Teknologji

“Secret”, rrjeti social amerikan që “zhdoganon” anonimatin

secretCili është parimi i suksesit të mediave sociale, sidomos Facebookut? Të vendosim në sheshin virtual idetë tona, atë që kemi bërë gjatë ditës, atë që na pëlqen. E kolauduar tashmë, dhe pjesë e të përditshmes së shumëkujt. Por, po sikur të ekzistonte një lloj Facebooku apo Twitteri krejtësisht anonim, ose më saktë pa profile përdoruesish dhe që i dedikohet shfrytëzimit të kësaj padukshmëre për të postuar tekste të shkurtër apo foto rrëfimesh, thashethemesh e madje edhe lajmesh të rezervuar?

Në të vërtetë, një rrjet social i tillë ekziston tashmë. Quhet “Secret” dhe po mbush tre muaj jetë. Që nga SHBA, ku ka nisur me një sukses jo shumë të madh, po zgjerohet në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandë e deri në Australi dhe Zelandën e Re, ku dje nisi punë zyrtarisht. “Secret” është në fakt një aplikacion për iPhone dhe Android që nga njëra anë lejon përdorimin e listës sonë të kontakteve për t’u dërguar atyre materiale anonimë, dhe nga ana tjetër na tregon në telefonin tonë një fluks frazash apo fotosh, të cilave sërish nuk u jep autorin. Themeluar nga Chrys Bader-Wechseler dhe David Byttow, kur të dy këta punonin për Google+, aplikacioni u zhvillua nga një lloj mesazherie, i ngjashëm me WhatsApp, në dicka më të ngjashme me krijesën e Zuckerbergut. I cili, sipas atyre që janë të mirë informuar, është shumë i interesuar për krijesën e re dhe i gatshëm madje ta kopjojë, nëse nuk arrin ta blejë.

Pikërisht këtu është thelbi: ashtu si aplikacione të tjerë – chat Whisper apo PostSecret ku ata që i përkasin një komuniteti krijojnë një kartolinë në të cilën zbulojnë dicka nga jeta e tyre që më parë nuk e kishin thënë – “Secret” shënon kalimin në atë dimension anonim që Facebooku e ka kundërshtuar gjithmonë.

Nëse nga njëra anë kjo sjell risqe evidentë (ai i shumëfishimit të materialeve ekstremë, të dhunshëm apo agresivë apo informacione pa baza), “Secret” ka dhënë tashmë prova të mundësive të shumëfishta që ofron, mes të cilave publikimi i informacioneve apo lajmeve të rezervuar, që do të ishte e sikletshme t’i botoje duke vendosur edhe emrin tënd. “Bëhet fjalë për një nivel krejt të ri të komunikimit”, komenton krenar për të përditshmen britanike The Guardian bashkëthemeluesi i “Secret”, Bader-Wechseler. Ashtu si ndodh gjithmonë me mediat sociale, përdorimi i mirë apo i keq varet nga ai që i frekuenton. Por në epokën e informacionit që hapën Wikileaks dhe Datagate, ndoshta duhet vënë bast që rrjete si “Secret” mund të luajnë një rol të rëndësishëm.

Leave a Reply

Back to top button