Teknologji

“Selfie” dhe “Chat”, kështu e kemi zhdukur vetminë?

istock_000007951394mediumGabriele Romagnoli

La Repubblica

Një djalë i ri shëtit i vetëm në një qytet të huaj, ndalet, nxjerr nga çanta një smartphone, ngre krahun, i buzëqesh ekranit, e shkrep. Më pas kontrollon fotografinë, klikon disa komanda të tjera përpara se ta fusë sërish në xhep objektin dhe të riniset. Sapo ka bërë një selfie, që nga etimologjia (self=vetvete) diçka vetmitare, por e ka ndarë me një numër të papërcaktuar njerëzish duke e postuar fotografinë në Facebook, Instagram apo ndonjë rrjet tjetër social. Lundërtari vetmitar Manfred Marktel udhëton me varkë nga Namibia në Bahia. Gjatë lundrimit (4 mijë milje) mban një blog, bën të ditur gjithçka që i ndodh, merr komente dhe përgjigjet.

Një vajzë e me emrin Robyn Davidson, në krizë, i bën një sfidë vetvetes dhe vendos të përshkojë shkretëtirën australiane në këmbë. Vite më parë, në kushte psikologjike të ngjashme, një djalë i ri amerikan me emrin Cristopher McCandless ishte larguar nga gjithçka dhe të gjithë për të jetuar në Alaskë.

Të dy këto ngjarje kanë qenë burim frymëzimi për filma: “Tracks” dhe “Into the Wild”. Siç shihet në finale: ai vdes, ndërsa ajo mbijeton. Sepse nuk është izoluar asnjëherë nga gjithçka. Ka marrë me vete qenin, herë pas herë ka patur të pranishëm një fotograf me të cilin ka rënë edhe në dashuri. Ka konceptuar tashmë idenë e një artikulli, një ekspozite fotografike, një filmi. McCandless gjendet i vdekur në një mikrobuz, në pjesën e jashtme të të cilit ka vendosur një letër ku ka shkruar: “Jam i vetmuar dhe kjo nuk është shaka. Ju lutem, në emër të Zotit, ndaluni dhe më ndihmoni”. Ndoshta ka vdekur prej patateve të helmuara që hante. Bashkëfajtore, vetmia. Për këtë arsye, për shpirtin e mbijetesës, nuk dimë ende të përballemi me të?

Për këtë arsye, si Robyni në shkretëtirë, djaloshi i selfie-t dhe lundërtari në oqean nuk janë asnjëherë me të vërtetë vetëm? Kemi mposhtur atë që e konsiderojmë një monstër apo thjeshtë e kemi krijuar në forma të tjera? Që kemi frikë, këtë e dimë qysh prej librit “Mbi vetminë” të psikanalistes Frieda Fromm-Reichmann. Shumë frikë madje, thotë ajo.

Në një artikull të vitit 2013 me titull “Shkenca e vetmisë”, revista amerikane New Republic shpjegon me statistika se vetmia mund të vrasë. Të paktën po aq sa duhani. Dhe të shkaktojë Alzheimerin, obezitetin dhe një përhapje më të shpejtë të metastazave në rastin e kancerit. Një eksperiment i kryer nga psikologia Naomi Eisenberger demonstron që përjashtimi nga një kontekst social provokon një reagim që shkaktohet nga po ato qendra që transmetojnë dhimbjen fizike. Thënë më thjeshtë, është më e mundur të sëmuresh nëse nuk ke askënd pranë që të kujdeset për ty. Sinteza poetike e Audenit është: “Duhet të dashurohemi, ose të vdesim”.

Jo gjithmonë mund të zgjedhësh. Të vetmuar janë kryesisht të moshuarit, të varfërit (ndonëse Alber Kamy e konsideronte “luksin e të pasurve”), të ndryshmit. Tre kategori, ku e kemi të vështirë të refuzojmë “regjistrimin”. Edhe pse psikologu John Cacioppo paralajmëron se “të rrish me të tjerët nuk e shmang vetminë”, janë pikasur forma kurimi që janë të prekshme për të gjithë. Që nga kafshët (shiko filmin Tracks), tek Zoti.

Jeremiti metropolitan i Padovës, padre Domenico Maria, ua sinjalizon besimtarëve si “një mënyrë për t’iu afruar besimit”. Në fakt çdokush, ashtu sikurse në çdo situatë tjetër, bën atë që mundet, duke përshtatur maksimën e Viktor Hygosë: “Vetmia krijon persona inteligjentë. Ose idiotë”.

Ka qenë Vasco Rossi që në Itali propozoi të futet në shkollë ora e vetmisë, për të mësuar të rrimë me vetveten. Shumë vite më herët, kolegu i tij tito Schipa jr. kishte rregjistruar një këngë me titull “Nuk jeni vetëm”, që mbyllet kështu: “E di që në vetmi kam zhvendosur dete dhe male/kam ndezur zjarre/kam guxuar të shkruaj libra të mëdhenj dhe këngë të vjetra/Për të përfunduar si hallka e prishur në fundin e një zinxhiri/Por ju nuk jeni vetëm”.

Eshtë një ftesë sa e përzemërt, aq edhe e ndjekur. Askush sot nuk mundet të rrijë vetëm mbi Tokë. Vagonët e metrosë janë të mbushur me njerëz të ndryshëm që bëjnë chat, në Japoni nëse ulesh në një kafene dhe je vetëm, të vijnë e të vendosin përpara një kukull.

Por a janë vërtetë metoda për të zhdukur vetminë, apo për ta rikrijuar? Dhe nëse është e vërteta kjo e dyta, për ta bërë më të fortë? Kush mund të jetë realisht më i vetmuar, se sa ai që gjendet i futur në një turmë miqsh virtualë? Cdo kthesë në atë drejtim është heqje dorë nga mundësitë konkrete. Djali që bën një selfie shmang mundimin, që t’i kërkojë një të huaji t’i bëjë një foto, siç bëhej një herë e një kohë. Një herë në dhjetë, njëqind, një mijë herë, nga ai kontakt lindte diçka më shumë: një bisedë, një mbrëmje, një marrëdhënie.

Klienti që ulet përbalë kukullës shmang kontaktin pamor me sytë e dikujt që është po i vetmuar dhe që ndoshta mund të afrohet.

Metrotë kanë qenë dikur si faqet e lajmërimeve të vegjël: Gruaja AAA, tridhjetë vjeç, bjonde, sportive, joduhanpirëse kërkon një burrë maksimumi 50 vjeç, ezmer… etj etj. Tani janë libra të mbyllur, sy të fiksuar, tërheqje. Kështu jemi të rrethuar nga shanse që nuk i rrokim. Refuzojmë vetminë, por e zmadhojmë zbrazëtinë që kemi brenda.

Edhe monstrat e kronikës së zezë nuk janë më të vetmuar. Ishte klasike, pas arrestimit, deklarata e fqinjit që thoshte: “Tip i dyshimtë, nuk rrinte kurrë me askënd”. “Monstra”, ai që kryqëzonte prostituta pranë Firences, kishte familje: jetonte me nënën dhe babanë dhe ishte martuar me një imigrante nga lindja. Supozohet që për të mos ndenjur vetëm, duhesh kuruar, të mbash nën fre demonët. Mision jo tamam i realizuar.

Herët a vonë duhet të dorëzohemi ndaj idesë që vetmia është një tipar, si cullufja rebele apo mendjelehtësia. Eshtë në ADN, po aq sa në eksperiencë.

Nëse është e bllokuar në shpirt mund të na shoqërojë ëmbëlsisht tek vetmi të tjera. Rikthehemi gjithmonë tek aforizma e famshme e Nietzsches: “Në vetmi, vetmitari përpin vetveten. Në turmë e përpijnë të tjerët. Tani zgjidh”. Duket si një dënim. I vetmi shpëtim është të pranosh dënimin, në të gjithë kuptimet, të jetosh burgun si liri. Të bësh tënden këngën e Gianni Morandit: “Io ti trovo bella, non mi fai paura/Signora solitudine” (Për mua je e bukur, nuk më frikëson / Zonja Vetmi”!

Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button