Sport

Futbolli, opiumi i ri i masave

José Luis Garcés González*

soccerNë fillim, futbolli luhej me gurë. Që në krye të herës, ishte një lojë për t’u argëtuar, si dhe pak si një garë shpellarësh. Më pas, erdhën taktikat dhe strategjia. Më vonë u bë art, tregti, dhe një pushtim. Sot ai kontrollon një pjesë shumë të madhe të shoqërisë, duke e “vërtitur” atë sa andej, këndej.
Futbolli është bërë reflektim i stileve të jetesës, dhe shpesh herë thuhet se është opiumi i ri i masave. Eshtë shndërruar në një matës të pasivitetit apo agresivitetit të njerëzve, ndjenjës së tyre të inovacionit apo konservatorizmit. E përdorim si një mjet identifikimi personal. Skuadra është bërë si një lloj atdheu, një lloj shpirti, diçka që na jep ato fitore që jeta nuk mundet të na i japë. Eshtë dhunë e shprehur, ose e shtypur. Për hidhërimin e tifozëve dhe dëmin e shoqërisë, humbjet e saj amplifikojnë fatkeqësitë e vogla të jetëve tona të përditshme.
Në shumë shoqëri, futbolli ka prirjen të zëvendësojë gjithçka, duke lënë mënjanë propozime politikë, besime fetarë, lidhje familjare, probleme ekonomike dhe padrejtësi sociale. Ai përfaqëson besimin, mëmën e gjithë pasioneve, dhe me një fjalë, ideologjinë. Ndoshta vetëm dashuria mund t’ia kalojë atij në nivel personal. Eshtë pushteti i pestë – apo mos është i katërti?
Ajo që homo sapiens-ët në lëvizje e krijuan si lojë, tashmë është shndërruar shumë gjëra bashkë, duke përfshirë dhe një cështje ligji dhe rendi. Kur skuadra humbet, njerëzit ndihen të lënduar dhe bëhen agresivë. Ndodhin grindje, plagosje, vdekje. Ndonjëherë, edhe kur nuk humbet mund të kesh pasoja të tilla. Madje, mund të ndodhë edhe pas një fitoreje që e ke pritur me aq dëshirë.
Mbaj mend fitoren e Kolumbisë 5-0 kundër Argjentinës në vitin 1993. 80 vetë gjetën vdekjen në festimet që pasuan. A mund të jetë ky i vetmi vend ku triumfi shndërrohet një ftesë për në mbretërinë e vdekjes? Quajeni apoteoza e shpirtit të trazuar apo trupit të tëhuajësuar, një rikthim në barbarizëm, me fitoren si justifikim. Ku është logjika?
Bisha fle brenda zemrës së njeriut dhe qoftë edhe motivi më jologjik mund të lëshojë këtë zemërim të fjetur. Shkrimtari Gesualdo Bufalino i ka shpjeguar disa lloje sjelljesh duke vërejtur se varësia prej vuajtjes i shtyn njerëzit që t’i jetojnë edhe ngjarjet fatlume si teprime të panatyrshëm. Dhe kështu, një ngjarje që duhet të sjellë lumturi, paradoksalisht të çon drejt tragjedisë.
Fushëbeteja e re
Siç është demonstruar, publiku nuk është i interesuar tek loja, por tek fitorja, ku sheh një formë të vërtetueshme vetë-afirmimi, si individ apo si komb. Parë kështu, futbolli shndërrohet në pothuajse luftë.
Gjë që të bën të reflektosh se, duke lëshuar një farë agresiviteti, futbolli ka provokuar një luftë (mes Hondurasit dhe El Salvadorit) dhe ka ndihmuar për të shmangur shumë të tjera. Në një rast ka patur një efekt zbutës – si në vitin 1978, duke i dhënë juntës argjentinase një “lustër” tolerance dhe duke e shkëputur, të paktën për momentin, prej krimeve dhe zhdukjeve që po ndodhnin në Argjentinë.
Ndërkohë, siç thotë traineri i Kolumbisë Carlos Restrepo, në futboll “realiteti i vetëm janë 90 minutat”, loja ka krijuar gjithashtu një monstër, tentakulat e të cilës janë shtrirë gjatë e gjerë në shoqëri. Miliarda dollarë qarkullojnë në një botë të globalizuar. Ai influencon ekonominë, psikologjinë, antropologjinë, politikën, filozofinë dhe madje edhe letërsinë.
Shkrimtarë të mëdhenj kanë shkruajtur për futbollin. Disa e shohin si eksponent të kulturës postmoderne, ndërsa të tjerë si Umberto Eco, e quajnë sportin, e si pasojë futbollin, “zëvendësuesin më të kollajtë për debatin politik”.
Tani teknologjia të mundëson që një ndeshje që luhet në Kinë apo në Berlin, mund të shihet apo dëgjohet njëkohësisht në një qytet të vogël kolumbian. Fshati global është shndërruar në një fushë globale me një audiencë globale. Shikoni të rinjtë tanë, me fanela të Realit të Madridit, Barcelonës apo River Plate-t përveç atyre të skuadrave lokale.
Ashtu si tregtia e drogës, futbolli përfshin të gjithë trupin shoqëror. Në të vërtetë, emblema kombëtare nuk është më një flamur, apo himn – por një skuadër futbolli. Gjaku i heronjve dhe vlera e të lashtëve tanë është shndërruar sot në një top futbolli. I rrumbullakët, ashtu si bota që po dominon. (El Espectador)
*González është shkrimtar dhe profesor në Universitetin e Cordobas

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button