Teknologji

Në botën e Bitcoinit

nw botwn e bitcoinitKa lindur në një ditë të vitit 2008, dhe që atëherë ka bërë të flitet gjithnjë e më shumë për të. Krijimi i monedhës dixhitale, ose më saktë protokollit informatik që e bën të mundur, është meritë e një shpikësi misterioz, ose një grupi shpikësish që qëndrojnë prapa emrit Satoshi Nakamoto. Pavarësisht se shtypi ndërkombëtar është përpjekur shumë t’i zbulojë identitetin, në iluzionin që po të dijë më shumë do të kontribuojë për ta bërë më pak të paqartë edhe krijesën e tij, pak rëndësi ka se kush është vërtetë Nakamoto. Ajo që ka rëndësi, është se ai i ka dhënë jetë diçkaje që mund të ndryshojë në mënyrë radikale botën ku ne blejmë dhe shesim mallra, si dhe shkëmbejmë gjëra të vlefshme, brenda dhe jashtë internetit.

Pa banka

Nuk ekziston një institucion që i emeton, as edhe një organizëm qendror i kontrollit, dhe ndoshta pikërisht këtij vokacioni anarkik i detyrohet Bitcoini për popullaritetin që ka online. Bitcoinet krijohen në internet, dhe ata që e bëjnë janë persona apo grupe që zotërojnë kompjuterë aq të fuqishëm, sa të jenë në gjendje të zgjidhin një problem matematikor që, me dëshirën e shpikësit të tij, bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar me kalimin e kohës. Këta “miner”-a, që në anglisht do të thotë minatorë, si për të theksuar se puna e tyre është e ngjashme me atë të minatorëve që gërmojnë për të gjetur gurë të çmuar në një minierë, sa herë që zgjidhin problemin matematikor marrin pagesën në Bitcoin (aktualisht 25 për çdo herë). Të gjithë këta problema nuk janë qëllime në vetvete, por shërbejnë për të çertifikuar legjitimitetin e transaksioneve.

Ofertë fikse

Algoritmi në bazë të Bitcoinit rregullon shpejtësinë me të cilën duhet bërë çdo llogaritje e vlefshmërisë, pra ritmin e prodhimit të monedhës dixhitale. Ndërkohë që gjithnjë e më shumë kompjuterë lidhen me rrjetin e “miners”-ave, llogaritja bëhet gjithnjë e më komplekse, për të ruajtur konstant fluksin e prodhimit si dhe kohën e nevojshme për të konfirmuar çdo operacion: afërsisht dhjetë minuta. Dihet tashmë që numri maksimal i Bitcoineve të prodhuar do të jetë 21 milionë. Me arritjen e kësaj shifre (diku rreth vitit 2140), nuk do të jetë më e mundur të prodhohen të rinj. Deri më sot janë prodhuar 12 milionë e gjysmë.

Si të sigurohen

Përveç procesit të “mining” që nuk mund të arrihet nga një pjesë e madhe përdoruesish, për asye se kërkon kompjuterë shumë të fuqishëm në gjendje pune për 24 orë në 24, ekzistojnë edhe mënyra të tjera për të siguruar Bitcoine. Për shembull të ofrosh një shërbim apo një produkt dhe të paguhesh në Bitcoin. Apo të rregjistrohesh në një faqe këmbimi valute dhe të shkëmbesh eurot me Bitcoine, por gjithmonë duke qenë të kujdesshëm që të mos investojmë kurrë tek monedha më shumë nga sa jemi të gatshëm të humbasim, duke ditur që të paktën për momentin vlerë është shumë e luhatshme. Ose mund të shkëmbehen Bitcoine direkt me ata që janë të gatshëm t’i këmbejnë. Mjafton të hysh në faqen e internetit localbitcoins.com, të qartësosh nëse dëshiron të blesh apo të shesësh, fiksohet çmimi dhe gjendet një përdorues i interesuar. Kush blen jep paratë, kush shet ngarkon bitcoinet në portofolin dixhital të blerësit, që zakonisht ndodhet në telefonin celular. Në fund janë bankomatët: për momentin ekzistojnë afro 50 në të gjithë botën. Mund të futen aty Euro dhe të ngarkohen në portofolët dixhitalë bitcoinet në vlerën korresponduese.

Për se shërben?

Duket shumë i lodhshëm mendërisht? Në të vërtetë Bitcoini shërben për të plotësuar nevoja të ndryshme. Së pari, është një mënyrë për të përdorur një monedhë elektronike, me të gjithë përfitimet sa i përket globalitetit dhe komoditetit të pagesave që bëhen, për shembull, me kartë krediti, por pa patur nevojën të kalosh përmes ndërmjetësve, të cilët fusin në xhep komisione për çdo operacion. Për momentin, dërgimi i parave në Bitcoin në anën tjetër të botës ka kosto shumë më të vogla se sa ata që kërkojnë shërbimet e specializuar si Visa dhe MoneyGram.

Ana tjetër e monedhës

Tamam si me kartëmonedhat, nuk ka nevojë të dish identitetin e atyre që shpenzojnë dhe atyre që arkëtojnë, gjë që garanton privatësinë e të dyve. Një privatësi që megjithatë i shkon për shtat edhe atyre që merren me punë të pista. Mbyllja e faqes së internetit Silk Road vitin që kaloi, erdhi në fund të një hetimi që nxorri zbuluar shitblerjet në internet të drogërave dhe substancave të ndaluara të paguara në Bitcoin.

Për disa, është demonstrim që kriptomonedha është instrumenti ideal për krimin. Të tjerë thonë që veprimtari të paligjshme ka patur gjithmonë  dhe janë bërë me para të thata. Një tjetër problem i Bitcoinit, të paktën për momentin, është luhatshmëria ekstreme e kuotimit. Vlera përcaktohet herë pas here mbi bazën e kërkesës dhe ofertës, por mjafton një lajm i keq, si mbyllja për shkak falimentimi e Mt Gox, për të bërë të bjerë vlera. Dhe nëse një vend si Kina do të vendoste t’i vinte fre transaskioneve në monedhën dixhitale, vlera e saj mund të përgjysmohej brenda ditës. Megjithatë, monedha edhe mundet të fitojë vlerë me shpejtësi, duke lumturuar ata që kanë shumë në portofol.

Por kujt ia ndien të riskojë?

Leave a Reply

Back to top button