Magazine

Mos kërko atë që nuk je në gjendje të japësh

Zakonisht ndodh me çiftet, por shpesh edhe me prindërit dhe fëmijët, me miqtë dhe në çdo lloj marrëdhënieje tjetër njerëzore. Bëhet fjalë për ato situata në të cilat njëra nga të dy palët kërkon, kërkon e kërkon shumë, por kur është koha për të dhënë, rezulton koprrac dhe egoist.

Njerëzit e këtij lloji mendojnë se meritojnë gjithçka, por nuk japin asgjë në këmbim. Janë ata që vërejnë “qimen në syrin e të tjerëve”, por nuk e vërejnë traun në të tyren. Ata janë manipulues dhe shpesh arrijnë t’i bindin të tjerët që t’i kënaqin në këmbim të asgjëje, madje duke i bërë të ndihen fajtorë kur nuk e bëjnë këtë.

Lidhjet që krijojnë këta njerëz kanë gjithmonë një motiv të fshehtë. Mirëpo, i maskojnë në atë mënyrë që të mos vihet re dhe prandaj arrijnë atë që duan: duke kërkuar shumë dhe duke dhënë pak, qoftë edhe me pëlqimin e “viktimës”. Nëse nuk doni të bini në këtë lloj sjelljeje, ia vlen të dini se cilat janë pesë situatat që duhen shmangur.

Mos kërko të të dëgjojnë, nëse nuk di të dëgjosh

Është një nga rastet më të shpeshta: ata që duan të flasin gjithmonë dhe presin që të tjerët të dëgjojnë, por kur duhet të dëgjojnë, e mohojnë, shpërqendrohen ose, papritur, nuk kanë kohë dhe largohen. Shpesh ndodh kur prindërit duan që fëmijët të dëgjojnë predikimet e tyre, por nuk marrin kohë për të dëgjuar se çfarë mendojnë fëmijët vetë. Çifteve u ndodh kur njëri prej tyre bëhet “mbështetja” e tjetrit. Ndodh me miqtë, mes mësuesve dhe nxënësve, mes kolegëve të punës.

Mos kërko mirëkuptim nëse nuk di të mirëkuptosh

Kjo është një situatë tjetër shumë e zakonshme. Bëhet fjalë për të keqkuptuarit përjetësisht, ata që ndihen ndryshe nga të tjerët dhe që ankohen gjithmonë për indiferencën e tyre. Për ta, të kuptuarit është një e drejtë e natyrshme, por që u mohohet nga të tjerët. Për këtë arsye ankohen dhe fajësojnë të tjerët, sikur nuk i kryejnë detyrimet morale. Ata nuk e kuptojnë se mirëkuptimi është një lule që duhet kultivuar fillimisht tek vetja e më pas tek të tjerët.

Respekti nuk kërkohet, ai fitohet

Dhe midis shumë qëndrimeve të qenieve njerëzore, ndoshta është ai që ilustron më shumë parimin e drejtësisë. Me fjalë të tjera, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të fituar respektin e të tjerëve përveçse duke respektuar veten dhe të tjerët. Ndonjëherë respekti ngatërrohet me frikën ose nderimin. Figura të një autoriteti të caktuar priren të “zbatojnë respektin” përmes imponimit ose frikës. Ajo që ata marrin është pikërisht ajo që kërkojnë: frikë dhe nënshtrim, por jo respekt.

Mos kërko paqe nëse mbjell dhunë

Ky është një nga rastet më paradoksale. Veçanërisht vërehet te njerëzit që bërtasin dhe u kërkojnë të tjerëve të mos bërtasin ose ata që tërbohen dhe bërtasin: “Kur dëshpërohesh, më çmend!”. Është shumë e zakonshme që njerëzit agresivë të kërkojnë gjithmonë paqe mendore. Në përgjithësi, ata fajësojnë të tjerët për reagimet e tyre të dhunshme. Me sa duket ata nuk janë zotër të emocioneve të tyre, dhe thonë se po të mos ishin të tjerët, ata do të ishin individët më paqësorë në tokë. Dhe janë gabimet e të tjerëve që i bëjnë ata të humbasin kontrollin. Ata harrojnë se paqja nuk është jashtë, por brenda secilit prej nesh. Ata e nënvlerësojnë faktin që secili prej nesh duhet të punojë për të arritur vetëkontroll dhe autonomi. Nëse mbjellim paqe, sigurisht që do të korrim paqe.

Mos kërko përsosmërinë nëse je njeri si gjithë të tjerët

Disa njerëz kanë një mendim të ekzagjeruar pozitiv për veten e tyre. Ata e vendosin veten si model për të tjerët. Këta janë pothuajse gjithmonë njerëz të ngurtë psikologjikisht, që besojnë se respektimi i rregullave është parametri i vetëm për të gjykuar gjithçka dhe këdo.

Duke qenë se ata ndjekin atë që është vendosur deri në gërmë, i japin vetes të drejtën për të gjykuar dhe dënuar të tjerët. Ata nuk e kuptojnë se ndoshta ajo që i bën ata të jenë kaq skrupulozë, mund të jetë frika ose shtypja. Ata nuk duan të kuptojnë se ka mënyra të tjera për ta parë jetën që janë po aq të vlefshme sa ato të tyre. Ata ndihen “perfekt” pa qenë të tillë, sepse askush nuk është, por kjo fantazi u justifikon, brenda vetes, përsosmërinë që kërkojnë nga të tjerët. / bota.al

Back to top button