Sport

Armeni – Shqipëri e trukuar? A rrezikon Shqipëria të përjashtohet nga “Euro 2016”

Screen Shot 2015-11-28 at 00.01.13Ka nxitur debate dhe reagime të shumta deklarata e Presidentit të Federatës Armene të Futbollit, Ruben Hayrapetyan sipas të cilit takimi i fundit eliminator për Euro 2016 Armeni – Shqipëri (0-3) ka qenë i trukuar. Sipas tij ishin disa lojtarë që kishin rënë dakord për të manipuluar rezultatin. Në një intervistë për mediat vendase ai tha: “Sigurisht që nuk e kam për të gjithë lojtarët, por futbolli është një lojë kolektive dhe këto probleme duhen zgjidhur urgjentisht. Synimi është të largohen ata lojtarë që janë të gatshëm të tradhtojnë atdheun”. Ai ka hedhur dyshime për mbrojtjen dhe portën. Duke shtuar: “Edhe trajneri më i mirë në botë të kishte kombëtaren armene në atë takim, rezultati do të ishte i njëjtë”. Kaq është dashur dhe të parët që reaguan ishin mediat serbe të cilat i bënë jehonë këtij lajmi menjëherë pak ditë pas ndeshjes së 11 tetorit. Edhe në atë kohë mediat serbe shkruan se ky takim ishte i trukuar. 

Mediat serbe

Deklarata e presidentit të Federatës të Futbollit Armen ka çuar në ekstazë mediat serbe. Ato kanë shkruar të sigurta se UEFA ka nisur hetimet dhe se Shqipëria do të përjashtohet nga “Euro 2016″. Serbët bëjnë presion që hetimet të marrin hov. “Tani dhe ‘dallaveret’ dolën në pah, Shqipëria duhet të përjashtohet nga “Euro 2016” – shkruante Kurir.

Mediat daneze

Por përveç medieve serbe, deklarata e Hayrapetyan se lojtarë të kombëtares së tij kanë shitur ndeshjen kualifikuese ndaj Shqipërisë ka ekzaltuar edhe mediat daneze. Gazeta “Ekstra Bladet” ka bërë një shkrim të plotë, madje duke kontaktuar edhe UEFA-n, e cila paska thënë se do të iniciojë një hetim mbi ndeshjen Armeni-Shqipëri, pas akuzave të presidentit të Federatës Armene. “Danimarka mund të marrë një vend në fazën finale të “Euro 2016”. Nëse nuk ia doli përballë Zlatan Ibrahimoviç në “play-off”, mund të përfitojë nga skandali i dyshuar, që përfshin Shqipërinë, e cila zuri vendin e dytë në grup. Deklarata e Ruben Hayrapetyan është një lajm, që mund të “rilyejë” të tëra finalet e Kampionatit Europian. Ndeshja kualifikuese midis Armenisë dhe Shqipërisë mund të ketë qenë e paracaktuar. Më parë, të tilla thashetheme kanë qarkulluar dhe kanë shigjetuar tre nga mbrojtësit dhe portierin e Armenisë. Për ta është thënë se kanë fituar 4 milionë euro në këmbim të tolerimeve në ndeshjen kundër Shqipërisë” – shkruan gazeta daneze. Sipas gazetës UEFA ka konfirmuar në një email për “Ekstra Bladet” se do të iniciojë një hetim mbi këtë ndeshje, nëse ka dyshime se loja mund të ketë qenë e paracaktuar.

Lojtarët e Armenisë

Portiri i armenëve Gevorg Kasparov ka reaguar përmes një interviste në mediat e vendit të tij, duke hedhur poshtë zërat për trukim: “Këto që dëgjoj janë gjëra të pakuptimta. Eshtë absurde të marrim në konsideratë spekulimet e mediave serbe dhe shqiptare, se ndeshja e fundit kualifikuese për “Euro 2016” është shitur, ndaj fitoi Shqipëria,” – tha portieri armen për “armtimes.com”. “Takimi nisi shumë keq për kombëtaren tone. Mua më dukej sikur pas çdo gabimi të vogël që bënim do të ndëshkoheshim. Është e vërtetë që kemi pësuar tre gola dhe janë shumë në një ndeshje të këtij rangu, por nuk duhet të harrojmë se edhe ndaj Francës kemi pësuar katër të tillë. Pra, në dy ndeshjet e fundit kemi pësuar shtatë gola dhe kjo nuk është ndonjë gjë e çuditshme” – tha portieri armen.

Reagimi i Dukës

Pas akuzave të bëra pas ndeshjes Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i hodhi poshtë me përbuzje këto deklarata. “Më lejoni t’ju them që Shqipëria ka luajtur në këto eliminatore nga minuta e parë deri në minutën e fundit në mënyrë të drejtë. Askush nuk na dha asgjë dhe ne kemi marrë në fushë atë që ishte e drejta. Unë mund t’ju them një shembull se kemi merituar gjithçka: Nga vendi pritës, Franca, ekipi ka fituar 4 pikë, në dy ndeshjet e fundit mes nesh, edhe pse ato ishin “miqësore”, kështu që kuptojeni se jemi kualifikuar me meritë” – tha Duka.

Reagimi i UEFA

Këtë të premte është publikuar në media edhe një reagim i zyrës së shtypit të UEFA-s për akuzat mbi ndeshjen Armeni-Shqipëri. Gazeta “Panorama Sport” kontaktoi me UEFA-n me anë të një e-maili dhe në përgjigjen e kthyer për gazetën, lihet evazive hapja ose jo e hetimeve për ndeshjen mes Armenisë dhe Shqipërisë. “UEFA monitoron të gjithë ndeshjet e kompeticioneve të UEFA-s, si dhe të dy ligave të para të 54 federatave që janë anëtare të saj, ku çdo sezon rezultojnë në rreth 32 000 të tilla. Në terma të përgjithshëm, ne nuk japim detaje për asnjë investigim nëse nuk ka një çështje disiplinore të hapur ose një vendim zyrtar”, – ka qenë përgjigjja e institucionit të futbollit. Kjo është një përgjigje që e lë evazive mundësinë për të nisur një çështje, pasi është vetë ky organizëm që bën me dije se mban nën vëzhgim ndeshjet e të gjithë federatave apo të të gjithë kompeticioneve për të cilat është përgjegjëse.

A rrezikon Shqipëria?

Shanset që Shqipëria të humbasë vendin në Euro 2016 janë të pakta dhe pothuajse zero. UEFA nuk konfirmon asnjëherë paraprakisht për hetimet përpara nisjes së tyre, madje në shumë raste nuk i konfirmon ato edhe kur janë duke u zhvilluar. Vetëm në rastet kur ka prova të qarta se një ndeshje është trukuar UEFA mban qëndrimin e saj zyratr duke shpallur edhe masat e marra. Në asnjë rast të mëparshëm nuk është marrë ndonjë vendim për ndonjë kombëtare për trukim ndeshjesh. Kjo nuk ka ndodhur as në raste flagrante si Suedi-Danimarkë (2-2) në “Euro 2000” i vetmi rezultat që eliminonte Italinë.  /lapsi.al/

Leave a Reply

Back to top button