MagazineMAIN

INTERVISTA / Shqipëria ndodhet në Evropë dhe duhet të mësohet të sillet si pjesë e familjes

Intervistë me politologun, Drejtor Ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike, Z. Afrim Krasniqi.

Z. Krasniqi, Shqipëria tashmë ka zhvilluar konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapja e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian është realitet. Një rrugëtim i gjatë dhe i lodhshëm, padyshim për shqiptarët, të cilëve busulla në tre dekada u ka treguar vazhdimisht Evropën. Çfarë përfaqëson sipas jush, ky stacion i ri në rrugën e integrimit?

Krasniqi: Vendimi i fundit i BE lidhur me Shqipërinë merr rëndësi më shumë nga fakti se konfirmoi rikthimin e interesit të Perëndimit në vendet e Ballkanit Perëndimor sesa nga impakti politik i aktit. Shqipëria i kishte plotësuar kushtet minimale disa vite më parë, tre raporte të progresit të Komisionit Evropian rekomanduan nisjen e bisedimeve por kriza brenda BE, veto ndaj Maqedonisë së Veriut dhe paqartësia rreth strategjisë së zgjerimit e vonuan vendimmarrjen. Teza se përgjegjësia e vonesës është në Bruksel dhe jo në Tiranë u bë zyrtare dhe në disa aspekte ishte e saktë. “Ra ky mort dhe u pamë” thotë Kadare, lufta në Ukrainë ndryshoi agjendën, BE u tërhoq nga opsioni i refuzimit të zgjerimit dhe Shqipëria përfitoi nga situata. Nga ana tjetër hapja e bisedimeve do të merrnin vëmendje maksimale në kushtet e një progresi thelbësor të brendshëm, pra kur Shqipëria, përveç stabilitetit politik dhe reformës në drejtësi të kishte edhe standarde më të larta të demokracisë funksionale dhe të jetesës, reforma sektoriale dhe akte konkrete kundër korrupsionit. Shqipëria e vitit 2022 nuk dallon nga ajo e vitit 2019 lidhur me progresin. Ajo i ngjan më shumë nxënësit të vjeshtës, i paracaktuar të kalojë klasën, por njëherësh i lodhur nga pritja, me mungesë entuziazmi, me pretendime e pritshmëri minimale. Mjafton të shohim kurbën e diskursit zyrtar dhe politik në Shqipëri mbi integrimin, nga temë primare më 2013 dhe dytësore më 2017, më 2021 nuk u citua dhe nuk ishte pjesë e ligjërimit elektoral të asnjërës prej partive kryesore. Po ashtu, fakti se mbi BE, metodologjinë e re të zgjerimit, negociatat, bisedimet dhe kapitujt kryesorë nuk ka ende një debat politik të brendshëm është gjithashtu tregues i ndjesisë se politikanët e dinë, procesi do të jetë aq i gjatë sa investimi në këto tema nuk sjell vota elektorale. Nga ana tjetër edhe BE prej disa vitesh ka ndryshuar qasjen, nga natyra frymëzuese për demokraci tek qasja burokratike e stabilokracisë. Gabimisht mendon se stabiliteti mjafton për të shpresuar në progres e demokraci më të mirë, kur tradita, kultura politike dhe vetë historia na tregojnë se Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë jetike për më shumë demokraci për të pasur edhe më shumë stabilitet.

Cilët do të identifikonit si faktorët që sollën këtë vonesë të gjatë, ndokush thotë deri 3-dekadëshe? Kemi edhe ne “kusuret” tona, po a kemi qenë përherë ne shkaktarët e zvarritjes? 

Krasniqi: Ka një keqkuptim të madh me kohën dhe tranzicionin. Slogani “Shqipëria si Evropa” në vitet 1990-1992 ishte më shumë përcaktim i objektivit sesa arritje e tij. Shqipëria nuk kishte trashëgiminë historike, bazën strukturore, elitat politike dhe as rëndësinë gjeopolitike të vendeve ish komuniste të Evropës Qendrore dhe as të vendeve baltike, ndaj nuk mund të kishte progres të njëjtë me to. As me Rumaninë e Bullgarinë, dy vende që u pranuan në standarde kriteresh gati të njëjta me ne. Shqipëria ishte dhe mbetet vendi më i varfër në eurozonë, një vend në emigrim dhe me kriza politike periodike, i brishtë në standardet e demokracisë dhe i ndërvarur nga raportet rajonale, sidomos ato me Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ajo që Shqipëria bëri gabim dhe është përgjegjësia e saj është paaftësia për ta kthyer mbështetjen masive pro perëndimore të qytetarëve në reforma strategjike dhe zhvillim demokratik, si dhe mungesa e vizionit për të përfituar nga momentet e mira të integritetit, periudha pas Dejtonit, fillimi i viteve 2000 apo pas Pavarësisë së Kosovës. Në rrafsh praktik, një vend që kërkon ndërmjetësim nga Brukseli e Uashingtoni për të pasur takim midis qeverisë dhe opozitës, për reforma periodike zgjedhore, për reforma në drejtësi, për reforma në administrimin e territorit etj, do të thotë është një vend që ka dështuar të krijojë institucione funksionale, të besueshme dhe të garancisë. Edhe pas tri dekadash Shqipëria është vend i tillë dhe ky mbetet bilanc zhgënjyes që nuk lidhet detyrimisht me integrimin sa lidhet me premtimin për demokraci funksionale. Zhgënjimi i qytetarëve tek niveli i sotëm i demokracisë është i drejtë, por edhe i keqkuptuar, pasi së pari ne nuk e kemi jetuar ende demokracinë reale për të pasur zhgënjime prej saj dhe së dyti është utopike që të shpresohet se përgjegjësit e tranzicionit të ishin edhe shpëtimtarët tanë. E njëjta me integrimin: në Shqipëria ka gjithnjë një gjysëm shoqërie që ka “frikë” nga suksesi i pushtetit të radhës në raport me integrimin, pasi e di se ky sukses nuk do përdoret për ndryshimin e vendit dhe shoqërisë, por për ta vijuar pushtetin kryesisht personal të radhës.

Në vijim të pyetjes së mëparshme, dihet se ndërkohë që Shqipëria tërhiqte këmbët ngadalë nëpër tranzicionin e vet, Evropa ka kaluar tre momente të rëndësishme zgjerimi. Momente në të cilat, duket se ka qenë më e prirur për të përfshirë në gjirin e vet shtete të ish bllokut komunist, me një të kaluar shumë të ngjashme me Shqipërinë. Përse me ne “e shtrëngoi dorën”?

Krasniqi: Nuk ka pasur diskriminim të BE ndaj Shqipërisë, por ka pasur dhe ka debate e dyshime. BE është një aleancë politike kryesisht e boshtit Paris – Berlin, një aleancë që ndan vlera të njëjta dhe që vjen nga tradita të njëjta. Disa paragjykime lidhur me shtetin, historinë, kulturën politike dhe deri përkatësinë fetare, duhen parë në këtë kontekst dhe nëse i shohim jo si shqiptarë, por si francezë, danezë, holandezë, gjermanë apo britanikë, me siguri shumë prej nesh do mendonin njësoj si ata. BE ka qenë e mbetet donator kryesor në Shqipëri, por nga ana tjetër, BE vetë ka qënë në ndryshim dhe shpesh qasja ndaj Ballkanit ka qenë më shumë ajo e konceptit të zjarrfikësit sesa e konceptit të “big brother”. Dekadën dhe sidomos në krizat e fundit BE është dobësuar akoma më shumë, ndaj qoftë strategjia me metodologjinë e re të zgjerimit apo ajo e një strukture me dy nivele komunitare, janë eksperimente më shumë për të shpëtuar BE-në sesa për të ofruar qasje strategjike afatgjatë për Ballkanin Perëndimor. Elementët e rikthimit të konceptit të kombit, nacionalizmit dhe identitetit shtetëror përballë identitetit të bashkësisë në BE, janë dukshëm prezente dhe vendimmarrëse. Europa harxhoi tri dekada bisedime, traktate e investime për hapje dhe qasje globale brenda saj, por mjaftoi kriza e COVID për të rikthyer kufijtë e muret ndarëse, apo kriza në Ukrainë për të vënë në dyshim të gjitha strategjitë e saj. Në këto rrethana vende si Shqipëria nuk mund të japin leksione reformash në BE dhe as të atakojnë BE-në siç edhe fatkeqësisht ka ndodhur disa herë vitin e fundit, por duhet të mendojnë një strategji të re sjelljeje, komunikimi, prezantimi, pranimi, besueshmërie dhe partneriteti. Shqipëria nuk e ka një strategji e qasje të tillë dhe nuk pritet ta ketë as në vitet në vijim.

Edhe pse shumëkush e ngatërron këtë moment historik si çastin e “hapjes së portave”, ju si politolog dhe analist e dini fort mirë se ky është thjeshtë një stacion i radhës. Sipas mendimit tuaj, si do të vazhdojë ky proces për Shqipërinë, deri në mbërritjen në destinacionin final, që është anëtarësimi i plotë?

Krasniqi: Ka një situate paradoksale, bisedimet u hapën, por askush nuk është në gjendje të flasë mbi dosjen e bisedimeve, mbi burimet tona njerëzore në bisedime, mbi rolin e aktorëve institucionalë e politikë në bisedime dhe mbi potencialin tonë për të kryer bisedime. Shumica e atyre që konsiderohen ekspertë sektorialë, më shumë janë emëruar sesa ka prova të dëshmuara se janë të tillë. Shqipëria ndryshoi kryenegociatorin ditën pas hapjes së bisedimeve, kur në fakt nisnin negociatat, duke e prezantuar procesin si proces teknik, kur në fakt nuk është teknik, por strategjik dhe thellësisht politik. Ekipi negociator do të duhej të ishte konsensual dhe produkt i meritës, zyrtarë me integritet me agjendë të ndryshme nga interesa ditore politike. Modeli kroat apo slloven mbeten pozitiv si referime. Shqipëria është ende larg atyre modeleve. Procesi i bisedimeve, sidomos me metodologjinë e re, e bën më të brishtë shtetin kandidat, forcon veton e vendeve të tjera dhe de facto nuk krijon partneritet, por raportet e njëjta të nxënësit me mësuesin në provim, kalon ose ngel. Nuk ka vend për mik, për lobing apo për slogane, duhen rezultate konkrete, të prekshme, të matshme dhe me impakt në strukturën shtetërore e shoqërore. Qytetarët nuk janë informuar për thellësinë e procesit, as kohëzgjatjen e tij, sfidat dhe as për përgjegjësitë individuale e kolektive. Gabimisht integrimi vijon të shihet si një slogan dhe ndonjë koncert me muzikë tallava krijon imazhin e gabuar se ia kemi arritur. Në fakt, rruga sapo ka nisur, nuk ka vend për tallava. Nga ana tjetër, politikanët kryesorë, të cilët kanë rol thelbësor në proces, e dinëse procesi është i gjatë, kompleks, profesional dhe shumëdimensional, i ndërvarur sa nga aftësia e brendshme, sa nga proceset brenda BE dhe sa nga zhvillimet gjeopolitike, ndaj ata e dinë gjithashtu se mund të mos jenë në politikë ditën kur Shqipëria të mund të pranohet në BE. Për këtë arsye ata nuk shohin motiv personal të reformojnë sistemin e tyre të mendimit e veprimit në fazën e konsumit në karrierën e tyre politike. Ata preferojnë tema të tjera, të shpejta, të thjeshta, që sjellin vota dhe sigurojnë pushtet, pa menduar gjatë për periudhën pas tyre.

Pritshmëritë dhe shpresat e shqiptarëve janë të larta, shpesh herë të tepruara. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë mbi ndërgjegjësimin e tyre për detyrimet. Cili do të ishte mesazhi juaj, mbi atë çfarë duhet të presin nga ky proces, i cili tashmë ka hyrë në një fazë sa të rëndësishme, aq edhe delikate.

Krasniqi: Shqipëria kaloi më shumë se një shekull jetë duke qenë pranë perandorive kryesore të kohës, nga ajo otomane tek austro-hungarezët, nga aleanca me Italinë tek Gjermania në LIIB, nga aleanca me BRSS tek ajo me Kinën, dhe pas vetizolimit, kemi kaluar në mbështetësit kryesorë të aleancës strategjike me SHBA dhe BE. Pavarësisht dhe në çdo rast, Shqipëria ka qenë dhe është e ndikuar nga zhvillimet në pjesën tjetër të Evropës që sot njihet si BE. Instinkti i mbijetesës dhe i nevojës për një “big brother” shfaqet edhe aktualisht, por Shqipëria ka sfidën dhe përgjegjësinë ta tejkalojë atë për të krijuar një identitet të qartë, funksionalitet shoqëror e shtetëror, duke e parë BE-në jo apriori si fuqia e radhës, por si mundësi dhe hapësira e përjetshme e përkatësisë pavarësisht natyrës së organizimit të tij. Shqipëria ndodhet në Evropë dhe duhet të mësojë të sillet si pjesë e familjes. Shteti dhe institucionet, përfshirë media, partitë dhe pjesa akademike, kanë përgjegjësinë të krijojnë një mjedis sa më transparent dhe informues për qytetarët, pa slogane, mite dhe keqkuptime, me sens përgjegjësie dhe synimin për të filluar të mendojmë, veprojmë e marrim vendime bazuar në ato vlera, parime e shtylla funksionale që promovon e jetëson edhe BE. Mision i vështirë, por jo i pamundur.

Kjo intervistë është pjesë e serisë së shkrimeve dhe intervistave “Media dhe Integrimi Europian”, të Institutit Shqiptar të Medias, në kuadrin e Programit të Promovimit të Tranzicionit të Republikës Çeke.

Back to top button