Sport

CNN: Endrra që u bë realitet

4James Masters

CNN

Nuk ndodh shpesh që një Kryeministër të përgjigjet vetë në telefon – por në fund të fundit, nuk ndodh shpesh as që Shqipëria të kualifikohet për një prej turneve më të mëdhenj të futbollit.

Kështu që, mund t’i falet Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për faktin që la për pak mënjanë punët e shtetit, për të festuar kualifikimin e tij në finalet e Kampionatit Europian të vitit 2016, që do të zhvillohet në Francë.

Teksa i gjithë vendi mirëpriti heronjtë e tij të hënën, më pak se 24 orë pas një fitoreje kyçe kundër Armenisë, Rama ishte në aeroportin e Tiranës për t’i përshëndetur, përpara se të udhëtonte bashkë me skuadrën në autobusin e ekipit, drejt zyrës së tij, dhe për të festuar se si një vend tre milionësh kishte arritur në turneun e parë madhor në historinë e tij.

Pak ditë më herët, ëndrrat e Shqipërisë për të mbërritur në finale ishin në rrezik, pas një humbjeje 2-0 në shtëpi kundër Serbisë  – rivalit të betuar.

Ai ishte momenti kur Rama ndërhyri, në një përpjekje për të ngritur moralin e një grupi futbollistësh, që mbartnin shpresat e milionave.

6“I takova pas ndeshjes me Serbinë dhe ishin të shkatërruar – ishte një humbje shumë e hidhur”, tha Rama për CNN, në një intervistë ekskluzive.

“U fola dhe u thashë: Shikoni, kur përpiqeni të mbërrini në majë të malit, duhet të merrni parasysh edhe erërat e forta. Tani është koha të nxirrni karakterin tuaj”.

Pavarësisht maleve dhe pavarësisht erërave, Shqipëria siguroi një fitore 3-0 ndaj Armenisë, duke barazuar fitoren me avantazh më të thellë, si dhe duke çuar në festimet e shfrenuara në vend dhe në Kosovë, atje ku 1.8 milionë banorët janë kryesisht shqiptarë etnikë.

Fishekzjarret dhe fetsimet zgjatën deri natën vonë, ndërkohë që me mijëra dolën të përshëndesin skuadrën, në momentet kur kjo u ul në SHqipëri. Nga aeroporti në qendër të Tiranës, tifozët dolën të përshëndesin heronjtë e tyre.

Askush nuk kishte parashikuar që Shqipëria do të kualifikohej nga një grup, që përfshinte ekipe si Portugalia, Danimarka dhe rivalen, Serbinë.

Shumë prej atyre që mund të përfshihehin në këtë skuadër, duke përfshirë treshen shumë të vlerësuar, Xherdan Shaqiri, Valon Behrami dhe Granit Xhaka, të gjithë luajnë për Zvicrën, pavarësisht se janë me prejardhje nga Kosova.

3Vëllai i Xhakës, Taulanti, zgjodhi të luajë për Shqipërinë, ndërsa lojtarë si Shkodran Mustafi zgjodhi Gjermaninë. E megjithatë, Shqipëria sërish fitoi.

Xherdan Shaqiri i Zvicrës ka lindur nga prindër shqiptarë të Kosovës në vitin 1991 në Gjilan, një qytet që tani është pjesë e Kosovës, por atëherë ishte në Republikën Jugosllave.

“Nuk e kam ëndërruar kurrë një gjë të tillë”, tha për CNN kapiteni i skuadrës, Lorik Cana. “I telefonova babait pas ndeshjes në Armeni, dhe ai ka qarë pa pushim për dy orë. Ne jemi të lumtur për njerëzit. Unë e di që ata kanë probleme dhe vështirësi në vend, dhe për ne, t’i bëjmë të lumtur dhe krenarë, si dhe të harrojnë hallet e tyre, është gjë vërtetë e veçantë”.

Cana, bashkë me pjesën tjetër të lojtarëve dhe stafin e trainerëve morën nga një medalje mirënjohjeje nga Rama, që konfirmoi se të gjithë ata të përfshirë në suksesin e skuadrës shqiptare, do të merrnin medaljen më të lartë të nderit në Shqipëri.

“Eshtë një arritje e mrekullueshme”, tha Rama. “Eshtë një shtytje e madhe për vendin dhe shoqërinë tonë. Kjo është një skuadër ku ylli është vetë skuadra – jo individët. Ata kanë treguar se çdo gjë është e mundur kur njerëzit punojnë dhe sakrifikojnë së bashku, me një bindje të fortë për të ndjekur një ëndërr. Unë shpresoj që kualifikimi i Shqipërisë për në Europian do të pasohet nga anëtarësimi i Shqipërisë në BE”, shtoi Kryeministri, duke iu referuar ambicies së kahershme të vendit ballkanik për t’u futur në bllokun europian.

1Shqipëria ka bërë shumë rrugë që nga fundi i viteve ’80 kur – nën regjimin totalitar të Enver Hoxhës – ishte një prej shteteve më të izoluar të botës.

Askush nuk lejohej të udhëtonte jashtë vendit dhe mijëra vetë mbaheshin në gulagë të fshehtë. Mjekrrat ndaloheshin, ashtu sikurse dhe besimet fetarë që mendohej se përfaqësonin.

Teksa Rama shihte ngjarjet nga televizori i shtëpisë së tij bashkë me djalin 17-muajsh, Zahon, një tjetër baba i ri ishte i zënë duke udhëhequr gjërat në fushën e lojës.

Cana u bë baba pak ditë më parë, gjë që mund ta ketë ndihmuar të praktikojë pak mungesën e gjumit, pas festës së të dielës.

“Nuk kemi fjetur fare”, konfirmon Cana duke qeshur. “Kam patur një karrierë të pasur, kam luajtur për Paris Saint-Germain në Francë, Lacion në Itali dhe në Premier League gjithashtu – por ekipi kombëtar është special. Kur e vesh atë fanelë, ke peshën e kombit dhe të gjithë njerëzve mbi vete dhe kur arrin një gjë të tillë, është një prej momenteve më të mrekullueshëm”.

Shqipëria, e cila përfundoi e dyta në grup, arriti një kualifikim të vështirë, sidomos pasi i duhej të luante dy ndeshje kundër Serbisë.

5E para në tetor 2014, që u zhvillua në Beograd, u braktis pas 41 minutash, pasi një dron që mbante një flamur me hartën e “Shqipërisë së Madhe” fluturoi mbi stadium.

Lojtarët e Shqipërisë u larguan nga fusha në kërkim të një vendi të sigurtë, teksa sulmoheshin prej tifozëve dhe rojeve të sigurisë përpara se të refuzonin të dilnin sërish, duke shkaktuar braktisjen e ndeshjes.

UEFA vendosi që ndeshja duhej t’i jepej 3-0 në tavolinë Serbisë, por më pas ia hoqi tre pikët vendit organizator. Të dy federatat u gjobitën me 126 410 dollarë dhe Serbia u detyrua të luajë dy ndeshjet e radhës me dyer të mbyllura.

Javën që kaloi, dy skuadrat u takuan sërish, këtë herë në ELbasan, ku Serbia shënoi dy gola në kohën shtesë, duke fituar 2-0, ndërkohë që Shqipërisë i nevojitej të fitonte ndeshjen në Armeni për të siguruar kualifikimin.

“Ishte shumë e vështirë pas Serbisë”, tha Cana. “Ne punuam me trainerin për të ndërtuar një frymë patriotike dhe luftarake. Disa njerëz u zhgënjyen me rezultatin dhe ndoshta u trembën se mos humbnim ëndrrën e kualifikimit – kishin pak frikë. Por ndihma e vendit, e institucioneve dhe kryeministrit ishte shumë e rëndësishme”.

Ndërkohë që Rama nuk e ka problem të thotë se është më shumë tifoz basketbolli se sa futbolli, kapitulli më i fundit në sukseset sportivë të vendit të tij ka lënë një mbresë që do të zgjasë. “Ky ekip ka bashkuar shqiptarët”, tha Rama. “Ky është një shans i madh për ekipin, që t’u tregojë të gjithëve për Shqipërinë, sepse futbolli është një magnet i madh. Ne nuk e kemi menduar kurrë që kjo do të ishte e mundur – nuk ndodh përditë. I gjithë vendi është krenar për ta”. /Bota.al

7

Leave a Reply

Back to top button