Sport

EURO 2016 / Rikthimi i mbretërve

Screen Shot 2016-06-02 at 11.38.39

Cesc Fabregas rrëfen se si reaguan yjet e Spanjës pas poshtërimit në Kupën e Botës 2014 dhe si kanë në plan të rikthehen

Cili ka qenë reagimi në ekipin e Spanjës, pas zhgënjimit në Kupën e Botës?

Reagimi ka qenë i mirë: ne luajtëm mirë dhe fituam çdo ndeshje në eleminatoret e Europianit, përveç asaj kundër Sllovakisë, ku humbëm 2-1. Kemi humbur disa lojtarë për shkak të tërheqjes nga kombëtarja, por tani është koha që futbollistët tanë më të rinj të tregojnë që janë edhe ata shumë të rëndësishëm. Këtë herë kemi një grup më të ri në moshë, me cilësi fantastike, dhe jam i sigurtë që do të ecim shumë mirë në Euro 2016.

Çfarë shkoi keq në Brazil?

Vetëbesimi është shumë i rëndësishëm në futboll. Ne luajtëm kundër Holandës në ndeshjen e parë dhe humbëm 5-1, por në pjesën e parë kryesonim 1-0 dhe David Silva doli vetëm për vetëm me portierin e tyre. Nëse ai do shënonte, ndoshta do e kishim fituar ndeshjen. Niveli i vetëbesimit do të kish qenë krejt ndryshe. Por ne humbëm shansin dhe ata barazuan shumë shpejt, përmes Van Persiet. Në pjesën e dytë ishin shumë më mirë se ne. Kjo tregon se futbolli varet shumë prej momenteve të mëdha, por edhe prej vetëbesimit.

Atëherë, a ndien ekipi se këtë herë duhet të provojë diçka, të ringrihet?

Në futboll gjithmonë ke diçka për të provuar. Në çdo ndeshje, në çdo seancë stërvitore, duhet të jesh gjithmonë më mirë, individualisht dhe si kolektiv. Ndoshta jemi në një moment kur askush nuk e di se çfarë të presë nga Spanja. Ne jemi një grup më i ri, sepse gjashtë apo shtatë lojtarë e kanë turneun e tyre të parë. Por ekipi është shumë i mirë, shumë konkurues, dhe kemi një trainer shumë të mirë. Mendoj se do ecim mirë në Francë.

Me kaq shumë të rinj në skuadër, a ka patur ndryshim të taktikës?

Ne mendojmë se ka vetëm një sistem që i shkon përsosmërisht për shtat mënyrën si duam të luajmë, dhe ai është 4-3-3. Ky nuk ka ndryshuar. Në momente të caktuara mund ta ndryshosh në 4-4-2 apo të luash me lojtarët e krahut më lart në fushë. Traineri del Bosque mund të dojë që Iniesta apo Isco të luajnë më brenda. Varet nga situata e lojës dhe kundërshtari në secilën ndeshje, por ne luajmë kryesisht me sistemin 4-3-3.

Sa i kënaqur jeni që shkoni në këtë turne si një prej lojtarëve me më shumë eksperiencë, pasi keni qenë aty gjatë dominimit ndërkombëtar të Spanjës?

Jam ndjerë gjithmonë i rëndësishëm për kombëtaren, që kur jam thirrur në skuadër kur isha vetëm 18 vjeç. Ka qenë një karrierë fantastike për mua – por nuk ka mbaruar. E vërtetë që jam një prej lojtarëve me moshë më të madhe si dhe një prej atyre me më shumë përvojë, kështu që do të jetë interesante. Le të shpresojmë që do të marrim në shtëpi Kupën, për të tretën herë radhaz./FourFourTwo – bota.al

Leave a Reply

Back to top button