Teknologji

Emigranti shqiptar zgjohet nga koma dhe sjell në jetë “Rippr”

emigrantiShpikësi i platformës së parë dixhitale në botë që bashkon në grupe konsumatorët besnike, rreth shitësve të vegjël dhe të mesëm, pa pasur nevojë që këta të ulin çmimet e mallrave dhe pa shtuar karta të tjera në kuletat e konsumatorëve

Luela Myftari

Pas një aksidenti me motor, Enisi ra për 48 orë në koma. Biznesmeni nga Aukland, por i lindur në Tiranë, ka sjellë në jetë një portal tjetër komunikimi e shkëmbimi, të quajtur “Rippr”, që në shqip do të thotë e hareshme, e këndshme, fantastike. Kjo e fundit është skema më e re e komunikimit mes shitësve dhe blerësve në të gjithë botën. Enis Bacova, në fakt ka qenë pronari i një restoranti në Zelandën e Re, por pas aksidentit me motor dhe pas zgjimit nga koma ai arriti të sillte në jetë platformën “Rippr”. Ka qenë një udhëtim në vendlindje, në Shqipëri, çasti kur ai është aksidentuar. Ishte duke ecur me rreth 100 kilometra në orë dhe përfundoi 48 orë në koma. Gjashtë muajt e rikuperimit ishin ato që e bënë të skiconte platformën e re “Rippr”-it. Sikurse premtoi, “Rippr” më 9 Qershor të këtij viti lançoi versionin e ri, i cili ka shumë më tepër funksionalitete, operon më shpejt dhe është më “cool”, siç preferon të thotë Enisi. Së shpejti, zhvillimi do të pasohet me aplikacionet në Google Play dhe Apple Store. Për të njohur më tepër rreth kësaj sipërmarrjeje ne patëm mundësi të shkëpusim Enisin për pak minuta ekskluzive për “Shekullin”. Përtej gjithë kohës së zënë, ai pranoi të na rrëfente një pjesë të jetës së tij.

 

Enis, çfarë është realisht “Rippr”?

 

“Rippr” është një “Platformë Besnikërie Konsumi”, e cila ndihmon shitësit e vegjël dhe të mesëm të rrisin sasinë, ose e thënë ndryshe xhiron e shitjes duke krijuar, ruajtur dhe shtuar numrin e grupit besnik të konsumatorëve, të cilët blejnë më shpesh dhe më tepër prej tyre. Kjo si rrjedhojë e mundësisë që, platforma ju ofron (shitësve) të shpërblejnë konsumatorët me kredi në dyqanet e tyre, t’i komunikojnë konsumatorëve individualisht jashtë dyqanit oferta të dedikuara bazuar në preferencat e këtyre të fundit. Këto preferenca, platforma “Rippr” ua mundëson shitësve t’i dokumentojnë dhe analizojnë në formë dixhitale, dhe po ashtu nga ana tjetër si rrjedhojë e lidhjeve, komunikimit dhe rekomandimeve që konsumatorët bëjnë mes njëritjetrit, sepse përveç prodhimeve dhe shërbimit fantastik që biznesi ofron, sa më tepër biznesi shet këtë javë, aq më tepër kredi në dyqan fiton secili konsumator (e vlefshme prej javës tjetër).

Si lindi ideja për këtë portal social?

Faktori social i “Rippr” nuk është i modelit Whatsapp apo Viber. Ana sociale e “Rippr” është e bazuar në bashkimin e konsumatorëve rreth bizneseve më të mira të cilat i identifikojnë, trajtojnë dhe shpërblejnë këta konsumatorë si komunitet sa herë që këta blejnë prej tyre. “Rippr” është një për të gjithë dhe të gjithë për një në konsum. Si rrjedhojë monedha në xhepin e konsumatorit të komunitetit “Rippr” vlen/blen më tepër se e njëjta monedhë e atij që nuk i takon komunitetit. Me “Rippr” fitojnë edhe shitësit edhe konsumatorët. Ideja lindi e bazuar në aksiomën “Shpërblimi i takon grupit anëtar i të cilit jam dhe unë”. Një novacion në shërbim të shumëkujt.

Dhe cila është pjesa më me vlerë e “Rippr”?

“Rippr” i “ngjit” konsumatorët te dyqanet e abonuara për faktin e thjeshtë se, konsumatorët mund t’i përdorin kreditë vetëm në dyqanin që ua ka dhënë ato e për këtë arsye “detyrohen” të kthehen e të blejnë në të njëjtin vend. Shitësit nuk kanë më nevojë që të ofrojnë skonto vetëm për të tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. Nëpërmjet “Rippr”, shitësit japin kredi në dyqan, ndërkohë që mallrat gjithmonë shiten me çmim të plotë. Edhe kredia përdoret në bazë të çmimit aktual. Nga ana tjetër, konsumatorët nuk kanë nevojë të mbajnë karta pa mbarim në kuletat e tyre, as nuk kanë nevojë të plotësojnë forma regjistrimi të panumërta. E thënë shqip është opozita e “veresies”.

Ishte i vështirë realizimi i projektit që kishit në kokë?

Vështirësia qëndron në kristalizimin e idesë në kokë. Në të kuptuarin e tre gjërave: 1- Cilit biznes i përket? 2- Kush janë klientët e tu? 3- Pse në botë ata duhet të blejnë prej teje? Vështirësia po ashtu ka të bëjë edhe me kapërcimin e ‘paranojës’ obobo dikush do të ma kopjoje, shhhh mos ia trego të tjerëve. Po ashtu vështirë është të krijosh rreth vetes një skuadër, e cila nuk ka motivim parësor fitimin financiar, por është e motivuar dhe ka të njëjtin vizion. E vështirë është edhe të marrësh vendime të prera në çaste kritike, të besosh pa paragjykime, por në të njëjtën kohë të mbrosh atë çfarë është ndërtuar. E vështirë është t’u tregosh të tjerëve që duhet të mendojnë ndryshe. Projekti “Rippr” ka treguar vetëm majën e ajzbergut. Ai vazhdon të evulojë edhe tani që po flasim…

Shekulli online

Leave a Reply

Back to top button