Teknologji

Lufta e ardhshme, me tastiera

lufta chinaNë komandë është gjeneral majori Meng Xuezheng: atashetë e huaj ushtarakë të vendosur në Kinë e quajnë në bisedat e tyre “Dragoi dixhital”. Në këtë aglomerat, me shumë antena satelitore dhe kavo të fibrave optike të gjeneratës së fundit, e ka patur fillimin lufta e re e Mijëvjeçarit të Tretë, e teorizuar tashmë nga strategu kinez Sun Tzu: “Arti i të luftuarit pa luftuar”

Mbasi lë pas trafikun kaotik të Pekinit, çlirohesh nga smogu mbytës i kryeqytetit. Futesh në qetësinë dhe erën e selvive në Parkun e kodrave erëmira, 160 hektarë, 28 kilometra në veriperëndim nga qendra e qytetit, në rrëzë të Maleve Perëndimorë, në lagjen e Haidian. Këtu ndodhet një kompleks i madh zyrash, pa shenja, i mbrojtur mirë me roje të armatosur. Eshtë qendra e Departamentit të Tretë të Ushtrisë popullore, me 130 mijë të punësuar që njohin të paktën një gjuhë të huaj dhe dinë të kriptojnë dhe deshifrojnë çfarëdolloj komunikimi, përveç se të mbikëqyrin hapësirën kibernetike.

Në komandë është gjeneral majori Meng Xuezheng: atashetë e huaj ushtarakë të vendosur në Kinë e quajnë në bisedat e tyre “Dragoi dixhital”. Në këtë aglomerat, me shumë antena satelitore dhe kavo të fibrave optike të gjeneratës së fundit, e ka patur fillimin lufta e re e Mijëvjeçarit të Tretë, e teorizuar tashmë nga strategu kinez Sun Tzu: “Arti i të luftuarit pa luftuar”.

Eshtë lufta kibernetike, me sulme dhe ndërfutje në rrjetet informatikë dhe në serverat e të gjithë botës, që ruajnë sekrete politikë, ushtarakë, por mbi të gjitha ekonomikë. Kundërshtari kryesor janë Shtetet e Bashkuara, me të cilat merret në mënyrë operative Dega e dytë e e Departamentit të Tretë, që i ka zyrat qendrore në Shangai, në lagjen e Pudong, Njësia Nr. 61398 në organigramën e Ushtrisë popullore, me 30 mijë spiunë kibernetikë që, sipas një raporti të kohëve të fundit shumë të detajuar, të kompanisë amerikane që merret me çështje të sigurisë, Mandiant, ka “plaçkitur” prej 2006-ës më shumë se 141 kompani shumëkombëshe amerikane. Por edhe vende europianë, sidomos Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia, kanë përfunduar në shënjestrën e luftëtarëve kibernetikë: zyra e dedikuar Europës dhe Lindjes së Mesme është e teta, me kodin e Njësisë 61046 dhe me zyra në krah të Departamentit të Tretë. Japonia, India, Taivani dhe Korea e Jugut janë në zyrën e katërt, Njësia 61419.

Për Presidentin amerikan, Barack Obama, Dragoi dixhital është kërcënim i madh për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, edhe më shumë se sa terrorizmi i al Kaedës. Pasi mori raportin e të Sigurisë Kombëtare, material i përgatitur nga i gjithë komuniteti i 14 shërbimeve të fshehtë, Obama ka firmosur një direktivë të fshehtë që autorizon gjeneralin Keith Alexander, komandanti i Komandës amerikane të luftës kibernetike, që të “marrë të gjithë masat parandaluese” për të asgjësuar ata armiq që vjedhin sekretet ushtarakë dhe tregtarë me një klikim të thjeshtë. Në Amerikë, dëmi financiar vlerësohet më shumë se sa 100-150 miliardë dollarë. Dëmi potencial i një sulmi ndaj infrastrukturës kritike, naftësjellësve dhe gazsjellësve nuk është i kuantifikueshëm, por është krahasuar me një “Pearl Harbour të dytë”.

National Intelligence Estimate identifikon tre vende të tjerë (Rusia, Izraeli dhe Franca) që janë shumë aktivë në luftën kibernetike, por saktëson se veprimtaria e tyre e spiunazhit informatik është pak gjë krahasuar me “agresivitetin e demonstruar nga Kina”, sidomos që kur, në janar të 2010, Google bëri të ditur se rrjeti i vet ishte kompromentuar dhe që burimi i sulmit ishte Kina. Në atë rast, njëri prej objektivave ishte të siguroheshin adresat e Gmail-it të disidentëve dhe të aktivistëve kinezë të të drejtave të njeriut. Pak kohë më pas, edhe gjigandi i industrisë së Mbrojtjes, Lockheed Martin denoncoi se ishte sulmuar nga Kina dhe pas tij Coca-Cola pësoi një seri vjedhjesh telematike që lidheshin me përpjekjet e saj për të blerë një kompani kineze pijesh.

Më së fundi, New York Times, Wall Street Journal dhe Washington Post kanë komunikuar se rrjetet e tyre ishin dhunuar nga hacker-ë që vepronin në Kinë, në kërkim të email-eve të disa gazetarëve të cilët kishin zbuluar pasuritë e shumta të akumuluara nga familja e Kryeministrit, Uen Jiabao. I përpiktë, si çdo herë, ka qenë përgënjeshtrimi i qeverisë së Pekinit, që akuzon “nostalgjikët e Luftës së Ftohtë për obsesionin për të tërhequr gjithmonë në lojë Kinën”.

Ky lloj i ri loje u intereson edhe vendeve si Italia. Sipas disa qendrave amerikane të sigurisë informatike, në vjeshtën e vitit 2011 pikërisht nga periferia e Pekinit nga Njësia 61046 u depërtua rrjeti italian i universitetit dhe kërkimeve, që lidh 400 qendra mes institucioneve universitarë, laboratorë kërkimesh, biblioteka dhe klinika me specializim të lartë.

Qindra fjalëkalime, email-e, kartela klinike, studime shkencorë dhe profile docentësh janë vjedhur gjatë një operacioni që FBI e ka quajtur “Rrënjë Bizantine”, i cili vuri në shënjestër edhe kompjuterët e Institutit të Teknologjisë në Massachusetts dhe rrjetin e Universiteteve të shtetit të Kalifornisë.

“Kërcënimi është më shumë se serioz”, konfirmon avokati Stefano Mele, një prej ekspertëve më të mëdhenj të sektorit, koordinator i Observatorit të informacionit për luftën kibernetike në institutin e studimeve strategjikë Niccolo Machiavelli. “Duhet të përballet në mënyrë metodike dhe me rreptësi nga këndvështrimi si strategjik, ashtu edhe juridik dhe tekniko-informatik”.

Objektivë potencialë janë faqet e internetit të qeverive dhe të kompanive që menaxhojnë infrastrukturat e telekomunikacionit, të energjisë elektrike, të furnizimit hidrik, të transportit dhe të bankave. Për ajo që tërheq më shumë spiunët që fabrikojnë viruse dhe “kuaj Troje” janë mbi të gjitha agjencitë e mbrojtjes dhe ato që veprojnë në sektorë delikatë, si nanoteknologjia apo materialet specialë.

Armata e kuqe informatike e Kinës nuk shfrytëzon vetëm superteknikë me grada. Në krah të tyre punojnë jo më pak se 150 mijë hacker-a në shërbim të përhershëm, sipas një vlerësimi të FBI.

Vija e kufirit mes ushtarakëve dhe civilëve është e pafiksuar, edhe sepse shumë prej hacker-ëve pa uniformë vijnë nga fakultete që financohen pikërisht prej ushtrisë popullore. Marrim rastin e hacker-it më të njohur, i pikasur kohët e fundit pas një operacioni të përbashkët të SHBA dhe Indisë. Quhet Zhang Change dhe banon në Zhengzhou, kryeqendra e Henan. Nga kërkimet e kryer në motorrët kinezë, Zhang rezulton se është docent i universitetit të inxhinierisë informatike sponsorizuar nga shërbimi i fshehtë i ushtrisë.

Një tjetër hacker shumë aktiv, në mënyrë të vecantë kundër Dalai Lama, Gu Kayuan, është diplomuar në universitetin e Sichuan, edhe ai i financuar nga ushtria popullore. Një tjetër universitet elitar që ka formuar shumë James Bond-e dixhitalë është Jiaotong në Shangai, me 33 mijë studentë që janë në konkurrencë të përjetshme me Harvardin dhe Stanfordin në të ashtuquajturën “betejë e trurit”.

Në një pamflet gjysmëklandestin, i botuar në Amerikë nga Scott Henderson i cili ka punuar për Ushtrinë e SHBA, gjen radiografinë më të përpiktë të botës së shumëllojshme të hacker-ëve kinezë, të quajtur edhe “vizitorë të errët”. Lëvizja e parë ka nisur që në vitin 1997 dhe ajo quhej “ushtria e gjelbër”, me 3 mijë të punësuar që kishin si udhëheqës Gong Vei, i njohur më mirë në botën e internetit si “Goodwell”. Ushtrisë së gjelbër iu bashkua “aleanca e hacker-ëve të kuq”, me qëllime më nacionalistë dhe me një kundërshtar unik: Taivanin. Vetëm në vitin 2000 piratët kinezë kuptuan se me zotësinë e tyre mund edhe të bënin para duke shitur sekretet ushtarakë tek ofertuesit më të mirë. Eshtë e njëjta gjë që bëjnë edhe kriminelët rusë të kibernetikës. Por kthesa e vërtetë ndodhi në vitin 2005, kur me mijëra hacker-ë, që ndërkohë kishin përftuar në universitete një dozë të mirë patriotizmi, u kooptuan prej ushtarakëve dhe prej shërbimeve të fshehtë.

Të njëjtat kompani shumëkombëshe amerikane kanë menduar të shfrytëzojnë aftësinë teknologjike të këtyre magjistarëve të informatikës dhe kanë filluar të pranojnë më të mirët. E ka bërë, për shembull, qendra e IBM në Pekin me Tao Van, 41 vjeç, një veteran i ushtrisë së gjelbër i transformuar në një konsulent të Tiger Team të kompanisë amerikane që shet shërbimet e saj tek kompanitë kineze.

Ndërkohë janë të fshehtë emrat e hacker-ëve që kanë tradhëtuar tokën mëmë për të shkuar dhe punuar për amerikanen National Security Agency, që i ka zyrat qendrore në Fort G. Meade, në Maryland, alter egoja e Dragoit dixhital. Janë me dhjetëra kundërofensivat informatike të miratuara nga Obama kundër rrjetit dhe serverave kinezë privatë dhe ushtarakë të Pekinit dhe Shangait.

Leave a Reply

Back to top button