Teknologji

Lojë virtuale, por makthi është i vërtetë

watchdogsImagjinoni të zgjoheni në mëngjes, t’i hidhni një sy kompjuterit, të bëni një “Like” në Facebook poshtë një videoje simpatike. Pastaj të dilni nga shtëpia dhe të hapni makinën me telekomandë, dhe ndoshta para se të hyni në zyrë të tërhiqni para nga bankomati. Veprime të përditshme por që mund të fshehin gracka shumë serioze. Sepse ndërkohë që klikonit “Like” në rrjetin social, një virus mund të jetë futur në kompjuter. Kur keni hapur makinën, dikush që ndodhet vetëm disa metra larg, me një smartphone të thjeshtë mund të ketë kopjuar kodin e telekomandës, domethënë që do të jetë në gjendje të hapë makinën tënde. Në fund, teksa tërhiqnit paratë, në mënyrë të pavetëdijshme mund t’i keni dërguar të dhënat e lartës hacker-ave që kishin vënë duart më herët në bankomat.

Dhe nuk është gjithçka. Imagjinoni për një çast sikur, po këta hacker-a të paskrupullt, të kenë mundësi që, gjithmonë përmes një celulari, të kontrollojnë një qytet të tërë, që nga ndriçimi tek semaforët, duke kaluar tek telekamerat e vëzhgimit dhe sistemet e sigurisë së shtëpive, bankave dhe dyqaneve. Duket si një film fantashkence, ose më mirë të themi, horror. Për momentin, fatmirësisht është vetëm një lojë elektronike, që quhet “Watchdogs”. E prodhuar nga Ubisoft Montreal dhe e shumëpritur nga të apasionuarit e botës së lojërave, ajo është prezantuar pak ditë më parë në Milano.

Makth virtual

Në lojë tregohen bëmat e Aiden Pearce, hacker profesionist që në kërkim të hakmarrjes, vendos të përdorë kundër armiqve armën e tij më të frikshme: një smartphone. Përmes celularit, Aiden arrin që të komandojë CTOS, sistemin informatik që menaxhon të gjithë qytetin e Chicagos, një prej vendeve më të informatizuar dhe të ndërlidhur në SHBA. Jo vetëm kaq, sepse CTOS është në gjendje që të gjurmojë profilin e cdo qytetari në mënyrë kaq të detajuar, sa është në gjendje të parashikojë edhe kur ky i fundit do të kryejë një krim. Watchdogs na tregon, për herë të parë në një lojë elektronike, se cfarë do të ndodhte nëse dikush do të arrinte të shtinte në dorë instrumentat që duhet të na mbrojnë, duke na i kthyer kundër. Pak a shumë si hakmarrja e robotëve, aq shumë e imagjinuar në librat dhe filmat fantastiko shkencorë.

Në realitetin e sotëm jemi të detyruar t’i bëjmë llogaritë me një rrezik veçanërisht shqetësues, sepse vjen pikërisht nga ata që duhet të na mbrojnë: institucionet. Dhe mendimi shkon natyrshëm tek skandali i Prism, programi i spiunazhit ndërkombëtar i NSA-së.

Privatësia e humbur

Por a duhet të dorëzohemi para faktit që jemi vazhdimisht të spiunuar, që nuk kemi më të drejtë të privatësisë dhe të mos ndihemi të sigurtë? Një prej profesorëve të fushës thotë: “Mbledhja e të dhënave në shkallë të gjerë mund të përdoret edhe në mënyrë virtuoze. Sepse të dhënat mund të mblidhen edhe në formë anonime, dhe mund të shfrytëzohen për të projektuar tendencat”.

Një shembull: duke gjurmuar sinjalet gps të automobilëve, pa i lidhur këta me identitetin e automobilistëve është e mundur të gjendet se si lëvizin njerëzit në raste ngjarjesh të caktuara, si dhe të studiohen zgjidhjet për një plan të mundshëm evakuimi. “Ka një mentalitet spiunazhi”, thotë eksperti. “domethënë: nëse mund të spiunohet, përse të mos e bëjmë? Por kështu shkelet një e drejtë e pakundërshtueshme. Unë mendoj se ky spiunazh teknokratik do të marrë fund dhe e drejta e privatësisë do të rikthehet”.

Kalimi tek ana e errët, ajo e Watchdogs, sipas profesorit është shumë pranë, por i shmangshëm: “Në territorin dixhital duhet të pranojmë riskun që jemi pre e kriminelëve, ashtu sikurse dhe në rrugë ku mund të na sulmojnë dhe grabisin. Duhet zhvilluar një teknologji që të na lejojë të njohim këtë botë dhe të pranojmë risqet, pa na u dashur t’i besojmë një deus ex machina. Teknologjia duhet të centralizohet, duhet ndërtuar përreth njeriut”. Pra, revolta e robotëve mund të presë. /Messaggero/

Bota.al

Leave a Reply

Back to top button