Analiza

Hakmarrja e Monica Lewinskyt

hakmarrja e lewinskytEshtë rikthyer e vendosur të thotë të vërtetën e saj, të ndryshojë më në fund historinë, si dhe të hedhë tutje poshtërimin të cilit i mbijetoi me heshtjen e frikës, e gatshme t’i vërë një strekëmbësh Hillary Clintonit në garën për Shtëpinë e Bardhë.

Monica Lewinsky rihap një prej faqeve më të diskutueshme të historisë amerikane, me një artikull të botuar nga “Vanity Fair”, dhe thyen një heshtje njëdekadëshe. “Kush thotë që Clintonët më paguan që të mos flas, apo që dikush më kërcënoi të mbyll gojën, nuk ka qenë kurrë kaq larg nga realiteti”, thotë ish stazhierja e Shtëpisë së Bardhë, me të cilën Bill Clintoni pati një marrëdhënie të fshehtë në mesin e viteve nëntëdhjetë, që pothuajse shkaktoi “impeachment”-in. “Ishte një marrëdhënie absolutisht konsensuale”, thotë Lewinsky, sot 40-vjeçare. Sigurisht, shefi im përfitoi nga unë, por dua të jem e qartë: bëhej fjalë për një marrëdhënie mes dy të rriturish të vetëdijshëm. Abuzimet erdhën më vonë, kur deshën të më bënin mua kurban, për të mbrojtur pozicionin e tij”.

Dhe pikërisht frika se mos dëmtonte pushtetin e detyroi Monicën që të mos hapë gojë. “Deri tani kam qenë e trembur, por tani jam e gatshme të ndryshoj finalen e historisë sime, sado që të më kushtojë, dhe këtë do ta mësoj shumë shpejt”.

Fjalë që qëndrojnë si një shpatë Demokleu mbi projektin e një rikthimi të Cilntonit në Shtëpinë e Bardhë, por këtë herë si protagoniste, pikërisht në momentin kur sondazhet dhe donacionet i japin më shumë dritë se kurrë yllit të saj politik. Artikulli me titullin “Turp dhe mbijetesë”, nga i cili janë botuar vetëm disa pjesë (versioni integral del nesër) ripërshkruan jetën e Monicës pas SexGate: “Kam refuzuar oferta prej dhjetë milionë dollarësh, nuk besoja se ishte gjëja e duhur për t’u bërë. U transferua në Londër për të kryer Masterin për psikologji sociale, më tej në Los Angeles, New York dhe Oregon. Që nga viti 2005 mbyllet në një heshtje hermetike në kërkim të një jete të re, por në bisedimet për punë “pas një kurioziteti fillestar, nuk rezultoja asnjëherë e përshtatshme”, ka thënë Lewinsky. “Më thoshin që i kisha letrat në rregull, por në rast se do të kishim evente publikë, media do të vinte aty vetëm për mua”. Njolla i mbeti e pashlyer që nga viti 1998, kur shpërtheu skandali. “Jo vetëm isha njeriu më i poshtëruar në botë, por falë “Drudge Report” kam qenë edhe personi i parë që është poshtëruar globalisht në internet”.

Refuzon etiketimin “e çmendur narciziste”, që ka përdorur Hillary Clinton në një prej shfryrjeve të saj me Diane Blaire, madje hidhet dhe në kundërsulm. “Zonja Clinton është shprehur se ndihej fajtore për marrëdhënien mes meje dhe Billit, duke qenë se ishte treguar neglizhente emocionalisht. Dhe dukej sikur e kishte falur. Mendoj se impulsi për të akuzuar gruan, jo vetëm mua, por edhe atë vetë, është shqetësues”. Thotë se ka ardhur momenti që të “djegë kapelen dhe të groposë një herë e mirë veshjen ngjyrë blu”, dy elementë përcaktues të përdorur nga akuza kundër Billit. Thotë se ajo që e shtyu të flasë ishte vetëvrasja e një miku të universitetit, i cili ishte kapur teksa puthej me një djalë në fshehtësi. “Tani objektivi im është të ndihmoj viktimat e poshtërimeve dhe ngacmimeve online. Dhe të filloj të flas për këtë argument në cdo aktivitet publik”.

Leave a Reply

Back to top button