Psikologji

“Përqendrohu tek gjërat që kanë vlerë”. Fjalimi i këtij student do t’ju emocionojë shumë

Kyle Martin është një student i diplomuar si më i miri në universitetin e tij në vitin 2019 dhe mbajti një fjalim përpara të gjithëve në ceremoninë e diplomimit. Fjalimi i tij me siguri do t’ju pëlqejë pamasë.

“Një vit më parë vendosa të përfshihem në garën për t’u diplomuar si më i miri i universitetit tonë. E doja këtë titull dhe punova fort për ta arritur. Sakrifikova shumë dhe u stresova, ama ia dola ta arrija. Në ceremoninë e vlerësimeve me çmime, u ndjeva shumë mirë kur thërritën emrin tim si më të mirin e vitit. Për rreth 15 sekonda e ndieja zemrën time të rrihte fort dhe ndieja një ndjesi euforie të pashpjegueshme nga adrenalina. Ama ishte vetëm aq. Në sekondën e 16 u ula në karrigen time dhe pyeta veten: “Kaq ishte? Pse nuk po ndiej gjë tjetër?”.

Nuk e dija as vetë se çfarë prisja. Ndoshta prisja që gjithë problemet e mia të zhdukeshin përpara kësaj arritjeje të madhe, ama një gjë e tillë nuk ndodhi. Nuk ndieja asgjë dhe në atë moment po mendoja se pse po ndihesha ashtu…

Kuptova se të punosh fort është diçka e mirë, ama nuk duhet bërë për të arritur një synim të caktuar dhe të heqësh dorë më pas nga marrëdhëniet me të tjerët. Duke hedhur vështrimin pas në këtë vit, gjithë stresi për të arritur atje ku doja, më “detyroi” që të lija pas dore shumë miq të mitë.

Ndaj dua që të gjithë ju të mendoni për diçka që e pëlqeni pamasë. Ndoshta sportet, artet, letërsia, etj. Mendoni se sa kohë i kushtoni këtij interesi, dhe nëse jeni apo jo duke i kushtuar kohë miqve tuaj. Nëse kjo gjë po ju ndalon të kaloni kohë me shoqërinë, duhet të ndryshoni. Filloni ta menaxhoni më mirë kohën tuaj. Mundohuni të mos keni pendesa në sekondën e 16-të. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se marrëdhëniet e shëndosha. Asgjë. As synimet, as sukseset.

Në marrëdhëniet me të tjerët ne ndikojmë dhe i ndryshojmë jetët e të tjerëve. Jeta nuk mund të ketë kuptim pa to. Të gjithë kemi synimet tona, ama mënyra se si mundohemi t’i realizojmë këto synime ndryshon për secilin nga ne. Është i ndryshëm universiteti që ndjekim, personi me të cilin martohemi, apo karriera që zgjedhim. Ama në çdo gjë që ndjekim, ne krijojmë marrëdhënie të reja.

Jini bujarë me kohën dhe paratë tuaja, dhe shumë probleme në marrëdhëniet me të tjerët do të zgjidhen. Mos harroni asnjëherë se nuk është kurrë vonë të ndreqni marrëdhëniet e dëmtuara. Është koha t’u flisni miqve që nuk u keni folur për shkak të krenarisë suaj, prindërve që mund të mos i keni respektuar, apo mësuesve që nuk i keni falenderuar. Thjesht bëjeni!

Nisni një bisedë. Mos kini pendesa në sekondën e 16-të. Përqendrohuni tek gjërat që ia vlejnë”.

Back to top button