Nunc est Bibendum

Bota është një vend më i trishtë pa zotërinë e verës…

Nga Andi Qinami

Një Nekrologji është gjithmonë dicka e zymtë, po për fat të keq për këtë bëhet fjalë kësaj here. Në Nunc est bibendum, e kemi thënë tashmë, do të flasim per verë, për verëtare, vreshta, ndodhi e rrjedha jete. E pra, vdekja është pjesë e jetës por edhe e shumë historive. Revista angleze “Decanter” i ka dedikuar nje shkrim ndarjes nga jeta të Paul Pontallier, këtij zoterie të vërtetë të verës së cilës iu dedikua fort, e për të cilën shumë kontribuoi. Në nderim, menduam ta përcjellim këtu për lexuesin tonë.

Screen Shot 2016-04-07 at 09.03.14

Lajmërim vdekje: Paul Pontallier i Château Margaux-së  (1956 – 2016)

Të pakta janë ato Château që arrijnë të transmetojnë ngrohtësinë, miqësinë dhe kënaqësinë njëherësh me të shijuarit e verës, siç ia dilte Château Margaux nën drejtimin e Paul Pontallier. Paul Pontallier, u nda nga jeta në 28 mars, 59 vjeç, Ai ishte drejtor i linjës kryesore (Premier Gran Cru) të Château Margaux në Bordo, që nga viti 1990. Paul Pontallier do të kishte festuar 60 vjetorin në 22 prill.

Margaux një përshtatje e ‘përsosur ‘

Ai u bë pjesë e Château-së në vitin 1983, kur ishte vetëm 27 vjeç, dy vjet pas diplomimit si inxhinier bujqësor me një doktoraturë në Enologji. Krahas 18 muajve mësimdhënie pranë Universitetit Katolik të Santiago-s, angazhimi në Margaux do të ishte i vetmi rol i tij profesional me kohë të plotë, çka rezultoi një përshtatje e përsosur.

Punësuar nga pronarja Corinne Mentzelopoulos vetëm tre vjet pasi kjo kishte zënë vendin e babait të saj – pas një rekomandimi nga mentori i tij Emile Peynaud – Paul dhe Corinne të dy u lidhën fort dhe ndanë një miqësi që gjendet rrallë mes pronarit dhe drejtorit. Corinne dhe Paul punuan bashkë për të për të garantuar transformimin e Château Margaux, transformim që kishte filluar nën drejtimin e André Mentzelopoulos e që vijoi deri në pozitën e lartësuar që mban sot.

Një partneritet i ‘patejkalueshëm’ – Steven Spurrier

Këshilltari i redaktorit të revistës ‘Decanter’ Steven Spurrier e ka përshkruar bashkëpunimin mes tyre si “diçka që nuk tejkalohet as nga ajo mes Jean-Bernard apo Jean-Philippe Delmas me Haut-Brion, tjetër Chateau legjendare. Është e vështirë të imagjinosh Margaux –në, pa të”.

Vitet e rinisë

I lindur në rajonin e Bordeaux, Pontallier kaloi vitet e para të jetës në Château-në e verës së prindërve të tij, Château La Loge Saint-Léger në AOC Bordeaux Supérieur dhe ndoqi shkollën më të rëndësishme të qytetit, shkolla e menaxhuar nga kleri katolik, Sainte-Marie-Grand-Lebrun.

Ai kishte konsideruar fillimisht karrierën e mjekut, dhe një herë në një intervistë për Decanter.com tha “vera ishte aq e natyrshme për mua sa unë nuk mund ta imagjinoja një zgjedhje serioze më vete, si karrierë”.

Por, ai vendosi të ndiqte zemrën e tij, në bujqësi. Mori diplomën e tij të parë në vitin 1975 nga Instituti Kombëtar i Agronomisë Paris-Grignon, që njihet si AgroParisTech. Nga atje ai u specializua në enologji dhe vreshtari, fillimisht në Montpellier dhe më pas në Institutin Bordolez të Enologjisë, në Talence, ku edhe përgatiti doktoraturën e tij mbi efektin e vjetërimit në fuçi të verërave të kuqe.

Ardhja në Château Margaux

Shtatë vitet e tij të para në Château Margaux ai i kaloi përkrah Philippe Barré, kur Barré doli në pension në vitin 1990, Paul u emërua drejtor ekzekutiv. Nën drejtimin e tij, Château Margaux krijoi vazhdimisht verëra madhështore dhe konfirmoi pozitën e saj si një nga châteaux-të, vërtetë të mëdha, në botë.

Përtej punës në Château Margaux-së, Pontallier nisi një sipërmarrje të re në vitin 1984, që do të quhej Domaine Paul Bruno, në Kili me mikun e tij të vjetër, Bruno Prats, e po ashtu gjithashtu luajti rolin e këshilltarit për Plaisir de Merle të Stellenbosch. Kohët e fundit ai ndihmoi të birin Thibault Pontallier me krijimin e markës verës Pont des Arts. Por, ajo për të cilën askush nuk ka dyshime është se kujtimi i tij gjithmonë do të jetë i lidhur me Château Margaux, një vend që ai dashuroi e për të cilin shpesh tha … se kurrë asgjë nuk do ta joshte për t’u larguar.

Një talent i jashtëzakonshëm

“Bota është një vend më i trishtë sot pas humbjes së Paul Pontallier,” thotë drejtori ekzekutiv i revistës Decanter, Sarah Kemp, “Një talent i jashtëzakonshëm, një njeri i jashtëzakonshëm. Ai ishte mishërimi i verërave që krijonte; elegant dhe i rafinuar. Humanizmi dhe mirësia e tij kanë pasuruar shumë jetë. Janë të shumtë ata që do t’u mungojë Paul Pontallier”

Philippe Bascaules, që ka punuar përkrah Pontallier për njëmbëdhjetë vjet me radhë, në Château Margaux përpara se t’i bashkohej Francis Ford Coppola-s në Inglenook në vitin 2011, thotë: “Unë admiroja jo vetëm përulësinë e tij, por edhe pasionin e tij. Ai thoshte gjithnjë se dyshimi është forca shtyese e të gjitha kërkimeve shkencore. Kjo ishte diçka që ai ndjente thellë dhe që e bëri atë të hapur dhe shumë human”.

“Ishte përherë kënaqësi e madhe të flisje me Paul për verën, natyrisht, por edhe për historinë e shumë subjekte të tjera, për të cilat ai ishte aq thellë i interesuar”.

Pontallier la gruan dhe katër fëmijë nga martesa e parë, Guillaume, Thibault, Alice dhe Antoine. Vera e 2015-ës, ishte e 33-ta e tij në Margaux. 

Leave a Reply

Back to top button