Covid19

Studimi: Prekja nga Covid-19, mbart një rrezik shumë më të lartë për zhvillimin e komplikimeve neurologjike sesa vaksina

Sipas një studimi të ri që përfshin ekspertë nga Universitetet e Oksfordit dhe i Notingemit,prekja nga Covid-19 ka më shumë gjasa të shkaktojë ngjarje shumë të rralla neurologjike sesa vaksinat kundër këtij virusi. Të dhënat e këtij studimi janë botuar në “Nature Medicine”.

Studiues nga e gjithë Britania e Madhe raportuan mbi rreziqet e zhvillimit të komplikacioneve neurologjike pas një testi PCR pozitiv ndaj Covid-19, apo një doze të parë të vaksinës së Oxford-AstraZeneca apo Pfizer-BioNTech. Disa vaksina kundër Covid-19, përfshirë ato të Oxford-AstraZeneca dhe Pfizer-BioNTech, janë miratuar për përdorim në shumë vende, dhe kanë treguar se reduktojnë infektimet e reja, transmetimet, shtrimet në spital dhe vdekjet nga SARS-CoV-2.

Ndërkohë ka pasur raporte për komplikime të rralla neurologjike të lidhura me infeksionin SARS-CoV-2 dhe vaksinat. Në këtë studim, studiuesit përshkruajnë në detaje gjetjet nga një analizë e të dhënave anonime të mbi 32 milionë njerëzve në të gjithë Anglinë.

Ata vlerësuan rrezikun e zhvillimit të komplikimeve neurologjike brenda 28 ditëve nga marrja e dozës së parë të vaksinave të Oxford-AstraZeneca (ChAdOx1nCoV-19) ose Pfizer-BioNTech (BNT162b2), ap brenda 28 ditëve nga një test pozitiv PCR për Covid-19.

Studiuesit gjetën një rrezik të rritur, por gjithsesi në nivele të ulëta të gjendjeve të rralla neurologjike, si për shembull të sindromit Guillain-Barré dhe paralizës Bell, pas dozës së parë të vaksinës Oxford-AstraZeneca, dhe një rrezik të rritur, por gjithsesi në nivele të ulëta të goditjes në tru pas një doze të parë të vaksinës Pfizer-BioNTech.

Por ndërkohë infektimi nga Covid-19 u shoqërua me një rrezik më të madh të zhvillimit të komplikimeve neurologjike, sesa marrja e njërës prej vaksinave. “Kjo analizë na ofron një informacion shumë të rëndësishëm, se cilat kushte neurologjike mund të lidhen me vaksinimin ose infektimin nga Covid-19.

Në përgjithësi, gjetjet nga ky studim tregojnë se rreziqet e shtrimit në spital me komplikime të sistemit nervor të lidhura me infeksionin Covid-19 janë më të mëdha se sa rreziqet e lidhura me vaksinimet kundër Covid-19; dhe kjo nxjerr në pah përfitime shumë më të mëdha nga programet e vazhdueshme të vaksinimit”-thotë profesoresha Kerol Kuplend nga Shkolla e Mjekësisë në Universitetin e Noteinghemit, e cila ishte një nga studiueset e përfshirë në studim.

Martina Patone, statisticiene mjekësore në Departamentin e Shkencave Shëndetësore të Kujdesit Parësor Nafilld, Universiteti i Oksfordit, dhe bashkëdrejtuese e studimit u shpreh: “Ne gjetëm rreziqe të ndryshme për lloje të ndryshme të gjendjes neurologjike, në varësi

të vaksinës që merrnin njerëzit. Megjithatë, ato ishin në thelb më të ulëta sesa rreziqet që ndodhin kur ka një test PCR pozitiv për Covid-19. Për shembull, ne vlerësojmë 145 raste të tepërta të sindromës Guillain-Barré për 10 milionë njerëz në 28 ditët pas një testi pozitiv ndaj SARS-CoV-2, krahasuar me vetëm 38 raste për 10 milionë për ata që morën vaksinën ChAdOx1nCoV-19”.

Testet klinike fillestare të vaksinave, nuk ishin mjaftueshëm të mëdha për të qenë në gjendje të zbulonin ngjarje negative neurologjike shumë të rralla, pra ato që ndodhin në më pak se 1 në 10.000 njerëz. Ky studim ishte në gjendje ta arrinte këtë duke parë të dhënat e botës reale, nga mbi 32 milionë të dhëna të kujdesit shëndetësor në Angli.

Studimi përdori atë që njihet si “seri e rasteve të vetë-kontrolluara (SCCS)”. Një SCSS krahason sa shpesh ndodhin “ngjarjet e padëshiruara” – në këtë rast komplikimet neurologjike – në periudha të ndryshme kohore tek i njëjti person; para dhe pas një periudhe të shkurtër,dhe në një periudhë të mëvonshme pas një ekspozimi ndaj një vaksine anti-Covid, apo një testi pozitiv për SARS-CoV-2. / Medicalxpress – Bota.al

Back to top button