BotaMAIN

Çfarë më mësoi Kolin Pauell mbi luftën dhe optimizmin

Nga James Stavridis

Në vitin 2009 u emërova komandanti i 16-të suprem aleat i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut. Edhe pse kisha shërbyer tashmë 3 vite si drejtues i njërës prej 11 komandave luftarake të ushtrisë, Komanda Jugore e SHBA-së, e fokusuar në Amerikën Latine,për mua kjo punë e re ishte me shumë të panjohura.

Së pari, unë isha admirali i parë i Marinës Amerikane që do të merrte atë detyrën. Të gjithë paraardhësit e mi kishin qenë gjeneralë me një përvojë të madhe në NATO. (Puna ime e ëndrrave ndodhej mijëra kilometra larg:komandant i Komandës së Paqësorit të SHBA-së në Honolulu, një post tradicional për një oficer të Marinës).

Por Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts më donte në Evropë, ndaj unë u largova nga posti që kisha. Problemi tjetër ishte se në atë kohë NATO ishte përfshirë në një luftë të ashpër tokësore në Afganistan, me afro 150.000 trupa qindra kilometra larg detit.

Unë isha i shqetësuar për aftësinë time për të udhëhequr, duke pasur parasysh kompleksitetin e atij koalicioni. Kur ia transmetova dyshimet e mia si Gejtsit ashtu edhe Admiralit Majk Mylen, kreut të Shtabit të Përgjithshëm, që të dy më thanë:“Shko të flasësh me Kolin Pauellin”.

Unë e njihja Kolin, qëvdiq sot nga ndërlikimet e shkaktuara nga Covid-19, pasi isha një komandant i ri dhe ai ishte kryetari i Shefave të Përbashkët të Ushtrisë Amerikane.

Për ne ushtarakët, gjenerali Pauell do të jetë gjithmonë i tillë, dhe jo Sekretar i Shtetit.

Ai ishte gjithmonë bujar me kohën që më kushtonte dhe këshillat që më jepte ndërsa ngjitesha në karrierë. Kjo përfshiu edhe rastin kur unë isha një ndihmës i lartë ushtarak i Sekretarit të Mbrojtjes Donald Ramsfeld në fillim të viteve 2000, një post që Pauell e kishte mbajtur në vitet 1980 nën sekretarin Kaspar Ueinberger.

Kur po trokisja në derën e shtëpisë së tij në periferi të Uashingtonit, shpresoja që ai të më jepte elementët kryesorë të udhëheqjes së një koalicioni të madh në luftime, të më fliste mbi elementët diplomatikë të NATO-s dhe aleatëve të tjerë, dhe të më tregonte mënyrën sesi përballohet presionit personal dhe sfidat.

Ne kaluam disa orë bashkë dhe unë u largova më i sigurt në vetvete dhe më optimist se sa kisha qenë kur m’u njoftua emërimi në detyrën e re. Së pari, më tha ai, ti duhet të lësh mënjanë egon personale.

Në punën e re do të trajtohesh si një mbret: një kështjellë madhështore belge e shtrirë në një hapësirë prej dhjetëra hektarësh; që ruhet nga forcat e armatosura belge dhe amerikane; do të kesh helikopterin personal“Blackhawk”; një kuzhinier personal,dhe një staf për të organizuar takimet diplomatike e kështu me radhë.

“Mos harro se kush je Stavridis. Nuk je dërguar atje për të qenë Karli i Madh i shekullit XXI”- më tha më tej ai. Përulësia, një tipar shumë domethënës në personalitetit e Kolin Pauell, djalë i 2 emigrantëve xhamajkanë dhe i diplomuar në Kolegjin Univesitar në Nju Jork, ishte “puna” e tij e parë.

Së dyti, duhet të kesh kujdes të shmangësh kurthet. Pauell ishte i famshëm për këtë aspekt në çdo post që kishte mbajtur. Ai përdorte vazhdimisht telefonin për të marrë mendimin e kolegëve të tij ushtarakë, atyre civilë në agjenci të tjera, drejtuesve të mediave në Uashington, dhe homologëve të huaj që u bënë miq të tij përgjatë dekadave.

Rrjeti i tij i bashkëpunëtorëve ishte i pafundmë dhe përdorte informacionin që merrte, si dhe intuitën e tij, duke krijuar një mozaik për secilën sfidë, duke e plotësuar atë me copëzat e vogla me ngjyra, derisa më në fund të dilte fotografia e plotë. Një komandant i mirë i NATO -s, më tha, është një oficer i shërbimit inteligjent që e mbledh pak e nga pak informacionin e nevojshëm.

Së treti, për të mbajtur të bashkuar një koalicion, duhet ta vendosësh veten në vendin e tjetrit. Ai më këshilloi që të ndalem shpesh dhe të mendoj për historinë, kulturën, gjuhën dhe mbi të gjitha, kërkesat me të cilat përballen homologët tanë në Paris, Londër, Berlin dhe Romë, por edhe në kryeqytetet më të vogla të vendeve si Sllovakia, Sllovenia, Estonia dhe Belgjika.

E njëjta gjë vlen edhe për Moskën. Shko atje sa më parë dhe bisedo me rusët për përvojat e tyre në Afganistan, më këshilloi Kolin. Këshilla e fundit:qëndro optimist. Nëse lexoni “13 rregullat për arritjen e suksesit” të Pauell, të cilat i preva me gërshërë dhe i kam mbajtur nën xhamin e tavolinës sime në Belgjikë, 4 nga 13 i përkasin optimizmit:Gjërat do të duken më mirë mëngjesin e ditës tjetër (#1); Kjo gjë mund të bëhet! (#4); Mos u këshillo nga frikërat që ke apo ata që gjithmonë kundërshtojnë(#12); Optimizmi i përhershëm është një shumëzues i forcës (#13).

Më vonë ai firmosi disa kopje të kujtimeve të tij të mrekullueshme “Udhëtimi im amerikan” dhe m’i dërgoi më postë. Katër leksione në dy orë:përulësi, lidhje, empati dhe optimizëm. Një recetë shumë e mirë, dhe gjatë 4 viteve që pasuan, por edhe nga ajo kohë, sa herë që jam përballur me një sfidë, mendoj për Kolin Pauellin. U prehsh në paqe gjeneral!

Shënim: James Stavridis, admiral në pension i Marinës Amerikane, ish-komandant suprem i forcave të NATO-s, dhe dekan i Shkollës Fleçer për Drejtësi dhe Diplomaci në Universitetin Tafts. / “Bloomberg” – Bota.al

Back to top button
Close
Close