Kulture

Nga Mikelanxhelo tek Van Gogu: Vetëm shkenca ka mundur t’i zbërthejë këto sekrete të artit

Artriti i Mikelanxhelos, “selfi” i Rembrandit, figurat e fshehura të Gojas dhe Pikasos, sëmundjet në kryeveprat e Karavaxhos, dhe parashikimet shkencore të Van Gogut… Ja misteret e artit, mbi të cilat është arritur të hidhet dritë nga shkencëtarët.

1. Pasioni (sekret) politik i Gojas

Në vitin 1823, artisti spanjoll Françisko Goja pikturoi portretin e Don Ramon Satue, gjyqtar i Gjykatës së Lartë spanjolle. Megjithatë nën atë portret duket se ka një element më të rëndësishëm dhe famëkeq të historisë spanjolle. Ky është portreti i një gjenerali francez, i realizuar ndërmjet viteve 1809- 1813, kur Napoleoni emëroi vëllain e vet si mbret të Spanjës. Goja e fshiu portretin “për arsye politike”, pasi ndërkohë francezët qenë tërhequr nga Spanja, dhe ishte diçka e rrezikshme të mbeteshe i lidhur me regjimin e vjetër. Kështu sekreti i tij mbeti i fshehur për dy shekuj.

2. Burri në dhomën blu

Pikaso pikturoi ”Dhomën blu” në vitin 1901, gjatë periudhës së tij të kaltër. Piktura ka magjepsur  gjithmonë historianët, mbi të gjitha për shkak të penelatave të çuditshme që janë përdorur në të. Në fakt, duke shqyrtuar tabllonë me teknologjinë e rrezeve infra të kuqe, u shfaq një burrë misterioz, i veshur me një kravatë me hark.

Asokohe Pikaso kishte shumë pak materiale të profesionit të vet, dhe shpesh ripërdorte piktura të përfunduara apo të lëna përgjysmë. Dhe nuk ka qenë artisti i vetëm që e ka bërë këtë. Historia e artit është plot me kanavaca të ripikturuara (për arsye ekonomike, stilistike apo misterioze.) Sot ne kemi mundësi t’i zbulojmë falë skanimit me rrezet X apo infra të kuqe. Rasti i fundit është ai i një pikture të Degas.

3. Autoportreti i fshehur i Karavaxhos

Në vitin 2009, një reflektografi shumëspektrale e kryher mbi pikturën “Bacco” të Karavaxhos, e cila ndodhet në Galerinë Ufici në Firence, çoi në zbulimin e një figure njerëzore që reflektohet mbi një enë qelqi në fund të krahut të majtë. Bëhet fjalë për një auto-portret të Karavaxhos.

Këtë e pohon ndër të tjera edhe Mina Gregori, një nga artistet dhe ekspertet më të shquara, njëherazi presidente e Fondacionit Longi:në enë ju do të shihni autoportretin e Karavaxhos teksa pikturon. Biografi Xhovani Buljone, kishte shkruar që në vitin 1642 mbi zakonin e Karavaxhos për të pikturuar, duke përdorur pasqyrat në të cilat reflektohej edhe ai vetë.

4. Shkenca e Van Gogut

Në një TED të famshëm , studiuesja Natalia Sent Kler, shpjegon se si Van Gogu, i mbyllur në një spital psikiatrik, kishte qenë në gjendje të “perceptonte dhe përfaqësonte një nga konceptet më të vështira, që natyra i ka ofruar ndonjëherë njeriut”, konceptin e rrjedhës së trazuar në dinamikën e fluideve. Një koncept aq shumë i vështirë për t’u shpjeguar, sa që fizikanti rus Andrej Kolmogorov arriti ta dëshifronte vetëm në vitin 1940 në një ekuacion, por Van Gogu në vitin 1889 e përfaqësoi në mënyrë të përkryer në pikturën e njohur si “Natë plot me yje”.

5. Sekreti i peshkatarit

Tivadar Çontvari Kocka (1853-1919) ishte një ndër piktorët e parë hungareze të mirënjohur dhe vlerësuar (p.sh. nga Pikaso) në kontekstin evropian. Në këtë portret të një peshkatari të moshuar, është fshehur një sekret, i zbuluar vetëm pas vdekjes së piktorit. Duke vendosur një pasqyrë në mes të pikturës dhe reflektuar vetëm gjysmën e fytyrës, personazhi shndërrohet në dy portrete: një person që i lutet djallit. Nuk e besoni? Shihni foton e mëposhtme.

6. Pasioni i Botiçelit për botanikën

Një nga kryeveprat më të mëdha të artit perëndimor, “Pranvera” e Sandro Botiçelit, ka një sekret veçanërisht të dukshëm:fiksimi maniakal i Botiçelit ndaj detajeve, sidomos luleve. Botanistët kanë identifikuar në fakt në këtë pikturë më shumë se 500 llojeve të ndryshme bimësh, dhe 190 lloje lulesh.

7. Selfi i Rembrandit

Rembrandi ishte i mirënjohur për autoportretet e tij. Ka pikturuar me qindra prej tyre, të gjitha shumë të saktë dhe realiste. Po si e bënte këtë? Sipas piktorit anglez Frensis O’Nil, sekreti i Rembrandit qe një sistem i sofistikuar pasqyrash, të cilat përdoreshin për të projektuar imazhin e tij në një sipërfaqe në të cilën ku mund të gjurmoheshin konturet. O’Nil e ka prezantuar teorinë e tij sugjestionuese në “The Journal of Optics”, duke shpjeguar se në Hollandën e shekullit XVII në treg qenë në dispozicion pasqyrat më të mira.

Dhe mjafton të vëresh që sytë e të piktorit nuk shohin thuajse në asnjë rast drejt, sikurse do të duhej të ishte nëse Rembrandi do të kishte pikturuar veten vetëm duke u parë në një pasqyrë. Teoria e O’Nil shkon kundër shumicës së historianëve, sipas të cilëve Rembrandi pikturonte vetëm me dorë të lirë.

8. Arti dhe artriti i Mikelanxhelos

Shoqëria Mbretërore e Mjekësisë në Londër, ka kryer një analizë të kujdesshme të auto-portreteve të artistit të madh, duke njohur shenjat e artritit në duart e tij. Një sëmundje kjo profesionale, për shkak të përdorimit të shpeshtë të çekiçit dhe daltës.  Të tjera “sekrete” të   Mikelanxhelos janë zbuluar nga dy studiuesit Arshad M. dhe M. Ficxherald, të cilët supozojnë se artisti toskan vuante nga një formë e veçantë e autizmit, e treguar nga disa sjellje si “puna e përditshme në një sens unik, stili i pazakontë i jetës, interesat e kufizuara dhe aftësitë e dobëta sociale dhe të komunikimit”.

9. Arti dhe artriti tek Karavaxho

Edhe Karavaxho e trajtoi artritin në pikturat e tij:sipas një studimi të publikuar në revistën “Lancet”, mjafton të shihet piktura “Kupidi i fjetur”. Ai paraqet një “kupid” të shtrirë në gjumë, duke lëshuar një shigjetë. Djaloshi shfaq shenja të një artriti në moshë të mitur. Shumë studiues, kanë parë shenjat e sëmundjeve të ndryshmetek modelet e përdorura nga Karavaxho.

10. AND-ja e Leonardos

Ne rindërtojmë pjesë të ADN-së së mamuthëve dhe njeriut të Neandertalit. Atëherë pse të mos provohet të rikuperohet AND-ja e njërit prej gjenive më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë në tokë, Leonardo da Vinçit? Ky është synimi i një projekti ndërkombëtar, që ka për qëllim të gjejë gjurmët biologjike të pranisë së tij fizike tek veprat që na ka lënë si trashëgimi:shkenca moderne e mjekësisë-ligjore ka shënuar përparime të mëdha vitet e fundit, dhe sot mund të gjendet ADN-ja e një personi duke u nisur vetëm nga një pikë gjaku, flokët apo pështyma.

Madje edhe shenjat e gishtërinjve.

Natyrisht qëlliminuk është të klonohet Leonardo (diçka kjo e pamundur), por duke krahasuar AND-në e tij me atë të pasardhësve të tij, mund të shkojmë deri tek ngjyra e syve dhe flokëve të tij, dhe  kuptuar diçka më shumë mbi kapacitetin e tij vizual, për atë që konsumonte apo edhe shqetësimet shëndetësore.

Leave a Reply

Back to top button