Sport

Shpërthejnë polemikat tek Reali i Madridit. Tifozët kërkojnë “kokën” e Bale

Screen Shot 2015-03-24 at 1.44.26 PMGareth Bale ishte futbollisti më i kritikuar i Realit të Madridit në El Clasicon e Camp Nout, që u fitua 2-1 nga Barcelona. Tifozët madrilenë janë të zhgënjyer nga rendimenti i uellsianit, madje 68.3% e tyre kërkojnë që Bale të mos përfshihet në 11-shen titullare nga Carlo Ancelotti. Në fakt ky është rezultati i një sondazhi të organizuar nga prestigjiozja AS, ku morën pjesë më shumë se 8500 tifozë.

Sumuesi britanik zhvilloi një pjesë të parë të mirë në El Clasico, teksa shënoi edhe një gol që u anullua për pozicion jashtë loje të Cristiano Ronaldos, ndërsa në pjesën e dytë thuasje nuk ekzistonte në fushë. Gjatë 45 minutave të dyta dha vetëm 7 pasime, 2 prej të cilave në 30 minutat e fundit, atëherë kur Reali duhet të përmbyste avantazhin e Barcelonës.

Lucas Silva, i cili u hodh në fushë 3 minuta para përfundimit të kohës së rregullt, dha 4 pasime. Statistikat e përgjithshme tregojnë se Gareth Bale ishte futbollisti më i dobët nga 26 lojtarët që zbritën në fushë në Camp Nou në përqindjen e pasimeve, teksa dha të sakta vetëm 58.6%. Në fakt në gjysmëfushën e Barcelonës kjo përqindje ishte edhe më e ulët. Bale rezulton gjithashtu futbollisti i dytë madrilen pas Benzema që ka humbur më shumë topa, plot 17 të tillë.

Statistikat tregojnë gjithashtu se në pjesën e dytë uellsiani nuk ishte në asnjë moment protagonist në zonën e Barcës. Një e dhënë zhgënjyese nëse merret parasysh fakti që në pjesën e parë pati 5 raste për gol.

Sergio Ramos mbron Ançelotin

Sergio Ramos del në mbrojtje të Carlo Ancelottit, duke u shprehur se nën drejtimin e trajnerit italian, Real Madrid është bërë një ekip më i fortë. Ancelotti zuri vendin e lënë bosh nga Mourinho në verën e vitit 2013 dhe mbrojtësi spanjoll beson se puna e bërë nga ai ka ndryshuar fytyrën e ekipit, pavarësisht ecurisë jo shumë pozitive në vitin 2015.

“Unë besoj se Ancelotti është një nga trajnerët më të mirë që më kanë drejtuar. Nuk mund të bëhen krahasime mes tij dhe Mourinhos por besoj se jemi përmirësuar më shumë dhe ndryshimet janë të dukshme, si për ne ashtu edhe për tifozët dhe mediat”.

Në vijim, Ramos kërkon që ekipi të marrë përgjegjësinë për situatën që po kalon. “Më duket e padrejtë që të gjitha fajet t’i faturohen trajnerit. Këtë e them nga eksperienca e madhe që kam në futboll sepse rezultatet duhen parë në aspektin afatgjat”.

Aktualisht, Reali i Madridit mban vendin e dytë të klasifikimit në La Liga me 4 pikë më pak se Barcelona. Në çerekfinalen e UEFA Champions League, “Los Blancos” do të sfidojnë Atleticon, një sfidë që sjell në kujtesë finalen dramatike të vitit 2014.

Leave a Reply

Back to top button