Teknologji

BITCOIN. Monedha e të ardhmes

IMG_1388Pioneri i internetit, Marc Andreessen ka investuar pesëdhjetë milionë dollarë në monedhën virtuale. Dhe shpjegon përse Bitcoin premton një revolucion të ngjashëm me atë të kompjuterit personal në 1975 dhe internetit në 1993

Marc Andreessen

Lind një teknologji e re misterioze, në dukje nga asgjëja. Por në të vërtetë është frut i njëzetë viteve veprimtari intensive nga ana e kërkuesve të panjohur. Idealistët projektojnë tek kjo teknologji vizionet e tyre të clirimit dhe revolucionit, ndërkohë që elitat dhe të pushtetshmit shprehin mëri dhe përcmim. Të apasionuarit pas kompjuterëve janë ta magjepsur: shohin një potencial shumë të madh tek kjo teknologji dhe i kalojnë netët dhe fundjavat duke e përmirësuar. Lindin kompani dhe produkte që e sjellin në treg. Efektet e saj bëhen kaq të thellë, saqë shumë njerëz pyesin si ka mundësi që kaq shumë potencial nuk ishte i gatshëm që në krye të herës. Po për cfarë teknologjie po flas? Për kompjuterin personal në 1975, internetin në 1993 dhe – jam i sigurtë – Bitcoin në 2014.
E vështirë të thuash që Bitcoin është një argument për të cilin flitet pak. E megjithatë, ka një distancë shumë të madhe mes asaj që mendojnë mjetet e informimit dhe shumë njerëz të zakonshëm nga njëra anë, dhe një numri gjithnjë në rritje ekspertësh nga ana tjetër. Për këtë arsye, do të shpjegoj përse shumë programues dhe sipërmarrës në Silicon Valley po i kushtojnë kaq shumë kohë Bitcoin-it dhe, cila do të jetë e ardhmja e saj.
Mbi të gjitha, Bitcoin është një hap përpara i shkencës informatike, frut i njëzetë viteve kërkime mbi valutat kriptografike dhe dyzetë viteve kërkime mbi kriptografinë. Kjo teknologji është përgjigja e parë praktike ndaj një problemi të vjetër të informatikës, të njohur si “problemi i gjeneralëve bizantinë”.
Po citoj dokumentin origjinal që e përshkruan: “Marrim një grup gjeneralësh të ushtrisë bizantine, që janë në vendfushim bashkë me trupat e tyre, përreth një qyteti armik. Duke komunikuar ekskluzivisht përmes një mesazheri, duhet të bien dakord për një plan beteje të përbashkët. Por, të paktën njëri prej këtyre gjeneralëve, mund të jetë tradhëtar. Problemi është të gjendet një alogoritëm që të lejojë gjeneralët besnikë të arrijnë një marrëveshje”.
Problemi qëndron në gjetjen e një mënyre për të krijuar besim mes palëve të shkëputura mes tyre, në brendësi të një rrjeti pak të besueshëm sic është interneti. Pasoja praktike e zgjidhjes është që me Bitcoin, per here te pare, nje perdorues i rrjetit ka mundesine te transferoje tek nje tjeter perdorues nje prone dixhitale ekskluzive, me garancine e sigurise se transaksionit: secila prej palëve e di që transferimi ka ndodhur dhe askush nuk mund të vërë në dyshim legjitimitetin. Pasojat e këtij zhvillimi nuk mund të nënvlerësohen.
Cfarë lloj “pronësie dixhitale” është i mundur të transferohet me anë të këtij sistemi? Firmat dixhitale, kontratat dixhitale, celësat dixhitalë (për bravat ose kasafortat online), pronësia dixhitale e të mirave materiale si automobilët dhe shtëpitë, aksionet dhe obligacionet dixhitale dhe paraja dixhitale. Të gjithë këta mallra shkëmbehen përmes një rrjeti të përhapur që nuk parashikon praninë e një ndërmjetësi, si një bankë apo një broker. Gjithcka ndodh në mënyrë të tillë që vetëm propnari i nje malli mundet qe ta dergojë dhe vetëm një pritës i caktuar mundet ta marrë. Malli ekziston vetëm në një vend të caktuar dhe në një moment të caktuar, dhe cdokush mund të verifikojë transaksionet dhe pronësinë e atij malli në cdo moment.
Si funksionon? Bitcoin është një rregjistër dixhital i shpërndarë në të gjithë rrjetin e internetit. Për të hyrë në këtë regjistër mjafton të blesh një hapësirë (numri i hapësirave është i paravendosur) duke paguar me para ose duke shitur një produkt a një shërbim për llogari të Bitcoin. Për të dalë, shkëmbehen Bitcoin-et që ke me dikë tjetër që dëshiron të hyjë në këtë regjistër. Kushdo, në cilëndo pjesë të botës, mund të hyjë apo të dalë nga rregjistri sa herë që dëshiron, pa patur nevojë për autorizime, dhe me kosto zero ose pothuajse. Edhe “monedhat”, domethënë bitcoinet, nuk janë gjë tjetër vecse hapësira në rregjistër, në disa drejtime të krahasueshme me zërat e Listave të Bursës, vetëm se shumë më të lehta për t’u përdorur për transaksionet e zakonshëm.
Rregjistri i Bitcoin është një sistem i ri pagesash: cdokush mund t’i paguajë cdokujt, cfarëdolloj shume, thjeshtë duke transferuar pronësinë e hapësirës që i korrespondon në rregjistër. Vendoset një vlerë, kryhet transferimi dhe pritësi merr vlerën. Nuk nevojiten autorizime, dhe në shumë raste nuk paguhen komisione. Kjo vecanti e fundit ka rëndësi shumë të madhe. Bitcoin është sistemi i parë i pagesave në internet ku transaksionet ndodhin pa komisione apo me komisione shumë të ulët (bëhet fjala për qindarka). Në botën e industrializuar, sistemet ekzistuer të pagesave aplikojnë komisione 2-3 përqind. Në shumë pjesë të tjera të planetit nuk ekzistojnë sisteme modernë pagesash ose përqindjet janë shumë më të larta.
Bitcoin është një mënyrë për të shkëmb yer para apo mallra mes palëve pa një lidhje besimi ekzistuese. Në rastin më të thjeshtë, dërgohet me email apo një sms një varg numerik. Dërguesi nuk ka nevojë ta njohë marrësin apo t’i besojë atij, dhe e anasjellta. Eshtë një risi absolute. Më parë nuk ka patur asgjë të tillë në formë dixhitale.

Hipoteza për të ardhmen

Bitcoin është një monedhë dixhitale, vlera e së cilës bazohet në dy elementë: përdorimi aktual i sistemit të pagesave (vëllimi dhe shpejtësia e pagesave në regjistër) dhe hipotezat për të ardhmen e saj. Ky është aspekti që i ngatërron më shumë njerëzit. Njerëzit nuk i shkëmbejnë bitcoinet, për arsye se dikush u ka caktuar atyre një vlerë arbitrare. E kundërta është e vërtetë: monedha ka një vlerë sepse përdoruesit mund të bëjnë transaksione përmes teknologjisë së Bitcoin (kudo, pa mashtrime, dhe me komisione joekzistues ose shumë të ulët). Ndoshta është e vërtetë që në këtë moment vlera e Bitcoin bazohet më shumë mbi hipotezat, se sa mbi vëllimin real të pagesave, por është po kaq e vërtetë që këto hipoteza po vendosin një cmim mjaftueshëm të lartë për të bërë të mundura në praktikë pagesat me bitcoin. Monedha elektronike duhet të ketë një farë vlere për të vënë në lëvizje vëllime qoftë edhe të vegjel pagesash reale. Eshtë problemi klasik i “vezës dhe pulës”: një teknologji e re nuk vlen shumë deri kur vlen shumë fare. Për këtë arsye, fakti që vlera e Bitcoin është rritur edhe falë hipotezave për përdorimin e saj në të ardhmen ka përshpejtuar përdorimin e saj në praktikë.
Skeptikët nënvizojnë përdorimin e saj të kufizuar për konsumatorët dhe tregtarët e zakonshëm, por po të njëjtat kritika u bënë në fillim edhe për kompjuterin personal dhe për internetin. Cdo ditë, një numër në rritje konsumatorësh dhe tregtarësh në të gjithë botën blen, përdor dhe shet bitcoin. Numrat në tërësi janë ende modestë, por janë në rritje të shpejtë, dhe përmirësimi i instrumentave dhe teknologjive të lidhura me Bitcoinin po e bën gjithnjë e më të lehtë përdorimin e këtij sistemi. Një herë e një kohë, ishte lodhje më vete edhe të hyje në internet. Sot, nuk ndodh më.
Një tjetër kritikë e pabazë është që tregtarët nuk do ta adoptojnë Bitcoinin për shkak të luhatshmërisë së saj. Mund të përdoret kjo teknologji edhe vetëm si sistem pagesash. Tregtarët nuk kanë nevojë që të zotërojnë bitcoine dhe as të ekspozohen ndaj luhatshmërisë së saj. Cdo konsumator apo shitës mund të tregtojë me bitcoine (apo cdo monedhë tjetër) në cdo lloj momenti. Përse një tregtar – në internet apo në sistemin tradicional – duhet të pranojë bitcoin si formë pagesash, duke qenë se një numër i vogël konsumatorësh janë të prirur t’i përdorin ato? Kohët e fundit, ortaku im Chris Dixon mori këtë shembull: “Le të themi që keni një dyqan produktesh elektronikë online. Marzhi mesatar i fitimit në sektor është më pak se 5 përqind. Kështu që, një komision normal prej 2.5 përqind për pagesat e gërryen gjysmën e fitimit. Këto para mund të investohen në kompaninë, t’u kthehen konsumatorëve ose të taksohen prej shtetit. Mes të gjitha mundësive, ajo e transferimit të 2.5 përqindëshit tek bankat, që këto të transformojnë bit-e informacioni në internet, është më e keqja. Një tjetër vështirësi për tregtarët është pranimi i pagesave ndërkombëtare. Nëse pyesni përse produkti apo shërbimi juaj i preferuar nuk është i disponueshëm në vendin tuaj, shpesh herë përgjigja ka të bëjë me sistemin e pagesave”.
Tregtarët janë shumë të tërhequr prej bitcoineve edhe sepse eleminon rrezikun e mashtrimeve me kartat e kreditit. Bitcoini është një sistem pagimi tek bartësi, pra mes atij që e kryen pagesën dhe atij që e merr dhe nuk ka asnjë shkëmbim informacioni që mund të përdoret për t’i shkëputur para dhënësit, as nga shitësi dhe as nga një kriminel që mund ta shtjerë në dorë.
Mashtrimet me kartat e kreditit janë një problem kaq i rëndë për tregtarët, mbajtësit e tyre dhe bankat, saqë sistemet e njohjes së mashtrimeve online janë studiuar për të bllokuar cdo lloj transaksioni për të cilin ekziston edhe dyshimi më i vogël. Për këtë arsye, shumë tregtarë online refuzojnë nga 5 deri në 10 % të porosive që vijnë, porosi që mund t’i pranonin pa asnjë lloj frike nëse klientët do të paguanin në Bitcoin, pasi këta lloj mashtrimesh do të ishin të pamundur.
Besueshmëria e Bitcoin shtrihet deri në botën e dyqaneve të hollësirave. Me Bitcoin, sulmi kolosal informatik me anë të të cilit u morën informacione prej kartave të kreditit të shtatëdhjetë milionë klientëve të zinxhirirt të magazinave të mëdha Target nuk do të ishte i mundur. Ja si mund të funksionojë me Bitcoin: një klient, mbush karrocën dhe shkon në shtëpi por, në vend që të japë kartën e tij të kreditit tek arka, nxjerr telefonin celular smartphone dhe i bën një fotografi kodit Qr që shfaqet në rregjistruesin e arkës. Kodi Qr përmban të gjithë informacionet e kërkuar për të dërguar Bitcoine tek Target. Klienti klikon “konfirmoj” në telefonin e tij dhe transaksioni përmbyllet (nëse klienti nuk zotëron bitcoine, dollarë apo valuta të tjera konvertohen në bitcoin). Target është i lumtur sepse arkëton para në bitcoin që, nëse dëshiron, mund t’i konvertojë menjëherë në dollarë.
Vec kësaj, nuk ka paguar asnjë komision (ose një komision shumë të ulët) për kryerjen e pagesës. Klienti është i lumtur sepse hacker-ët nuk kanë asnjë shans që të fusin duart në të dhënat e tij personale. Krimi i organizuar është më pak i lumtur (ose ndoshta jo: mund të provojë të vjedhë nga sistemet informatikë pak të mbrojtur të tregtarëve. Por edhe nëse operacioni kryhet, për konsumatorin nuk ka risk humbjeje ekonomike, mashtrimi etj.) Në fund, dua të flas për një cështje që e ka ngritur dikush, sipas të cilit Bitcoin do të favorizonte sjelljet kriminale, duke u lejuar keqbërësve dhe terroristëve të zhvendosin para në mënyrë anonime dhe në pandëshkueshmëri totale. Bëhet fjalë për një legjendë, e ushqyer mbi të gjitha prej sensacionalizmit të mjeteve të informimit dhe një dijeje të mangët për mënyrën si funksionon teknologjia. Ashtu si posta elektronike, që është lehtësisht e gjurmueshme, Bitcoin është një teknologji “pseudonime”, jo anonime. Vec kësaj, cdo transaksion në rrjetin e saj gjurmohet dhe ruhet në një arkiv të përhershëm të quajtur “block chain”, që të gjithë mund ta konsultojnë. Ja përse Bitcoin është shumë më e lehtë për t’u gjurmuar për forcat e rendit, në krahasim me kartëmonedhat, floririn apo diamantët.
Bitcoin është një rast klasik i “efektit-rrjet”, që ndez një rrjet vicioz. Sa më shumë që njerëzit përdorin Bitcoinin, aq më shumë Bitcoini fiton vlerë për atë që e përdor, dhe aq më shumë rritet nxitja për përdorimin e saj nga një tjetër përdorues. I njëjti “efekt-rrjet” karakterizon sistemin telefonik, internetin dhe disa shërbime shumë popullorë online si eBay dhe Facebook. Në të vërtetë, efekti-rrjet i Bitcoinit është i katërfishtë. Janë katër basenë përdorimi që kontribuojnë në rritjen e vlerës: konsumatorët që paguajnë me Bitcoin, tregtarët që pranojnë Bitcoin, të ashtuquajturit “miners” (kërkuesit e Bitcoin) që menaxhojnë kompjuterët në themel të të gjithë transaksioneve dhe të rrethit të besimit, zhvilluesit dhe sipërmarrësit që realizojnë produkte të rinj dhe shërbime të bazuar mbi Bitcoinin. Të gjithë këta komponentë janë të rëndësishëm, por i katërti ka një peshë shumë të rëndësishme. Në Silicon valley dhe në pjesën tjetër të botës me mijëra programues po e bëjnë Bitcoinin themelin e produkteve dhe shërbimeve të rinj që përndryshe do të ishin të pamundur. Andreessen Horovitz po rregjistron një rritje të fortë të numrit të sipërmarrësve që i ngrejnë kompanitë e tyre përreth Bitcoinit. Vetëm për këtë, konkurrentët potencialë e kanë rrugën malore. Për të shfrytëzuar këtë sistem duhet që të bëhen përmirësime të vazhdueshëm dhe me shpejtësi. Përndryshe, efekti-rrjet do ta cojë Bitcoinin në një pozicion dominues.
Marc Andreessen është informaticien dhe sipërmarrës amerikan, i njohur mbi të gjitha për lancimin e Mosaic, navigatori i parë i internetit me përhapje të gjerë dhe më pas Netscape. Sot, kompania e tij e investimeve ka investuar pothuajse pesëdhjetë milionë dollarë në sipërmarrje të lidhura me Bitcoinin. Andreessen zotëron vetëm një shumë minimale të Bitcoin

Leave a Reply

Back to top button