Teknologji

Përse “Amazon” po i tremb të gjithë

Dyqani i Internetit më i madh në botë, vijon të zgjerojë ofertën. Në 18 vite, aksionet e tij janë rritur me mbi 15 mijë përqind. Konsumatorë të lumtur, por prodhues në prag të “luftës”. Jeff Beos godet drejtpërdrejtë: çmime të ulët dhe gjithmonë produkte të rinj

BezosNjë monopolist i rrezikshëm, i gatshëm të abuzojë me pushtetin e tij. Një megalloman që çon dëm paratë e aksionerëve për të ndjekur ambicie absurde. Një konkurrent i frikshëm kundër të cilit duhet bërë luftë në 360 gradë. Kështu e përshkruajnë Jeff Bezosin kritikët e tij gjithnjë e më të shumtë në numër, në botën e botimeve, në bursë dhe në Silicon Valley.
Por themeluesi dhe drejtori i përgjithshëm i amazon.com vazhdon të ketë edhe një ushtri me fansa. Për shembull revista prestigjoze Harvard Business Review sapo e ka quajtur CEO-n më të mirë në botë, sipas kriterit të vlerës së krijuar për aksionerët: aksionet janë rritur me 15 mijë e 189 përqind që nga viti 1996. Kush ka të drejtë? Kritikët, apo admiruesit? Nga këndvështrimi i klientëve, Amazon është një destinacion i parezistueshëm për blerjet online. “Në biznesin tonë të tregtisë me pakicë ka tre ide të mëdha: çmime të ulët, një gamë e gjerë produktesh dhe një dorëzim i shpejtë dhe i besueshëm. Ne punojmë vazhdimisht për të treja – ka shpjeguar Bezos. Nuk e dimë se çfarë teknologjish do të shpiken apo kush do të jenë konkurrentët tanë. Por di me siguri që pas dhjetë vjetësh, askush nuk do të thotë: “Më pëlqeni Amazoni, por do të doja që çmimet të ishin pak më të lartë”.
Cmimet e ulët
Por pikërisht kërkimi i pandalshëm për çmime më të ulët është ai që ka tërhequr kohët e fundit më shumë akuza ndaj Bezosit. “amazon.com ka shumë pushtet dhe e përdor në mënyra që dëmtojnë Amerikën”, ka shkruajtur fituesi i çmimit Nobel për Ekonominë, Paul Krugman. Dhe e ka krahasuar Bezosin me kapitalistët e Tetëqindës, me urimin që autoritetet t’i vënë një kufi pushtetit të jashtëzakonshëm, ashtu siç kishte bërë Antitrusti me Standard Oil-in e John D. Rockerfellerit. “Teknikisht, Amazon nuk sillet si monopolist, domethënë si shitës dominues me fuqinë për të rritur çmimet – ka shpjeguar Krugman. Në fakt, është një blerës dominues me fuqinë për të ulur çmimet dhe në këtë mënyrë ka arritur një pushtet shumë të madh”.
Mban mbërthyer botuesit, të cilëve kërkon t’u imponojë politikat e tij, në mënyrë të veçantë çmimin maksimal 9.99 dollarë për librat elektronikë. “Hacchette”, që i ka refuzuar këta kushte, është “bojkotuar” në shpërndarjen e librave të vet dhe kjo ka provokuar reagimin e më shumë se 900 shkrimtarëve, mes të cilëve Stephen King.
Parimet
Bezos vazhdon i qetë në rrugën e tij, duke ndjekur parimin e shpallur në letrën e parë që u ka drejtuar aksionerëve pas kuotimit në Bursë në vitin 1997: “Të fokusohemi pa u ndalur tek klienti”. Po atë letër, Bezosi ua dërgon çdo vit aksionerëve për të përsëritur që horizonti i tij është kohëgjatë. Ndërkohë, në terma kohëshkurtër, duhet të bëjë llogaritë me rezultatet jo gjithmonë brilantë të eksperimenteve të tij. Smartphone “Fire” që doli në korrik ishte një dështim: duhej të shoqëronte ofertën e tabletëve Kindle Fire duke e bërë edhe më të kollajtë blerjen online në Amazon, por nga publiku u prit kaq ftohtë, saqë kompanisë iu desh të pësojë 170 milionë dollarë zhvlerësim në bilancin e fundit tremujor, që në total rregjistroi 437 milionë dollarë humbje. Ishte tremujori më i keq që nga viti 2000.
“70 % e risive tona – ka shpjeguar Bezos – janë për të përmirësuar pak procedurën dhe këto risi shumë të rëndësishme janë një pjesë e madhe e asaj që e bën të funksionojë mirë Amazonin. Pastaj janë risitë që nga zeroja, deri tek ato në shkallë të gjerë, si Kindle apo shërbimet në internet të Amazon. Kemi kulturën që përballon pranimin e risqeve dhe horizontet e nevojshëm kohorë për këto risi”.
Kjo nënkupton investime të mëdhenj në infrastrukturë, njerëz, produkte të rinj, përmbajtje, nisma, shërbime, blerje. Për këtë arsye, në dhjetë vitet e fundit shpenzimet operativë janë rritur me 2488 %, përkundër 1245 % që ka qenë rritja e të ardhurave. SHumë? Kështu e mendojnë ata investitorë që kanë shitur aksionet e Amazon pas shpalljes së bilancit tremujor, duke shkaktuar rënien e tyre me 12% brenda një dite. Por edhe përballë kësaj, Bezos nuk lëkundet: “Investojmë në kaq shumë nisma të reja, saqë jemi ende një kompani rishtare dhe luhatshmëria e aksioneve është pjesë e të qënurit e tillë (start-up”, thotë ai. /Messaggero/
PERSHTATUR NE SHQIP NGA www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button