Teknologji

BOSET E GOOGLE / “Manual” për të luftuar censurën e internetit

Eric E. Schmidt*

Jared Cohen*

FrontGjatë dekadës së ardhshme, afro pesë miliardë njerëz do të jenë të lidhur në internet. Rritja më e madhe e numrit do të vijë në shoqëritë që, sipas grupit për të drejtat e njeriut, Freedom House, janë më të shtypura prej censurës: vende ku, klikimi mbi një artikull të pakëndshëm, mund të fusë në burg të gjithë familjen, ose më keq.

Hollësitë nuk janë aspak të këndshme. Në Rusi, qeveria ka bllokuar dhjetëra mijëra faqe disidentësh; ka patur raste kur janë bllokuar të gjithë blogjet e WordPress dhe Wikipedias ruse. Në Vietnam, një ligj i ri i quajtur “Dekreti 72” shpall të paligjshme shpërndarjen e materialeve kundër qeverisë, apo edhe ndarjen e lajmeve në mediat sociale. Dhe në Pakistan, faqe interneti që ishin të hapura vetëm dy vjet më parë – si Tumblr, Wikipedia apo YouTube – po zëvendësohen gjithnjë e më shumë prej mesazheve imponues për të “lundruar të sigurtë në internet”.

Mekanizmat e represinit janë të shumëllojshëm. Njëri është përmes pajisjeve të “inspektimit të thellë”, që lejon autoritetet të gjurmojnë cdo email të kriptuar që dërgohet, cdo faqe interneti që vizitohet dhe cdo postim që botohet në një blog. Kur pikasen veprimtari të pakëndshme, aksesi në faqe të caktuara apo shërbime bllokohet ose devijohet. Dhe nëse gjithë masat e tjera dështojnë, lundrimi në internet mund të ngadalësohet për përdorues të shënjestruar apo për komunitete të tërë.

Në raste të tjerë, si në Ukrainë, faqe nxirren fare nga linja përmes sulmeve pirateskë të të ashtuquajturit “mohim i shërbimit”, që ndodh duke e përmbytur një server me kërkesa dixhitale. Ose një tjetër mënyrë është dëmtimi i krejt sistemit për të bërë faqet e internetit të paarritshme. Kategori të tëra materialesh mund të bllokohen ose dëmtohen në masë. Në Iran, dëgjojmë që të gjithë lidhjet e kriptuara në internet shkëputen në mënyrë periodike.

Sa e zakonshme është secila taktikë? Të dhënat e besueshme janë të rralla. Matja e modeleve të censurës ka rreziqet e vet: Nëse kërkon në mënyrë të përsëritur se sa materiale të diskutueshëm po bllokohen, rrezikon të shndërrohesh edhe vetë në shënjestër.

Dhe ndërkohë që teknologjitë e represionit janë një teknologji disa miliardë dollarëshe, mjetet për të matur dhe aksesuar represionin dixhital marrin vetëm disa pak milionë dollarë në financime qeveritare dhe private. Qendra private dhe akademike si Citizen Lab në Toronto janë duke ndërtuar mjete të tillë, por janë ende në ditët e para të hartëzimit të censurës dixhitale.

Sigurisht, pikasja është vetëm hapi i parë në kundërsulmin ndaj censurës. Hapi i radhës është ofrimi i mjeteve për të dëmtuar censorët, filtrat dhe bllokuesit.

Edhe këtu, themelet janë duke u hedhur. Për vite të tërë, një komunitet shumë “i gjallë” inxhinierësh nga San Francisco në Pekin kanë bashkëpunuar për teknologjitë e shmangies së censurës, për të mbrojtur disidentët nga survejimi. Një mjet i tillë, i quajtur Tor, është përdorur nga disidentë që marrin vesh nga teknologjia, prej afro një dekade.

Udhëtimet tanë na kanë cuar në Korenë e Veriut, në Arabinë Saudite dhe vende të tjerë që luftojnë me represionin. Megjithatë, kur takojmë disidentë dhe anëtarë të komuniteteve të shtypur, jemi të habitur se sa pak prej tyre përdorin sisteme të tillë si Tor.

Besimi është ndoshta problemi themelor. Në Iran, pazaret online shesin shërbime që premtojnë akses të sigurtë. Megjithatë, qarkullojnë zëra që këta shërbime ofrohen në fakt fshehtas prej qeverisë iraniane, dhe mund të monitorohen e mbyllen në cdo kohë.

Shkallëzueshmëria është një tjetër problem. Një qasje e përhapur, të ashtuquajturit virtual private netëorks (VPN), lejon përdoruesit në një shtet me represion të lartë si Siria që të “transferojnë” lidhjet nëpërmjet një kompjuteri, tek një vend më i hapur, si Norvegjia. Por, kur mijëra përdorues lidhen me një ndërmjetës të vetëm, qeveria e vë re dhe i mbyll të gjithë.

Sfida finale është përdorshmëria. Inxhinierët mund të ndërtojnë algoritme të sofistikuar, por ata janë të dobishëm vetëm nëse, për shembull, një anëtar i minoritetit kurd në Iran arrin të kuptojë se si t’i instalojë në një telefon me internet me shpejtësi të ulët.

Asnjë prej këtyre sfidave nuk është e re. E re është mundësia për t’i kapërcyer – nëse bëjmë investimet e duhur publikë dhe privatë. Për shembull, përdorimi i algoritmeve të teknologjisë “peer-to-peer” i lejon përdoruesit të kalojnë lidhjet e tyre të internetit përmes një tjetër kompjuteri, pa u dashur të kalojnë përmes VPN-së, gjë që ndihmon për të adresuar problemet e besimit dhe shkallëzueshmërisë.

Këta algoritme nuk e zgjidhin krejtësisht problemin e besimit. Si mund ta dish që je lidhur me mikun tënd, dhe jo një agjent të qeverisë? Dhjetë vjet më parë, kjo lloj sfide do të kish qenë e pamundur për shumë njerëz. Por, sot është e mundur të përdorësh rrjete si Facebook dhe Google Hangouts për të identifikuar identitetet e njëri-tjetrit.

Teknikat e fshehjes – kur një gjë bëhet të duket si një gjë tjetër – janë gjithashtu një rrugë për të ecur përpara. Një tunel dixhital nga Irani në Norvegji mund të maskohet si një thirrje e thjeshtë në Skype. Metoda e “Inspektimit të thellë i paketës” nuk mundet të dallojë trafikun normal nga një trafik i tillë, dhe dëmi anësor i bllokimit të të gjithë trafikut është shpesh herë shumë i lartë për t’u përballuar nga qeveria.

Së fundi, përparimi që është bërë në përmirësimin e modeleve të eksperiencës së përdoruesit është shumë i madh. Interneti po bëhet më i kollajtë për t’u përdorur, dhe e njëjta gjë vlen për teknologjitë e shmangies – që do të thotë se aktivistët do ta kenë më të vështirë të jenë të sigurtë online.

Një pjesë e mirë e luftës kundër censurës është udhëhequr nga aktivistët e lëvizjes për lirinë e internetit. Ne mund t’i bashkohemi këtij komuniteti, qoftë nëse jemi politikëbërës, qoftë korporata apo individë. Paratë, aftësitë e kriptimit dhe grantet qeveritarë mund të sjellin një ndryshim të madh.

Duke parë energjitë e mëdha dhe shanset që ekzistojnë, është e mundur t’i jepet fund censurës shtypëse të internetit brenda një dekade. Nëse duam që brezi i ardhshëm i përdoruesve të jetë i lirë, nuk kemi zgjidhje tjetër. (NYT)

Eric E. Schmidt është Drejtor Ekzekutiv i Google dhe Jared Cohen është Drejtor i “Google Ideas”. Të dy janë autorë të librit: “Epoka e re dixhitale: transformimi i shteteve, bizneseve dhe jetëve tona”.

Linku i artikullit original:

(http://www.nytimes.com/2014/03/12/opinion/the-future-of-internet-freedom.html?hp&rref=opinion&_r=0)

Leave a Reply

Back to top button