Teknologji

“E drejta e harresës”. Google është në pozicion të vështirë

google pozicionQë prej futjes së “të drejtës për harresë” nga Gjykata Evropiane, Google ka shuar 50 link-e që lidhin me enciklopedinë online Wikipedia. Por ende nuk ka kritere të përcaktuara për shuarjen, thotë avokati Thomas Köbrich.
DW: Në maj 2014 Gjykata Evropiane shqiptoi një vendim me të cilin faktikisht vendosi një „të drejtë për t‘u harruar“ në interent. Kështu tani çdo person mund të kërkojnë nga Google që rezultate të caktuara në listën e kërkimit për atë vetë të mos shfaqen më. Për shumë vetë kjo tingëllon si censurë. Cili është vlerësimi juaj për këtë?
Thomas Köbrich: Fillimisht duhet thënë se vendimi është shumë i mirë për konsumatorët. Ai i jep secilit të drejtën të ketë kontroll mbi të dhënat e veta. Por që me shpalljen e vendimit, juristët konstatuan se zbatimi nuk do të jetë i lehtë. Shpesh do të përfundojë në një peshim mes interesit publik dhe interesit të personit të prekur. Që ky vendim do të shoqërohej nga diskutime ishte e qartë që në atë moment dhe tani po bëhet gjithnjë e më e qartë pasi Google ka filluar të shuajë link-et e parë.
Google ka shuar ndërkohë 50 link-e me përmbajtje nga Wikipedia. Ndër to edhe një informacion për Renato Vallanzasca, një mafioz dhe vrasës i dënuar shumë herë. Cilat janë kriteret mbi të cilat vendos operatori i makinave të kërkimit?
Pikërisht ky ështe problemi. Nuk ka kritere të përcaktuata që të jenë të shkruara diku. Në disa raste është megjithatë relativisht e qartë se të prekurit kanë të drejtë për shuarjen e një përmbajtjeje. Për shembull atëherë kur dikush ka vjedhur në moshë të re dhe kjo e dhënë gjendet edhe 15 ose 20 vjet më vonë në internet për shkak të vëmendjes së madhe mediatike që mund të ketë pasur në kohën kur ka ndodhur. Kjo është negative dhe nuk është e mirë për risocializimin.Rastin nga Italia mund ta shpjegoj vetëm me atë që kur është bërë kërkesa për shuarje, nuk janë paraqitur që të gjitha informacionet. Google është ajo që vendos se sa intensivisht kontrollohen link-et.
Operatorët e enciklopedisë online Wikipedia flasin për një censurë të papranueshme. Njerëzit nuk kanë vetëm të drejtën për harresë por edhe për kujtesë. Shumë informacione janë një pjesë historie dhe aksesi te ato një e drejtë humanitare. A është kjo e saktë?
Parimisht është e saktë por gjithnjë duhet ngritur pyetja se cilat janë vërtet informacionet relevante. Rasti i rrëzimit të Murit të Berlinit për shembull është relevant dhe i rëndësishëm. Rasti që u bë shkak për procesin në Gjykatën Evropiane nuk ishte i tillë. Një spanjoll nuk pranonte që emri i tij të shfaqej në Google në lidhje me një procedurë përmbarimi.
Sa të larta janë shanset që unë të arrij të shuaj një informacion për veten time?
Kjo varet nga rasti konkret dhe nga ajo se sa i madh është interesi i publikut për këtë. Vetëm përmes përcaktimeve ligjore në fund do të krijohen kritere të besueshme. Por kjo mund të zgjasë muaj e madje edhe vite. Veç kësaj deri në fund të vitit duhet të miratohet edhe urdhëresa për mbrojtjen e të dhënave. Mendoj se kështu ligji për harresën mund të merrte një formë të re ligjore.
Thomas Köbrich është avokat për të drejtën e medieve, autorit dhe mbrojtjes së të dhënave. Që prej vitit 2014 ai punon për zyrën avokatore Wilde, Beuger dhe Solmecke në Köln.
Linku: http://www.dw.de/k%C3%B6brich-google-ka-pozicion-t%C3%AB-v%C3%ABshtir%C3%AB/a-17843496

Leave a Reply

Back to top button