Analiza

KOMENT / Adam Michnik: Ky është fundi i vërtetë i historisë

Adam Michnik*

the russian godfatherPresidenti rus, Vladimir Putin po sillet si një bos i Mafias. Duke pushtuar dhe në fund aneksuar Krimenë, ai i drejtoi armët ruse Ukrainës dhe tha: ose sovranitetin territorial, ose jetën. Deri tani, strategjia e tij ka funksionuar dhe Putini e di.

Në të vërtetë, në fjalimin e tij ku shpallte aneksimin e Krimesë, Putini tha atë që mendonte: regjimi i tij nuk ka frikë nga ndëshkimi dhe do të bëjë si të dëshirojë. Krimea është vetëm hapi i parë drejt realizimit të ëndrrës së tij të ringjalljes së madhështisë së Rusisë.

Fjalimi i tij në Kremlin ishte i mbushur me gënjeshtra dhe manipulime, ndonëse një analizë e hollë do të ishte humbje kohe. Fakti i thjeshtë është që presidenti i një prej vendeve më të fuqishëm të botës i ka hyrë një rruge konfrontimi me të gjithë komunitetin ndërkombëtar. Fjalimi i tij kishte atmosferën e botës paranojake të “Djajve” të Fjodor Dostojevskit, teksa të sillte ndërmend një univers alternativ deluzional – një vend që nuk ekziston dhe që nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Cfarë ka të përbashkët Kosova, ku shqiptarët vuajtën persekutimin dhe spastrimin etnik, me situatën në Krime, populli i të cilës nuk është shtypur asnjëherë prej ukrainasve? Cili është kuptimi i shprehjes së përbuzjes së hapur ndaj qeverisë ukrainase, parlamentit, popullit? Përse duhen quajtur autoritetet ukrainas “fashistë dhe antisemitë”? Tatarët e Krimesë nuk ia vënë veshin përrallave, me fashistët që sundojnë në Ukrainë. Ata janë në gjendje të kujtojnë ende dëbimet brutalë dhe vrastarë në masë të prindërve dhe gjyshërve të tyre, të urdhëruar nga Stalini dhe zbatuar nga NKVD-ja.

Në mendjen e Putinit, e gjithë bota ka diskriminuar Rusinë gjatë tre shekujve të fundit. Despotët gjakatarë rusë – Katerina II, Nikola I apo Stalini – me sa duket nuk kanë diskriminuar asnjëherë, askënd. Putini paralajmëron gjithashtu se “ju dhe ne – rusët dhe ukrainasit – mund ta humbasim tërësisht Krimenë”. Megjithatë, ai nuk specifikon se kush – ndoshta sërish polakët dhe lituanezët? – i kanë sytë tek Sevastopuli?

Sipas Putinit, Rusia nuk mund të lërë popullin e Krimesë “të vetëm në fatin e tij”. Këto fjalë shkaktojnë një buzëqeshje të trishtë. Leonid Brezhnjevi përdori pikërisht këtë frazë në gusht të vitit 1968, për të justifikuar ndërhyrjen e Ushtrisë së Kuqe në Cekosllovaki, për të ndihmuar komunistët ekstremistë atje që të shtypnin Pranverën e Pragës.

“Ne duam që Ukraina të jetë një vend i fortë, sovran dhe i pavarur”, thotë Putini. Stalini tha të njëjtën gjë për Poloninë në vitin 1945. Demokratë të guximshëm rusë që nuk i kanë bërë dot të heshtin, kanë folur tashmë për ngjashmërinë mes apelit të Putinit për solidaritet etnik në aneksimin e Krimesë, dhe qëndrimit të Hitlerit gjatë krizave të Anschluss-ëve dhe Sudetëve në 1938.

Ky është fundi i vërtetë i historisë – historisë së ëndrrave për një botë të qeverisur nga vlerat demokratike dhe ekonomisë së tregut. Nëse bota demokratike nuk e kupton që tani nuk është koha për besim në kompromisin diplomatik, dhe se duhet të reagojë fuqishëm për të ndalur projektet imperialë të Putinit, ngjarjet mund të ndjekin një logjikë shumë të frikshme për t’u mbuluar. Duhet forcë për të ndalur një bandit, dhe jo fjalë të ashpra apo sanksione kozmetike.

E përgëzoj dhe jam krenar për politikën e matur dhe të vendosur të Polonisë si dhe qasjes së publikut të saj. Por duhet të pranojmë se cerekshekulli më i mirë në historinë polake të 400 viteve të fundit është duke marrë fund mu përpara syve tanë. Ka nisur një kohë zhvendosjesh tektonike. Duhet të vlerësojmë atë që kemi arritur – dhe duhet të mësojmë ta mbrojmë.

Bosët e mafias shpesh herë kanë një fat të palumtur, dhe unë nuk mendoj që Putini do të gjejë një fat më të mirë në fund. Fatkeqësisht, shumë njerëz do të lëndohen në ndërkohë, madje edhe ata që tani e mbështesin.

* Adam Michnik ka qenë një prej udhëheqësve të lëvizjes opozitare “Solidariteti” dhe është kryeredaktor i “Gazeta Wyborcza”

Leave a Reply

Back to top button