Sport

Pakti i fshehtë i “të marrit” Van Gaal

krulFati i dy skuadrave, tre burrave dhe 22 milionë tifozëve u vendos në atë lëvizje: dërgimi në fushë i Krulit në minutën 120 ishte magjia e trainerit gjenial të Hollandës

Në një minutë që nuk duhet të ekzistojë, ndodh diçka që nuk duhet të ndodhë dhe ndryshon fatin e një traineri, dy portierëve, 46 futbollistëve, 51179 spektatorëve dhe 22 milionë qenieve njerëzore, aq sa janë në total banorët e Holandës dhe Kosta Rikës. Në shtesën e shtesës së shtesës, në minutën 16 të pjesës së dytë shtesë, traineri Van Gaal shfaqet sërish me numrin e tij të preferuar: zëvendësimin. Këtë herë të portierit. Nuk kishte ndodhur asnjëherë në këta nivele. Eshtë njësoj sikur, pasi ke përshkuar Amerikën nga njëri breg në tjetrin, ti ndalesh papritur 10 kilometra larg nga finishi dhe ndërron një gomë, e cila në fakt nuk po të shkaktonte probleme.

Veprimi

Në fakt është një goditje, një “krim” i paramenduar, vrasja morale e Kosta Rikës që ka një porositës (Louis Van gaal) dhe një ekzekutor (Tim Krul). I pari, i depërtuar nga marrëzia iluminuese e njerëzve të lirë që shpesh i quajmë artistë. I dyti, i shtyrë nga drithërima e të panjohurit dhe nga telekomanda në bankinë. Veprimi është sa i paharrueshëm, aq edhe i padukshëm. Rrezikon madje edhe të mos ndodhë sepse, sado që Van Gaali e ka në mendje, ai ka pritur që, nëse topi nuk do të dilte, do të kishte mbetur vetëm një qëllim. Por në fakt ndodh, në shamatën që i paraprin finales. Publiku, në këmbë dhe i lodhur tashmë për atë që ende s’ka ndodhur, nuk kupton. Tribuna e gazetarëve, që i kanë sytë nga tastiera duke hedhur fjalët e fundit të lajmit që do të dërgojnë pas pak, nuk kupton. Ngrejnë sytë, dhe diçka nuk shkon: portieri i Holandës është krejt papritur më i gjatë dhe më pak bjond. More, nuk është po ai që ishte? Nuk e ka numrin 23 në shpinë. E ka ndryshuar. O Zot, Van Gaal. Në Hollandë, ai dhe blasfemia duhet të jenë sinonimë. Vërshojnë informacionet. Shikoni si është nxirë Cillessen, pasi ka dalë. Megjithatë, ai nuk ka pritur asnjëherë, asnjë penallti. Por mbi të gjitha: Kush është Tim Kruul?

Portieri që nuk ishte

26 vjeç, i lindur në Hagë, atje ku, për të mos vdekur nga mërzia, bëjnë drejtësi për gjithë botën. Emigruar në Angli që i vogël, i blerë nga Njukasëll. Me një sinqeritet abolut, do të deklaronte në një intervistë televizive se seriali i preferuar televiziv është “Një idiot jashtë vendit”. Shton se në shkollë nuk ka qenë shumë i zoti, kështu që me dëshirë e la për futbollin, edhe pse u deshën vite përpara se të bëhej titullar (dhe do të duhen). Në pritje, ulet në bankinë apo edhe në trbunë, ku i pëlqen të përzihet me tifozët, që nuk e njohin. Merr pjesë në një turne për të rinj, luan ndeshjen e parë për Palermon ku jep një provë të mirë. Idhulli i tij është van der Saar, me të cilin gjatë një transferte mundi të bisedojë për 20 minuta, gjatë të cilave i mori një këshillë themelore: “Duhet durim”. Në Premier League ka ulje-ngritje. I mbetet kujtim një autogol qesharak dhe titulli të nesërmen: “Life is so Krul” (Lojë fjalësh e “Life is so cruel” – Jeta është kaq mizore). Nuk mposhtet. Bën durim dhe vazhdon të presë takimin me fatin. I grumbulluar në kombëtare, luan në miqësore ndaj Brazilit (0-0).

Traineri i gjithëpushtetshëm

Nëse i besoni hyjnores, asgjë nuk ndodh rastësisht. Ose nëse i besoni Van Gaalit. Të gjithë lëvizjet e diskutuara dhe të diskutueshme që ka bërë deri tani, kanë qenë bija të një logjike dhe, qoftë edhe prej fatit, kanë shpërblyer. Kili u mund me gola nga dy të futur rishtaz në lojë (Fer dhe Depay)? “Vura re që ata kishin tendencën të lëshonin në 15 minutat e fundit dhe futa dy forca të freskëta”. Meksika, me një penallti në fund fare nga rezerva Huntelaar? “Van Persie nuk ishte i kthjellët. E ndërrova”. Kosta Rika nga pritjet e portierit që nuk ishte? “E kishim vendosur bashkë. Ai e dinte, titullari jo. Ai, unë dhe askush tjetër. Cilessenit nuk i thamë asgjë, për të mos e penguar në përqëndrim”. Van Gaali mund të bëjë atë që do: të hedhë një Holandë mbrojtëse, të transformojë Kuytin në anësor, të zëvendësojë golashënuesin, të shpikë një pritës penalltish edhe pse nuk ishte. Prestigjator. E kritikojnë estetët, e masakron Krujfi. I kujtojnë fantazmën e një “Hollande totale” që është zhdukur prej dekadash. Van Gaal është këtu për të fituar. Ka vetëm tre kampionë, dhe jo gjithmonë të tre funksionojnë. Pjesën tjetër duhet ta shpikë, dhe ai e bën. Ka kontrollin absolut sepse, ndryshe nga Prandelli për shembull, në vend të rinovimit, para botërorit firmosi me një klub, me Manchester United. Nuk ka pse merr parasysh senatorët, as edhe ndonjë të ri kryeneç. Nuk do t’ia dijë për çfarë thonë komentatorët. Ka bërë një farë kompromisi me vetveten, nuk bën më me askënd tjetër. Skuadra e di. E ka frikë, por e ndjek. Ka dhuntinë e njerëzve që jetojnë sikur e nesërmja nuk do të vijë, sepse të nesërme nuk ka. Ajo dhunti quhet liri: të zgjedhë, të gabojë, më shpesh të guxojë. Krul nuk është një specialist, ka vetëm aftësinë të provokojë kundërshtarin, duke i folur teksa shkon tek pika e penalltisë.

Askush prej kostarikanëve nuk kishte në xhep curriculum vitae-në e tij. Kanë parë një të ri të hyjë në fushë dhe kanë menduar: e ka futur sepse ky është një fenomen në penalltitë. Ka besuar madje edhe vetë Kruul, që kaloi nga një performancë mediokre, me vetëm 10% të penalltive të pritura, në 40%. Kanë besuar të gjithë, sepse van Gaali i bëri ta besojnë. Asnjë profet nuk e ka treguar ndonjëherë parajsën, më të ndjekurit janë thjeshtë ata që kanë ditur ta paraqesin më mirë: muzika qiellore, 72 virgjëresha, kupa e botës. Katër vjet më parë, pas finales së humbur, Van Gaali kritikoi kolegun e tij: “Hollanda nuk duhet të luajë kështu”. Jo se ky, përveç pjesës së dytë ndaj Spanjës, ka treguar një Hollandë që luan më mirë, por e bën të mendohet, sepse lë gjurmë në kujtesë, aludon për të mbinatyrshmen: fluturimi prej engjëlli i Van Persiet, zhytja në përjetësi e Robbenit, shfaqja e Kruulit.

Në momentin suprem kur festohej misteri i penalltive, kostarikanët dhe hollandezët ishin në rrethin e mesfushës. Të parët në gjunjë, luten. Të dytët në këmbë, shikojnë. Të parët besojnë tek fryma hyjnore. Të dytët tek Van Gaali. Në këtë jetë, shkoi ashtu siç e dini./GABRIELE ROMAGNOLI/

Leave a Reply

Back to top button