Analiza

ANALIZE / Surprizë: Në Ukrainë ka fituar … Kina

Surprize KinaMinxin Pei*

Kriza e Ukrainës ka lënë përreth vetes vetëm humbësa. Perëndimi u gjend pothuajse i pafuqishëm përballë një Rusie revanshiste. Qeveria e Kievit nuk ka mundur të bëjë gjë tjetër, përveçse të asistojë në mënyrë pasive në aneksimin e Krimesë nga Putini, dhe po mundohet shumë për të frenuar shtytjet indipendentiste të rajoneve të vet lindorë, ku janë përqëndruar orekset e Moskës. Por edhe Rusia e ka paguar shtrenjtë avantazhin e arritur. Marrëdhënia e saj me Perëndimin është dëmtuar në mënyrë të pandreqshme, dhe sanksionet që pasojnë nuk do i bëjnë mirë ekonomisë së saj. Me shumë mundësi, Rusia ka fituar ndoshta një betejë, por ka humbur luftën. Aneksimi i Krimesë, pretendimet për rajone të tjerë, do të shërbejnë vetëm për ta bërë Ukrainën një armik të saj të betuar.

Duke llogaritur humbjet dhe fitimet në terma gjeopolitikë, nuk është e vështirë të konstatosh se ndërkohë që protagonistët e drejtpërdrejtë në krizën ukrainase janë humbësa, ka edhe të paktën një fitimtar të madh: Kina. Që kur shpërthyen trazirat në Ukrainë, urtësia tradicionale gjeopolitike thoshte se rreziku më i madh për sigurinë e Perëndimit përfaqësohej nga Kina, dhe jo nga Rusia. Pekini ka nisur një program ambicioz modernizimi ushtarak si dhe ka blerë armë, që kanë ngritur pikëpyetje mbi objektivat e tij strategjikë. Rendja drejt burimeve natyrorë në Afrikë, në Lindjen e Mesme dhe në Amerikën Latine ka sfiduar dominimin tradicional perëndimor në këto rajone. Mosmarrëveshjet territoriale në rritje mes Kinës dhe Japonisë mund të shkaktojnë një konflikt ushtarak, i cili mund të përfshijë edhe SHBA.

Por sot, kur aneksimi i Krimesë nga Rusia e polarizon vëmendjen e mediave, Kina nuk duket se shkakton asnjë shqetësim. Por, është e lehtë ta imagjinosh se me sa shumë kënaqësi, udhëheqësit kinezë e kanë pritur një dhuratë gjeopolitike të pakërkuar nga Putini.

Pekini ka adoptuar një qasje shumë të matur. Nga frika se mos armiqësonte Perëndimin dhe shkelte parimin e vet të mos ndërhyrjes në punët e brendshme të një shteti sovran, refuzoi të mbështesë ndërhyrjen e Putinit në Ukrainë. Por në të njëjtën kohë, ka akuzuar indirekt Perëndimin se nxit protestën që solli përmbysjen e regjimit të vjetër filorus të Janukoviçit, dhe kështu ka mbetur në dritare. Tani që Rusia është më e izoluar dhe marrëdhëniet e saj me Perëndimin po hyjnë në një fazë më konfliktuale, avantazhet gjeopolitikë dhe ekonomikë që Kina mund të ketë nga një situatë tensioni të zgjatur mes Moskës dhe Perëndimit po bëhen më të qartë.

Më i rëndësishmi, ndonëse jo i prekshëm, është se do të jetë Rusia, dhe jo Kina, në qendër të vëmendjes së establishmentit ushtarak amerikan në një periudhë afatshkurtër. Jo shumë kohë më parë, prioriteti strategjik i Pentagonit ishte Azia, gjë që sillte një transferim të pjesës më të madhe të forcave ajrore dhe detare amerikane drejt Paqësorit. Ndërsa sot, që Rusia kërcënon paqen dhe sigurinë në Europën qendrore, Shtetet e Bashkuara do të ripërshtasin ndoshta strategjinë e tyre, duke e ulur presionin ndaj Kinës.

Izolimi i Rusisë do ta shtyjë Moskën më pranë Pekinit. Udhëheqësit kinezë kanë parë tek Putini një aleat dinak dhe jo të besueshëm. Shpesh herë Moska nuk i ka mbajtur premtimet e veta mbi shitjet e armëve dhe energjisë tek Pekini. Dhe tani që cari po përballet me sfidën më të madhe në politikën e jashtme, Kina do të ketë më shumë karta në dorë në “lojën” me Rusinë. Në terma praktikë, kjo do të sjellë shitje të armëve më të përparuara Kinës. Nuk është rastësi që në fund të marsit, Putini miratoi furnizimin me raketat tokë-ajër më të fundit ruse, S-400. Parashikohet gjithashtu që Moska t’i shesë shumë shpejtë Kinës avionë gjuajtës SU-35 (që Pekini kërkonte t’i blinte që në vitin 2010). Në planin ekonomik, teksa Europa do të përpiqet të reduktojë varësinë e saj nga energjia ruse, Moska do të duhet të gjejë klientë të tjerë gjetkë.

Kina do të jetë tregu i saj më i rëndësishëm për eksportet në të ardhmen. Tregtia dypalëshe mes këtyre dy vendeve, që ka arritur një vëllim prej 89 miliardë dollarë në vitin 2013, është e destinuar të rritet me shpejtësi në vitet e ardhshëm. Lëndët e para ruse, mbi të gjitha gazi dhe nafta, do të jenë faktori kryesor i fuqizimit të marrëdhënieve të tyre tregtare. Gazpromi, kolosi shtetëror rus i gazit, parashikon të furnizojë Kinën me 38 miliardë metër kub gaz natyror në vit, duke nisur nga viti 2018, përmes një gazsjellësi që po ndërtohet për të lidhur Rusinë me Kinën. Në të kaluarën, Kina ka patur vështirësi në sigurimin e uljeve për çmimin e energjisë nga Rusia. Por kjo situatë është e destinuar të ndryshojë nëse Europa do të reduktojë strategjikisht importet e gazit dhe naftës nga Rusia.

Shqetësimi kryesor në lidhje me fatin e papritur gjeopolitik që i ka ardhur në derë Pekinit, është që udhëheqësit kinezë mund të bëjnë një gabim strategjik në llogaritje. Duke menduar që Perëndimi është i shqetësuar për Rusinë, apo shumë i dobët për të përballuar sulme të armatosur, Kina mund të tundohet të përdorë forcën për të zgjidhur mosmarrëveshjet e saj territoriale më Japoninë, Filipinet dhe Vietnamin. Nëse presidenti i saj, Xi Jinping do të përpiqet të imitojë Putinin, do të shkojë drejt një disfate duke qenë se, ndryshe nga Rusia, e cila nuk ndeshi në asnjë reagim ushtarak të besueshëm në përgjigje të aneksimit të Krimesë, Kina mund të ketë të bëjë me marinën e fuqishme amerikane në Paqësor. Fatmirësisht, udhëheqësit kinezë nuk janë si Putini, i druhen rrezikut. Ndoshta për këtë arsye, Partia Komuniste Kineze është ende në pushtet.

* Ekspert për qeverisjen në Republikën Popullore të Kinës, marrëdhëniet SHBA-Azi dhe demokratizimin në vendet në zhvillim. Aktualisht është Drejtor i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike në McKenna College

Leave a Reply

Back to top button