Shkence

Zbulime tronditës: SOS, paketimi i ushqimeve po vret

Joanna Blythman

Autore e librit “Sekretet e errëta të Industrisë Ushqimore”

THE INDEPENDENT

Screen Shot 2015-03-06 at 12.31.44 PM

Kur ekspertja e industrisë ushqimore Joanna Blythman nisi të hetojë për praninë e kimikateve në paketimet e ushqimore, ajo që zbuloi ishte tronditëse. “Ne duhet të kuptojmë rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësore si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale. Nëse e marrim këtë seriozisht, duhet zvogëluar ekspozimi ndaj substancave të tilla, duke minimizuar konsumin e ushqimeve dhe pijeve të paketuara si dhe ushqimeve të përpunuara. Eshtë koha për ta filluar”

Çdo ushqim i përpunuar që hamë vjen i paketuar. Paketimi e mbron atë në udhëtimin e gjatë nga fabrika e përpunimit në dyqane e supermarkete, dhe me tej në shtëpitë tona. Ju mund të mendoni se nuk hani ushqime të përpunuara, por në realitet mund të jetë ndryshe. Ju e bëni këtë kur ushqeheni me sanduiç ose sallatë, me tortë me feta frutash, sallam, supën e ngrohtë për darkë. Të gjithë këto ushqime janë të përpunuara edhe pse konsiderohen relativisht “të shëndetshme”. Ata kanë bashkëjetuar ngushtë me kimikatet e paketimit për shumicën e jetës së tyre.

Brenda paketimeve, plastikat polimere mbajnë përbërësit e ushqimeve të parapëgatitura duke shkëmbyer përbërësit. Dhjetëra lloje ushqimesh vendosen në kuti kartoni të laminuara me një shtresë të hollë plastike. Ushqimet e konservuara qëndrojnë për vite të tëra brenda kanaçeve të llakuara me një cipë të hollë zamku plastik.

Me kalimin e viteve ne kemi parë që ushqimet e përpunuara po vendosen në një sërë materialesh të përparuara paketimi. Mishi i supermarkeve tregtohet në një tabaka plastike me një shtresë diskrete që thith gjakun. Djathrat, madje edhe ato artizanale vishen me ambalazh letre që shpesh ka në brendësi një cipë të hollë plastike. Shumica e njerëzve nuk blen vaj ulliri në shishe qelqi, por parapëlqen atë të ambalazhuar në shishe plastike, që shitet më lirë. Fëmijët shkojnë në shkollë me një enë të vogël plastike ku vendosin ushqimin. Ata pijnë lëngje me një pip plastic nga një enë kartoni e veshur me polimer plastik, apo me letër varaku metalike. E kështu me radhë.

Paketimet plastike njëpërdorimëshe që shfrytëzohen për të mbajtur ushqimin kur dalim në piknik kanë një shtresë të hollë parafine që përftohet nga nënproduktet e naftës. Gama e materialeve të paketimit dhe substancave që përdorin prodhuesit e ushqimeve të përpunuara sa vjen e zgjerohet me koncepte të reja që në i gjejmë kudo në treg.

Shumë lloje të paketimeve, të tilla si ata të djathrave bebe, trajtohen me një shtresë mikroskopike kimikatesh, që kanë në përbërje mono-alkide, acide disulfonike, borat alumini, hidroksietil etj. Me anë të tyre prodhuesit garanojnë efektin “anti-lagështirë” duke mos lejuar lagështinë në brendësi të paketimit, apo efektin “antistatik”, duke ju dhënë paketimeve një karakteristikë jongjitëse, sic bëhet për ushqime të tilla si salca, mjalti, çokokremrat apo çokollatat.

Nëse ju keni shtrydhur paketimin e ketchup-it, për të marrë atë sasinë e fundit që ka ngelur në të nuk është cudi të keni marrë pa e ditur edhe një sasi të asaj që quhet LiquiGlide, një kimikat që edhe pse gjendet në substancat e paketimit nuk listohet në etiketat ushqimore. Thuhet se LiquiGlide ishte shpikur për veshjen e xhamve të makinave dhe krahët e avionëve, por ajo është e pranishme edhe në ambalazhet e pakëtimet ushqimore prej qelqi, plastike apo metalike. Kur vendoset në brendësi të një shisheje, anët e saj lubrifikohen kështu që ushqimi apo pija brenda saj pothuajse del e gjitha jashtë pa u ngjitur.

Një nga pakëtimet më të fundit, i dizajnuar për mishrat e gatuar, djathin, qumështin, deri tek sallatërat, është i përbërë nga jo më pak se shtatë shtresa mikroskopike të holla plastike. Ajo përshkruhet kështu: “Një veshje plastike multilajer e përbërë nga polietileni në shtresën e jashtme dhe të brendshme dhe që në brendësi kanë shtresa të ngjitura e të lidhura bashkë në një poliamide dhe polivinil me bazë alkoolin.”

A doni ta përsërisim edhe një herë? Përjashtuar rastin kur ju mund të jeni një ekspert i kimisë polimere, ajo që shkruhet pothuaj është e pakuptueshme. Por ju duhet të dini se kjo shtresë e hollë plastike përveçse nuk lejon hyrjen e ajrit dhe lagështirës, i bën edhe më tërheqës ushqimet në raftet e supermarketit. Teknologjia e paketimit të ushqimeve po revolucionarizohet pandërprerë.

Çfarë po ndodh? Sipas Agjencisë së Standardeve Ushqimore të Mbretërisë së Bashkuar: “Konsumatorët nuk duhet të shqetësohen nga prania e kimikateve në materialet e kontaktit me ushqimin nëse ato janë përdorur brenda limiteve të përcaktuara për përdorimin e tyre.”

Sa e vërtetë është kjo? Forumi i Paketimit Ushqimor, një fondacion i pavarur jofitimprurës që shqyrton shkencën rreth paketimit, mendon ndryshe. Ai vazhdimisht rishikon të dhënat shkencore të nivelit të kalimit të kimikateve nga paketimi në ushqime dhe pijet që mbajnë. Kohët e fundit ky fondacion paralajmëroi se 175 kimikate që gjenden në paketimet e ushqimeve vlerësohen nga organet ndërkombëtare si “kimikate me rrezik”, sepse shkaktojnë kancer, deformime gjenitale, ulje të fertilitetit, dhe luhatje të hormoneve.

Lista e kimikateve që shkaktojnë probleme shëndetësore, përdoren rëndom dhe në mënyrë legale në paketimet e ushqimeve që ne hamë e pimë. Së bashku me shijen e ushqimeve ne marrim grimca benzeni, propilparabeni, amoniaku, tolueni, monoksidi karboni, asbesti, parafine të klorifikuar etj.

Si ndodh kjo? Materialet e kontaktit me ushqimet (paketimet) janë një formë e rrezikut të madh të ekspozimit ndaj kimikateve, të cilat në një sinergji tmerrshme, toksiciteti i tyre rritet nga prania e disa llojeve tilla. Prodhuesit e paketimeve duhet të garantojnë ligjërisht që produktet e tyre “nuk transferojnë përbërësit e tyre tek ushqimet në sasi të tilla që mund të rrezikojnë shëndetin e njeriut”. Por a jemi të sigurtë që kimikate të njohura si toksike nuk përdoren qëllimisht në materialet e paketimeve ushqimore? Edhe pas kësaj, në paketimet ushqimore përdoren shumë kimikate të përcaktuara nga autoritetet e Bashkimit Europian si “substanca me rrezik të lartë”.

Sipas rregullave të BE-së kimikatet me rrezik helmues duhet të regjistrohen dhe të miratohen për përdorim, por udhëzimet nuk parashikojnë që kjo të bëhet edhe për paketimet ushqimore. Pra, çuditërisht, edhe pse këto rregulla janë të detyrueshme për lodrat, ngjyrat, tekstilet dhe pajisjet mjekësore, ato nuk shtrihen tek materialet e kontaktit me ushqimet.

Përse nuk kontrollohet përdorimi i kimikateve në paketimet ushqimore? Politika e lojës me zjarrin është e pranishme edhe në sistemin industrial të ushqimit. Aty punohet me supozimin se toksinat potenciale nuk kanë efekte të dëmshme, në rastin kur përqëndrimi i tyre është mjaft i ulët. Pra, asgjë nuk është bërë, edhe pse shumë studiues dyshojnë se disa kimikate kanë efekte të papritura dhe të fuqishme edhe pse në doza të ulëta. Bisfenoli A, që përdoret për të lyer nga brenda kanaçet dhe enët plastike, është një i tillë.

Pas reagimeve dhe kritikave të shumta një panel i pavarur i ekspertëve kërkimorë ka shkruar: “Tendencat e fundit në sëmundjet e njeriut janë vërtetuar edhe me efektet negative të vërejtura në kafshë eksperimentale të ekspozuara në doza të ulëta të këtyre kimikateve. Shembujt specifikë përfshijnë: rritjen e prostatës dhe kancerit të gjirit, anomalitë urogjenitale tek bebet meshkuj, rënia e cilësisë së spermës tek meshkujt, fillimin e hershëm të pubertetit tek vajzat, çrregullimet metabolike, diabeti dhe obeziteti si dhe probleme nervore si çrregullimet, hiperaktiviteti dhe rënia e vëmendjes”.

Pavarësisht paralajmërimeve të tilla të qarta, “konsensusi” shkencor i nevojshëm për të bindur rregullatorët për të vepruar ende nuk ka qenë aq i vendosur sa të detyrojë industrinë e paketimit të mos përdorë në produktet e saj kimikate që mund të shkaktojnë dëm. Megjithatë kundërshtimet nuk mungojnë. Reagimi publik megjithatë ja ka dalë që në Kanada, BE dhe SHBA të ndalojë përdorimin e bisfenolit A në shishet biberon të destinuara për fëmijët nën tre vjec. Janë të shumta organizatat që këshillojnë njerëzit për të shmangur bisfenolin A, pasi ai është shkaktar i kancerit.

Ftalatet (kripërat e metaleve)– që gjenden në shtresat plastike të paketimeve – që kalojnë në një shkallë të lartë tek ushqimet, janë shkaktarë të obezitetit dhe problemeve gjenitale tek djemtë e sapolindur. Megjithatë ftalatet janë përherë e më të pranishme. Në 2012 Agjencia e Standardeve Ushqimore bëri të ditur se 31 për qind e ushqimeve të përditshme të testuara përmbanin ftalate mbi nivelin ligjor, dhe nivelet më të larta ishin gjetur tek buka.

Debatet e përplasjet për bisfenolin A dhe ftalatet vazhdojnë prej dekadash, por nuk mund të thuhet e njëjta për nanogrimcat . Mjafton një mikroskop për të parë se si ata dalin nga materiale të tilla si argjila, argjendi, titani, silici apo oksidi zinkut. Funksionet e “zgjuara” që ata kryejnë si ulja e përshkrueshmërisë së plastikës, si veshje antibakteriale, krijimi i paketimeve më të lehta e më të forta kanë bërë që përdorimi i tyre të shtrihet edhe në industrinë e paketimit. Kërkuesit kanë zbuluar kohët e fundit se nanogrimcat e aluminit dhe silicit në një mjedis acid – kishin kaluar nga shishet plastike tek pijet e gazuara dhe lëngjet.

A duhet të shqetësohemi? Problem potencial me nanogrimcat është vogëlsia e tyre. Ata janë gati sa një e dhjetëmijta e gjerësisë së fijes së flokut njerëzor, çka i bën ata më shumë reaguese dhe bioaktive se sa grimcat më të mëdha të së njëjtës substancë. Kjo do të thotë se ata mund të përfundojnë në vende ku grimcat më të mëdha nuk arrijnë- në qelizat, indet dhe organet tona, ku ata grumbullohen duke shkaktuar sëmundje. Nanogrimcat e oksidit të zinkut, për shembull, është zbuluar se shkaktojnë dëmtime në mëlçi, pankreas, zemrën dhe stomakun e kafshëve laboratorike. Kërkime të tjera kanë zbuluar se nanogrimcat e dioksidit të titaniumit mund të dëmtojnë ADN-në dhe prishin funksionin e qelizave. Një teori në zhvillim është se nanogrimcat mund të jenë faktor në rritje të prevalencës së sëmundjes së zorrëve.

Pesëqind lloje nanogrimcash vlerësohet të kalojnë në ushqime nga paketimet e reja, krijime të teknologjive të avancuara në këtë fushë. Aditivët e nanotekonologjisë tashmë I gjen në raftet e supermarketeve në SHBA. Nanogrimcat e dioksidit të titanit, për shembull, janë gjetur në, biskota, djathë, lëngje, mish gjeldeti, limonata, çokollata e deri tek krem kafeja. Frutat e freskëta dhe perimet gjithashtu mund të jenë të veshura me një shtresë të hollë parafine – që përmban nanogrimca- për të zgjatur jetën e tyre në raftet e supermarketeve.

A ka aditivë të nanoteknologjisë në zinxhirin ushqimor të Britanisë? Askush nuk e di dhe prodhuesit e ushqimeve nuk kanë asnjë detyrim ligjor për ta treguar praninë e tyre. Sigurisht, nëse gatuani nga e para në shtëpi, ju ulni ekspozimin nga kimikatet e paketimeve. Tradicionalisht ne priremi të gatuajmë me dru, në kuzhina me pajisje çeliku dhe shërbejmë në enë qeramike e qelqi – një histori e gjatë të përdorimit të sigurt.

Megjithatë, edhe pse ne po flasim për nanogrimcat e padukshme dhe gamën e kimikateve që kryejnë shërbimin e mbajtjes pastër të produkteve ushqimore e pijeve, një pyetje që mund të bëhet nga kushdo është: sa kohë duhet të jemi të ekspozuar deri në atë masë sa organet tona të braktisin rezistencën dhe të sëmuremi?

Ne duhet të kuptojmë rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësore si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale. Nëse e marrim këtë seriozisht, duhet zvogëluar ekspozimi ndaj substancave të tilla, duke minimizuar konsumin e ushqimeve dhe pijeve të paketuara si dhe ushqimeve të përpunuara. Eshtë koha për ta filluar këtë. a.d./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button