ANTI-FAKE NEWSEtikNet

Si fitojnë lajmet e rreme

nga Aleksander Dardeli

WASHINGTON, DC – Në përgjigje të valës së lajmeve të rreme që përmbyti fushatën e fundit zgjedhore presidenciale në Shtetet e Bashkuara, vëmendje e madhe i është kushtuar atyre që i prodhojnë apo përhapin këto artikuj. Supozimi është që, nëse gazetat dhe portaletdo të raportonin vetëm “faktet”, lexuesit dhe shikuesit do të arrinin gjithmonë në konkluzionin e duhur, për një lajm të caktuar.

Por, kjo qasje trajton vetëm gjysmën e ekuacionit. Po, ne kemi nevojë që organizatat e lajmeve të japin informacione të besueshme; por ne gjithashtu nevojë, që lexuesit e këtyre lajmeve, të jenë konsumatorë “me mend”.

Për dekada me radhë, qeveria amerikane ka mbështetur programe për mbështetjen e mediave të pavarura në shtete autoritare, të privuar nga burimet e informacionit, apo jofunksionale. Por këto programe, heshturazi supozojnë se vetë SHBA është imune ndaj problemeve që hasin njerëzit në vendet e tjera, kur ato krijojnë apo konsumojnë informacione. Ne në SHBA gjithashtu supozojmë se mediat amerikane, të mbështetura financiarisht prej reklamave, do të vazhdojnë të lulëzojnë; që gazetaria e pavarur është normë; dhe që shumica e njerëzve janë të aftë të mendojnë në mënyrë kritike, si dhe të bëjnë gjykime të shëndosha, në lidhje me informacionin që marrin.

Në fakt, disa nga mësimet që kemi nxjerrë, ndërkohë që mbështesim mbledhjen aktive dhe përhapjen e informacionit jashtë vendit, janë njësoj të rëndësishme edhe për SHBA. Në zgjedhjet e vitit 2016, besimet personale që përcaktuan vendimet e miliona votuesve, ishin të bazuara jo vetëm mbi përvojat e çdo personi dhe informacionin që ai merrte, por edhe mbi mënyrën se si përpunohen ato përvoja dhe ky informacion. Marrëdhëniet e vetë votuesve me prodhuesit e përmbajtjes, motivimi i tyre për të besuar ose mos u besuar fakteve, dhe aftësitë e tyre të të menduarit kritik: të gjitha këto përcaktojnë se si ata e interpretojnë dhe veprojnë bazuar në informacionin.

Në zgjedhje, shumica e ekspertëve në mediat kryesore u duk se nuk kuptuan besimet apo këndvështrimet e miliona amerikanëve, ndaj nuk duhet të habitemi që ata miliona amerikanë u “fikën” nga analizat e  pandërprera të këtyre ekspertëve. Për këta votues, ekspertët ishin thjesht tregtarë informacioni, pa asnjë lidhje me çështjet që kanë rëndësi. Burrat dhe gratë që flasin para kamerave televizive janë shumë larg prej realitetit të fabrikave, zyrave, bareve, kishave, shkollave dhe spitaleve, ku shikuesit formojnë marrëdhëniet që përcaktojnë se si ata e përpunojnë informacionin. I ashtuquajturi revolucion digjital nuk e bëri të tepërt, rëndësinë e lidhjeve njerëzore, në formësimin, interpretimin dhe reagimin e njerëzve pas informacionit që ata marrin.

Marrëdhëniet ndërtohen mbi besimin, i cili është thelbësor për të siguruar që konsumatorët të pranojnë informacione, të cilët sfidojnë besimet e tyre. Por, sipas Gallup, vetëm 32% e amerikanëve kanë një besim të madh në mediat tradicionale – një rekord ky. Kjo gjë është shumë problematike, dhe sugjeron se shumë qytetarë kanë hedhur tutje informacionin e mirë, për të marrë të keqin.

Ashtu si me çdo mall tjetër, mënyra si konsumohet informacioni, pasqyron mundësitë ekonomike dhe politike, stimujt personalë dhe normat institucionale apo kulturore. Punëtorët në Ohajo, pagat e të cilëve janë ulur, ose votuesit e papunë në Michigan, vendet e punës të të cilëve kanë emigruar jashtë shtetit, do ta konsumojnë informacionin, në një mënyrë që reflekton situatën e tyre ekonomike. Nuk është çudi, që ata shpesh do të zgjedhin burime – të besueshme apo jo – të cilët janë kritikë ndaj globalizimit dhe politikave aktuale fiskale dhe ekonomike.

Një furnizim i mjaftueshëm me informacion “të shëndoshë” nuk mjafton për të bërë zgjedhje të mira; konsumatorët e lajmeve duhet të kenë aftësi të të menduarit kritik. Informacioni është pak a shumë si ushqimi që hamë: ne duhet të kuptojmë përbërësit e tij, ku dhe si prodhohet, si dhe pasojat e konsumit të tepruar.

Ndoshta do të duhen dekada për të rindërtuar marrëdhënie besimi ndërmjet konsumatorëve dhe mediave kryesore të lajmeve. Konsumatorët e informacionit do të kenë gjithmonë paragjykime dhe stimuj për të zgjedhur një pjesë informacioni, në vend të një tjetre. Megjithatë, ne mund të përmirësojmë aftësitë e të menduarit kritik, në mënyrë që qytetarët të dinë se si të marrin burime të besueshme, si dhe t’u rezistojnë paragjykimeve.

Kultivimi i aftësive të të menduarit kritik kërkon kohë dhe praktikë. Kjo është arsyeja pse është më e rëndësishme se kurrë, që të investojmë në arsim. Disa nga modelet që janë përdorur jashtë vendit mund të funksionojnë edhe në SHBA. Për shembull, në Ukrainë, një nismë e kohëve të fundit nga IREX, ka mobilizuar bibliotekarët, në një përpjekje për të neutralizuar efektet e dëmshme të propagandës së financuar nga Kremlini. Pesëmbëdhjetë mijë ukrainasve iu mësuan aftësi konkrete për të shmangur manipulimin emocional, për të verifikuar burime dhe kredenciale, zbuluar materialet e paguara dhe gjuhën e urrejtjes, si dhe zbuluar dhe demaskuar video dhe foto të rreme.

Rezultatet ishin mbresëlënëse: pjesëmarrësit përmirësuan me 24%, aftësinë e tyre për të dalluar lajmet e besueshme nga lajmet e rreme. Më tej, ata trainuan qindra të stjerë, për të zbuluar dezinformatat, duke e shumëfishuar kështu ndikimin e përgjithshëm të kësaj nisme.

Me një investim tepër modest, ne mund të bëjmë mësimin e këtyre aftësive, një praktikë standarde në programet shkollore. Filantropët mund të krijojnë apo të mbështesin organizatat bazë që punojnë me qytetarë, për të forcuar aftësinë e tyre për të konsumuar informacione duke menduar në mënyrë kritike.

Informacioni i saktë dhe të menduarit kritik, janë të domosdoshme për demokracinë. Ne nuk mund t’i marrim të mirëqena, qoftë edhe në Amerikë. Sepse kështu fitojnë lajmet e rreme.

Përkthyer dhe botuar ekskluzivisht nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2017. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – How Fake News Wins

Ky material është përgatitur nga Bota.al, në kuadër të Projektit EtikNet

Leave a Reply

Back to top button