Analiza

NATO e ka një Problem: Bjellorusia po aneksohet gradualisht nga Rusia

Nga Sarah White

“19FortyFive”

Më 7 tetor trupat polake kufitare raportuan se ishin qëlluar nga homologët e tyre nga Bjellorusia. Ndonëse askush nuk u plagos, dhe ushtarët bjellorusë po gjuanin me shumë gjasa me fishekë manovër, ai incidenti është një ilustrim më se i qartë i tensionit të madh që është krijuar në atë zonë, që kur Moska ka marrë de fakto kontrollin mbi qeverinë në Minsk, duke mbështetur presidentin autoritar të vendit, Aleksandr Lukashenko.

Anna Michalska, zëdhënëse e Rojeve Kufitare Polake, deklaroi se kishte pasur gjithashtu edhe një rritje të numrit të objekteve që iu hodhën trupave polake nga pala bjelloruse. Tensionet në kufirin midis dy vendeve janë rritur edhe për shkak të një rritje të ndjeshme të numrit të emigrantëve ilegalë, çka ka krijuar një krizë humanitare dhe paralelisht një rëndim të situatës të sigurisë. Emigrantët ilegalë që vijnë nga Bjellorusia kalojnë kryesisht drejt Polonisë, por edhe Letonisë dhe Lituanisë.

Varshava e ka akuzuar Minskun për përdorimin e emigracionit si një armë kundër saj, duke e akuzuar personalisht presidentin Lukashenko për ofrimin e pagesave për emigrantët, vetëm që të zhvendosen në atë zonë. Këshilli polak i Ministrave sapo ka miratuar një projekt -ligj për të ndërtuar një barrierë përgjatë kufirit të tij me Bjellorusinë.

Edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian në Bruksel kanë deklaruar se Lukashenko po inkurajon enkas emigrimin ilegal për ta mbushur Poloninë me emigrantë, duke e cilësuar këtë një “luftë hibride” në kundërpërgjigje të sanksioneve të vendosura ndaj qeverisë së Minskut nga ana e unionit.

Por këto që po shohim tani mund të jenë vetëm paralajmërimi i gjërave më të rënda që mund të ndodhin në të ardhmen, kur Bjellorusia të përthithet plotësisht në orbitën e Rusisë. Pa një mbështetje nga Moska, me gjasë Lukashenko nuk do të armiqësohej me Poloninë (vend që ka 4-fishin e popullsisë së Bjellorusisë).

Tek e fundit, Bjellorusia ka pushuar pak a shumë së funksionuari si një shtet i pavarur. Përpara protestave që gati e rrëzuan Lukashenkon verën e vitit të kaluar, pati të paktën një përpjekje për të ruajtur ndjenjën e ndarjes nga Moska. Madje Lukashenkou u perceptua si rezistent ndaj presionit të fortë të Kremlinit për të krijuar një bashkim ekonomik midis 2 vendeve.

Tanimë as kjo nuk duket të jetë e vërtetë. Pas disa muajsh mohimesh se Rusia dhe Bjellorusia do të bashkoheshin në një shtet të vetëm, të dyja vendet njoftuan në fillim të shtatorit se janë në procesin e integrimit formal të ekonomive të tyre.

Në periudhën afatshkurtër, ato do të bashkojnë tregjet e tyre energjitike, dhe Moska do t’i japë Minskut një hua prej 630 milionë dollarësh për të lehtësuar dëmet e shkaktuara nga regjimet e sanksioneve të vendosura ndaj Bjellorusisë, si dhe për sigurinë e përgjithshme financiare të vendit.

Në fakt, të dy udhëheqësit hoqën dorë nga të projektuarit e një iluzioni të diçkaje të ndryshme. “Ne po ecim përpara si vendet e civilizuara, së bashku, si një union …gati një popull i vetëm”- deklaroi Lukashenko pas njoftimit mbi huanë.

Edhe Putin e konfirmoi se në axhendë është një bashkim politik midis të dyja vendeve, por mohoi që për këtë gjë të ishte diskutuar në bisedimet e kohëve të fundit. “Në fillim  duhet të hidhet themeli ekonomik, para se të ecet më tej në rrugën politike”- tha ai.

Njoftimi u parapri gjithashtu nga stërvitjet e mëdha të përbashkëta ushtarake midis dy vendeve. Stërvitja “Zapad-21”, që zhvillohet 1 herë në 4 vjet, synoi këtë herë të simulonte një konflikt me NATO-n (“Zapad”do të thotë Perëndim në gjuhën ruse). Stërvitjet ushtarake i vënë gjithmonë në alarm vendet e NATO-s, por fakti që këtë vit është përfshirë edhe Bjellorusia, tregon se Moska i kontrollon të dyja ushtritë. Alarmi u shtua edhe nga zbulimi se Bjellorusia ka blerë raketat S-400 nga Rusia, një marrëveshje e cila u konfirmua zyrtarisht në janar të këtij viti.

Disa njësi të këtyre raketave janë vendosur rreth 2.5 kilometra larg nga kufiri polak. Kryeministri i Polonisë shpalli gjendjen e jashtëzakonshme gjatë stërvitjes“Zapad 21” për shkak të afërsisë së sistemeve raketore S-400.

Për fatin e mirë të Varshavës, marrëveshja e fundit e Uashingtonit për t’i shitur Polonisë32 avionë luftarakë F-35A, do t’i sigurojë forcave ajrore polake një avion taktik, që nuk mund të gjurmohet nga radarët e S-400.

Por këta avionë nuk janë dorëzuar ende nga SHBA, dhe avionët e tjerë që janë pjesë e forcës ajrore polake, janë që të gjithë shumë të prekshëm ndaj S-400 në Bjellorusi, dhe në enklavën ruse tejet të militarizuar të Kaliningradit.

Prania ruse në çdo nivel të sistemit politik, ekonomisë dhe në ushtrinë e Bjellorusisë, e shtyn akoma më shumë në Perëndim frontin lindor të NATO-s. Vendet e NATO-s janë akoma më të shqetësuara nga trupat dhe armët e pranishme në Kaliningrad, ngjitur me 3 shtetet baltike – Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë.

Shkurt, ai që dukej dikur si një skenar i pamundur, tani është një realitet shqetësues. Nëse Rusia dhe Bjellorusia do të integrohen në një entitet politik, rreziku i paraqitur për shtetet e vijës së parë të NATO-s nuk mund të mbivlerësohet, por nuk duhet të nënvlerësohet në asnjë rrethanë.

Shënim: Sarah White, studiuese në Institutin Leksington.

Back to top button
Close
Close