Teknologji

Diktatura e Internetit

diktatura e internetitIdeologjia e uebit është totalitare. Na bën të besojmë në zgjidhje të thjeshtësuara. Të diktuara prej algoritmeve dhe të miratuara pa ekzaminimin e kritikës. Teza e një guruje

Ideja themelore e inovatorëve të Sillicon Valley dhe e intelektualëve që u bëjnë interpretimin, është që teknologjia shërben për të na bërë më të mirë, dhe ajo nuk mund të mos na bëjë më të mirë. Pavarësisht kompleksitetit, problemet mund të zgjidhen gjithmonë, në një numër të fundëm hapash, me një algoritëm. Qoftë kur bëhet fjalë për obezitetin apo pagjumësinë, për mangësitë e kujtesës apo demokracinë, për një gatim prej shefi kuzhine për një darkë romantike apo reduktimin e krimit, ka gjithmonë një përgjigje.
Dhe në qendër të cdo përgjigjeje është gjithmonë “Interneti”, shkruan politologu me origjinë bjelloruse Evgeny Morozov në librin e tij të ri (“Për të shpëtuar gjithcka, kliko këtu”). Apo më mirë, një version i tij i idealizuar që redukton një kompleks teknologjish dhe strukturash fikse, rezultat i kompromiseve dhe betejave politike, në një njësi të pandryshueshme dhe të pandashme, fati i të cilës është domosdoshmërisht udhëheqja e njeriut dhe shoqërisë njerëzore. Një Moloch i pajisur me ligjet e veta, të lidhur me ata të natyrës, dhe fjalët kyce të të cilit janë transparenca, hapja, ndarja, pjesëmarrja, cndërmjetësimi.
Pasi ka quajtur ideologjinë e parë (ka gjithmonë një përgjigje të saktë) “solucionizëm” dhe të dytën (Rrjeti është gjithmonë përgjigja) “internet-centrizëm”, Morozov tregon se tani edhe ato dogma në dukje të padëmshme duhet të vihen në diskutim. Sepse, në raste të caktuar “mund ta reduktojmë procesin demokratik deri në trillim”, shkruan ai. Dhe gara për t’i shfrytëzuar në maksimum për drejtimin e jetës publike apo të jetës sonë të përditshme private mund të rezultojë “me kosto të papërballueshme në terma afatgjatë”.
Cmimi, argumenton Morozov, është asgjë më pak se sa vetë humaniteti ynë. Sepse në qendër të prirjes së dy ideologjive që na ndalojnë të kemi një histori të mirë të teknologjisë, dhe mbi të gjitha ta përdorim sa më mirë për të nxitur reforma reale dhe jo fasada, është një vullnet për përsosmëri që të frikëson, mbi të gjitha është mungesa e frymës kritike me të cilën përballohet. “Mungesa e përsosmërisë, dykuptimësia, paqartësia, crregullimi dhe mundësia për të gabuar, mëkatuar janë pjesë thelbësore e natyrës njerëzore”, thuhet në libër, dhe cdo përpjekje për të eleminuar këto, e asgjëson atë. Si përmes utopisë së një qeverisjeje të popullit përmes “rrjetit”, ashtu edhe duke matur në mënyrë obsesive të gjithë jetën tonë për ta korrigjuar, risku është aktual, sepse flitet për projekte dhe fenomene që janë duke ndodhur. Dhe opinioni publik nuk e ka të qartë që “një mjedis social përsosmërisht i kontrolluar” do ta bënte në fund “mospajtimin jo vetëm të pamundur, por edhe të pamendueshëm”.
Për këtë arsye Morozov në faqet e fundit shkruan se paralajmërimi i librit është në të vërtetë një elozh për mospërsosmërinë: “Me pak fjalë, ky libër thotë që e përsosura është armike e të mirës, që ndonjëherë e mira është “mjaftueshëm e mirë” dhe që, pavarësisht se cfarë instrumenti kemi në duar, këta dy pohime qëndrojnë”. Një kritikë e ashpër por e argumentuar përmes një përdorimi jashtëzakonisht rastësor të historisë së mendimit, që përfshin të gjithë emrat e mëdhenj të reflektimit mbi teknologjinë: nga Jonathan Zittrain dhe Jeff Jarvis, tek Clay Shirky dhe Steven Johnson. Dhe që nuk kursen deklaratat dhe qëndrimet e Mark Zuckerberg dhe Eric Schmidt.
Për ta thënë troc, nuk është gjithmonë e qartë marrëdhënia mes dy ideologjive të detajuara në libër. Autori bie dakord: “Por në thelb”, shpjegon Morozov, “është shumë e thjeshtë: qasja jonë kundrejt internetit – sidomos ideja që rrjeti është unik dhe i përkryer – u lejon shumë ideve “solucioniste” që të ecin përpara pa asnjë lloj ekzaminimi kritik”. Morozov thotë se është koha të përqafojmë një “qasje postInternet”, që shkon përtej retorikës së uebit të lirë dhe që të zgjerojë reflektimin për absurditetin e revolucioneve të bërë me “goditje” tweet-esh në brendësi të spektrit të politikës. Duke dyshuar gjithmonë se cfarë pasojash kanë veprime në dukje të padëmshëm si përdorimi i open data për të luftuar krimin, pozicionimi i sensorëve të njohjes në parkime publikë apo joshja e abstenuesve për të votuar duke i kompensuar me “badge” apo cmime të tjerë të tipit Foursquare.
E gjithë kjo është e mundur vetëm duke “dokumentuar se si këto teknologji prodhohen, dhe cilët zëra apo ideologji bëhen që të heshtin në prodhimin dhe përhapjen e tyre”; dhe duke treguar se si, shumë shpesh, reflektimi që duhet të na i shpjegojë këto teknologji, i ngjan një justifikimi komod për kompanitë publicitare që duan të transformojnë qytetarin në konsumator – dhe në emër të të mirës kolektive, jo të tyres.
Pasi hapen sytë para konkretësisë së historisë, zbulohet se nuk ka asgjë unike apo “revolucion dixhital” në epokën tonë. Dhe që konservatorët e vërtetë janë në Silicon Valley, që është djepi i atij mendimi. “Zgjidhjet e tyre janë thjeshtë përshtatje”, shpjegon Morozov, “që përfundojnë duke nxitur reforma me frymëmarje të shkurtër, regresive”. Për këtë arsye pak rëndësi ka që “shumë inovatorë vetëquhen liberal”: nëse teknologjia bëhet zgjidhësja jonë e problemeve për definicion, nëse ai që vendos është një algoritëm për të cilin kemi mësuar të mos i kërkojmë raportin, apo që kemi harruar se është shkruajtur prej qenieve me mish dhe gjak “përfundojmë duke pranuar norma që në fakt duhej t’i nënshtroheshin këqyrjes dhe kritikës së vazhdueshme”.
Por, “nënshtrimi ndaj asaj që do interneti”, për të parafrazuar Kevin Kellyn, zëvendësohet me një prioritet të rinovuar ndaj filozofisë morale. Në fakt, duhet kuptuar që jo vetëm normat dhe sjelljet njerëzore duhet t’i përulen progresit, por e kundërta; dhe duhet kuptuar përse dhe për cfarë arsyesh, rast pas rasti. Eshtë një frymëzim humanistik që të sjell në mendje “Ti nuk je një pajisje elektronike” të Jaron Lanier, vetëm me një ndjesi urgjence jo të perceptueshme mes faqeve të pionierit të realitetit virtual.
“Eshtë koha për t’u kundërvënë, dhe duhet bërë tani më mirë se sa pas tre vitesh”, pohon Morozov. Ideja që publiku mund të mos jetë gati apo thjeshtë të mos dojë t’ia dijë, nuk e spraps: “Nuk kërkoj që cdo qytetar të pushojë së bëri atë që po bën dhe të fillojë të lexojë Latour”, thotë. “Përkundrazi, shpesh sugjeroj të kundërtën: për shembull, që u duhet deleguar ekspertëve. Por kjo nuk do të thotë të veprojmë sikur të gjithë të ishin idiotë. Po të qe kështu, mund të qeverisej Republika sic donte Platoni’.
Megjithatë, mendimi i formave të reja të totalitarizmit duket se e shqetëson vërtetë autorin. Pavarësisht se librit i mungon ndonjë lloj katastrofizmi, një rrënjë antiutopike përshkon profilin e atyre që janë tashmë teknologji të të përditshmes, që nga “ndarja e të dhënave” në Facebook deri tek aplikacionet e njohjes së fytyrës. Dhe nesër, “augmented reality” apo makinat me vetëngarje të Google.
Morozov na fton që të ndalemi, të mendojmë nëse problemet dhe zgjidhjet që ofron Silicon Valley janë në masën e njeriut apo shumëkombësheve dhe, mbi të gjitha, nëse janë vërtetë probleme. Propozimi për të diskutuar në thellësi gjithcka është pjesërisht utopik dhe mbi të gjitha i papajtueshëm me këto kohë që jetojmë. Por ftesa për të rishikuar vetë themelet e bashkëjetesë sonë teknologjike, duke filluar nga ngritja e pyetjes nëse interneti duhet të zhduket fare për të favorizuar një progres real të qytetërimit njerëzor, është një meritë që do të fusë këtë mendimtar të ri në historinë që me aq zjarr po na kërkon ta respektojmë.

Leave a Reply

Back to top button