EtikNetMAIN

Kanibalizëm mediatik

 

Nga Bledi Lumani

Mediet në Shqipëri, kur bëhet fjalë për vrasje e krime, apo për ngjarje të tmerrshme si ajo e Kombinatit, seç kanë një zell të habitshëm për të publikuar me detaje çdo gjë, pa e kaluar fare në filtër dhe pa i bërë pyetje vetes: kujt i shërben kjo?

Është kthyer në një garë të ethshme, kush publikon sa më shumë detaje, foto, video, dëshmi, qarje e ulërima familjarësh, pa pasur pikën e dhembshurisë se mund të lëndojnë njerëz.

Me rastin e Kombinatit, është kaluar çdo masë.

Në marrëzinë dhe çmendurinë e publikimit të detajeve “ekskluzive”, të enjten, shtatë ditë pas zbulimit të ngjarjes shokuese, ndërsa njerëzit ndodheshin para tavolinës për të ngrënë darkë, kanë arritur deri aty, sa të nxjerrin pamjet e Anisës së shtrirë në krevat, ndërsa dergjej e pajetë prej muajsh.

Jo vetëm kaq, por me një qetësi olimpike dhe pa pikën e ndjeshmërisë njerëzore, por edhe me injorancë profesionale natyrisht, gazetarët shpjegonin si ishte vendosur trupi, drejt apo anash, se poshtë kokës kishte jastëk (a thua se do i kishin vënë gurë), se kishte edhe tri jastëkë të tjerë në dhomë, po që s’kishin lidhje me viktimën, se në krah kishte një karrige, po kishte edhe një leckë me uthull e një pjatë, dhe detaje të tjera të këtij lloji, që nuk përbëjnë asnjë interes për atë që ka ndodhur dhe as ndihmojnë për zbardhjen e tragjedisë, dhe nuk kuptohet pse duhen publikuar.

Për të mos folur pastaj, që një gazetare lexonte edhe një ditar, që thoshte se i përkiste Anisës dhe Blertës, gjë që së pari shkel privatësinë e tyre, pasi ditari është personal, dhe së dyti, është edhe shkelje ligjore, pasi kemi të bëjmë me një çështje në hetim dhe ditari është provë për prokurorët, jo për t’u lexuar si roman kujtimesh nëpër panele televizive. Dhe nëse ditari është vërtet i vajzave, ai që ua ka dhënë gazetarëve, duhet të ndiqet penalisht, pasi ka nxjerrë në publik prova të një hetimi.

Ajo që ka ndodhur me Anisën, Blertën dhe mamanë e tyre është një nga ato ngjarje që e tejkalon çdo logjikë njerëzore, dhe për këtë arsye, duhet të ketë një vetëpërmbajtje së pari njerëzore, e pastaj profesionale, sepse jo çdo gjë që publikohet është e dobishme dhe me interes për ngjarjen në fjalë.

Se fjala vjen, kujt i duhet publikimi i fotove e videove të viktimave shtrirë në krevat, me një mballomë të shkruar sipër, si ekskluzive!

Nuk përbën as lajm, as interes, as dhe ndihmon në zbardhjen e asaj që ka ndodhur. Thjesht trazon edhe më shumë plagët e të afërmve dhe atyre që i kanë njohur viktimat. Nëse nuk keni respekt e dhembshuri për ta, të paktën kini respekt për veten dhe profesionin! / gazetatema.net

Leave a Reply

Back to top button