puthja e Gorbaçovit me Honekerin do të ishte “THE LAST KISS”.

A  mendoni që shembja e Murit të Berlinit mijëra kilometra larg kufirit të Shqipërisë, pati një ndikim të drejpërdrejtë në zhvillimin e ngjarjeve në vendin tonë?

Për ngjarje të tilla nuk kanë rëndësi fare kilometrat. Çdo vend kishte në oborr të tij këtë mur të tmerrshëm shtypës e të pamëshirshëm. Veçanërisht ne që mbanim mbi supe një nga muret më të rënda që djallëzia kishte sajuar në Evropën Lindore.

Të mos harrojmë se ne e përjetonim peshën e Murit të Berlinit edhe në një dimension tjetër: Kosova rënkonte nën peshën e shtypjes nacionale.

Ja pse shëmbja e Murit të Berlinit u ndje aq shumë në Shqipëri, por kjo ndodhi në një mënyrë unikale, krejt ndryshe nga vendet e tjera: nga ajo që kishin hequr shqiptarët kishin frikë të gëzonin, të festonin, të manifestonin. Kjo e shpegon edhe faktin që pas Rumanisë, edhe kjo nën një nga diktaturat më të egra komuniste, u desh edhe një vit tjetër, nga dhjetori i vitit 1989 në dhjetorin e vitit 1990, të rrëzohej diktatura edhe në Shqipëri.

Më kujtohet se në dhjetor të vitit 1990, pas ngjarjeve në Rumani, nga pezmi që ne përsëri mbetëm të fundit si në të gjitha ngjarjet, shkrova vjershën “Lotë të kaltër”

Ai vizatoi hartën e botës,

dhe mbi të një qiell të pastër,

të pastër.

Pastaj qau me lotë të kaltër…

 

Ka patur shumë kritika për mosrealizimin e aspiratave të 1989-ës. Janë kritika të shfaqura në disa vende të Europës Lindore. Ju vetë keni pasur një rol të rëndësishëm në momente kritike të rrugëtimit politik të Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Sot, kur ktheheni pas në kohë, si e shikoni këtë udhëtim?

Kur kthej kokën pas, më duket si shkretëtira e Qabesë dhe përpiqem t’i heq sytë sa më parë dhe të iki me vrap, nga frika se mos na gëlltisë prapë. Kur shikoj përpara më shfaqen muret e Rozafës. Asnjëherë nuk ndërtuam një gjë të saktë. Atë që sajojmë vetë ditën, po vetë e shkatërrojmë natën.

Le të bëjmë një udhëtim pas në kohë, me tridhjetë vite. A jeni në gjendje të kujtoni si e imagjinonit Shqipërinë pas dy apo tre dekadash, në atë vit të largët 1989?

Natyrisht krejt ndryshe. Nuk isha nga ata që prisnin ndryshime menjëherë si me urdhër të peshkut, por kurrë nuk më shkonte mendja se gjendja do të zvarritej kështu, se në vend të një kaste gjysmë xhahile, gjysmë injorante, do të krijohej një grup tjetër sunduesish, të cilët në alternim me njëri-tjetrin do ta këmbenin me radhë pushtetin, por kurrë s’do ta lëshonin nga duart e tyre. Do të këmbehshin vetëm emrat që do të qeverisnin, ndërsa thelbi i qeverisjes do të mbetej po ai.

Stafeta kalon nga njëra dorë tek tjetra, nga njëri krah politik tek tjetri, ata që kanë pushtetin pasurohen e degjenerohen në fuqinë që të jep një pushtet gati – gati sulltanor, pastaj, më tepër falë ndërhyrjes së të huajve, tërhiqen për t’ua lënë vendin të tjerëve dhe për të pritur përsëri radhën.

Pavarësisht entuziazmit që përfshiu të madh e të vogël në ato ditë kur Shqipëria linte pas një herë e përgjithmonë 50 vitet e regjimit totalitar dhe hynte në një fazë të re, të panjohur, të një shoqërie demokratike, të paktë ishin ata që e ndjenin se rruga që do të ndiqej nuk do të ishte një autostradë, por një garë me pengesa. Pyetja është e drejtpërdrejtë: çfarë shkoi mirë në tranzicionin shqiptar të këtyre viteve dhe çfarë shkoi keq?

Vetë jam nga ata që nuk i kam besuar asnjëherë përrallat me peshkun e artë. Ditën që u themelua Partia Demokratike, duke zbritur nga Qyteti Studenti, në mes atij entuziazmi, me dy gishtat e fitores ngritur lart në qiellin e Tiranës, papritur filloi të bjerë shi. Vetvetiu më erdhën ndër mend vargjet që u përhapën shumë shpejt në Tiranë:

Mbaruan duartrokitjet,

thirrjet entuziaste

u ulën krahët me “V”-të e gishtave në erë.

Pastaj filloi shiu

si për të na kujtuar se këpucët na fusnin ujë

dhe se lata e druve duhej prerë…

Ishte një përjetim gati fatalist, por për fat të keq i vërtetë. Ndihesha, në mos fajtor, plangprishës që me ndjesitë e mia prej Kasandre po cënoja atë dalldi aq të madhe, atë festë dhe entuziazëm të paparë më parë.

Po ç’të bëja? Nuk ishte as dëshira as urimi im të ndodhte ashtu. Ishte thjesht një parandjenjë që vinte nga thellësitë e nënndërgjegjes dhe unë nuk dija ta shpegoja as atëhere dhe as sot.

93 përqind e shqiptarëve janë pro integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Gjë që na bën ndoshta popullin më proevropian, në një kohë të lulëzimit të populizmave dhe ekstremizmave. Megjithatë, sot tre dekada më vonë, Shqipëria ende “pret tek porta”. Cilët mendoni se janë faktorët që kanë bërë të humbasim “trenin e integrimit” gjatë këtyre 30 viteve?

Për shumë arsye, gjenetike, historike, gjeografike, lufteje, paqeje, nuk ka dyshim që jemi populli më proeuropian në Ballkan. Ashtu siç jemi dhe ndër të fundit që po pranohemi në këtë Union. Arsyeja? Politika jonë pa bosht, pa qëndresë, pa një strategji të përcaktuar e detajuar me saktësi. Nuk duhen harruar edhe ndjenjat që ushqejnë shtete të tjera ndaj nesh, për të na penguar apo për të në venë shkopinj nën rrota.

A mendoni se klasa politike shqiptare në tërësi – në të gjithë spektrin e saj – ia ka dalë të ngrihet në lartësinë e peshës dhe të rëndësisë që kjo periudhë tredekadshe ka në historinë e Shqipërisë?

Po të kishte bërë këtë nuk do të ishim ku jemi, do të flisnim ndryshe tani.

Themeli i një shoqërie demokratike perëndimore është sundimi i Ligjit. Sa mendoni se e kemi “ndërtuar” këtë themel gjatë tranziconit post – komunist shqiptar?

Po bëni shaka? Ne flasim në emër të ligjit dhe veprojmë në emër të Maliqit.

Nuk ka dyshim se rrugëtimi i vështirë, plot gropa dhe pengesa i Shqipërisë në këto tre dekada, na ka zbritur të gjithëve në tokë dhe na ka bërë më realistë për atë çfarë duhet të presim nga e ardhmja. Çfarë mendoni se rezervon kjo e ardhme për Shqipërinë?

Në rast se është kështu siç thoni ju, dhe unë besoj se është vërtetë kështu, atëherë gjërat do marrin për mirë.

Një pyetje të fundit: Ku e shihni Shqipërinë më 2049?

Nuk dua të bëj më Kasandrën sepse e ndjej që nuk kam pse e bëj. Shqipëria do jetë atje ku i takon; një Shqipëri europiane. / bota.al


Kjo intervistë e shkrimtarit Bardhyl Londo është pjesë e serisë së intervistave dhe refleksioneve me titull: “Tranzicioni: Çfarë shkoi mirë? Çfarë shkoi keq?”, një Projekt i Bota.al në bashkepunim me Institutin Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikes Çeke.

Pikëpamjet e shprehura janë të autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e donatorit apo partnerit të Projektit.

Çdo portal/gazetë që do të ribotojë këtë material, duhet t’i referohet burimit të tij fillestar (bota.al) duke vendosur linkun përkatës.

Leave a Reply

Back to top button