Teknologji

Të gjithë jemi në rrjetën e krimit kibernetik

Screen Shot 2015-03-23 at 21.28.04

Llogaritë online mund të vidhen. Dronet mund të transportojnë drogë ose bomba, në vend të picave, printerat 3D mund të nxjerrin armë. Telekamerat e pajisjeve tona mund të merren peng. Ashtu si GPS e avionëve dhe anijeve. Një ekspert ilustron anën e errët të teknologjisë së lartë të kontrolluar përmes internetit. Dhe në fund, shtatë këshilla për të lundruar në ujëra të sigurtë…

Teknologjitë e reja që çdo ditë e më shumë po na revolucionarizojnë jetën, rrezikojnë të na kthehen kundër. Ndërkohë që festojmë epokën e “të gjithëve dhe gjithçkaje të lidhur në rrjet”, të dronëve që sjellin picat, të GPS që na orienton dhe printerave 3D që prodhojnë pajisje, vjen si gjithmonë kukuvajka, që të na prishë festën. Quhet Marc Goodman, 40 vjeç, ish polic në Los Angeles, ekspert i krimit kibernetik, sot konsulent i qeverive dhe kompanive private në 70 vende të ndryshëm. Thirrja e tij e alarmit quhet “Future Crimes” (Krimet e të ardhmes) dhe tregonnë mënyrë rrethanore se si kriminelë, mafie, fuqi armiqësore dhe terroristë janë duke përfituar prej rrjetit global për qëllimet e tyre, dhe se si në të ardhmen teknologjitë e reja do ta bëjnë jetën e tyre edhe më të vështirë, ndërsa tonën një ferr të vërtetë. Që tani vlerësohet se vetëm në vitin 2013, krimi në internet ka xhiruar 400 miliardë dollarë. Por është një vlerësim deri diku i hamendësuar. Në janar, për të marrë një shembull, krminelë kibernetikë penetruan në rrjetet e njëqind bankave të botës duke përdorur viruse që barteshin në mënyrë të pavetëdijshme nga të punësuarit: mes llogarive rrjedhëse të boshatisura dhe bankomatëve të piratuar, arritën të vjedhin një shifër mes 300 dhe 900 milionë dollarë.

“Ky episod”, shpjegon informaticieni Stefani Fratepietro, docent në Universitetin e Modenës dhe Reggio Emilias, “ilustron më së miri se si pika e vërtetë e dobët e shoqërisë së super ndërlidhur është mungesa e një edukimi masiv në përdorimin e këtyre pajisjeve. Sot janë bërë të rralë sulmet kompleksë kundër rrjeteve publikë apo privatë super të mbrojtur, që përgjithësisht kryhen prej atyre hacker- ave që kanë dëshirë të demonstrojnë zotësinë e tyre. Ndërkohë që janë shumëfishuar në mënyrë eksponenciale sulmet kundër miliona përdoruesve të zakonshëm që kryhen përmes “phishing” (mashtruesit paraqiten si përfaqësues bankash apo kompanish të mëdha duke kërkuar të dhëna personale) apo viruse të fshehur në faqe interneti të pasigurta, soe të shkarkuar me aplikacione. Pasi i kanë “infektuar”, prej kompjuterëve apo celularëve kriminelët mund të tërheqin të dhëna dhe fjalëkalime, për t’u futur në faqe të mbrojtura, si ato të bankave, apo në rrjetet e punës”.

Por për Goodmanin, e gjithë kjo është histori e vjetër. Mbërritja në masë e smartphone-ve dhe tani e “internetit të gjërave”, domethënë lidhja në rrjet e televizorëve, makinave, lojërave, robotëve, elektroshtëpiakeve apo telekamerave, do u mundësojë keqbërësve të teknologjisë që të veprojnë jo më vetëm në botën virtuale të internetit, por edhe në botën reale.

“Smartphonet dhe tabletët janë vecanërisht në rrezik, sepse mund të merret kontrolli edhe i telekamerave të tyre, mikrofonëve dhe GPS: një gjë ideale kjo për gjahtarë dhe spiunë”, shpjegon Goodman. Apo për “Vëllezërit e mëdhenj” të çfaërdolloji. Studentët e shkollës së lartë të Louer Merion në Pensilvani kanë zbuluar për shembull se janë të kontrolluar, edhe në shtëpi, nga drejtori, i cili përdorte për këtë qëllim tabletët që kishte ofruar vetë shkolla. “Por më e keqja nuk ka ardhur ende sepse, nëse sot janë 13 miliardë pajisje online, në vitin 2020 mund të arrijnë në 50 miliardë”.

Një shembull i kësaj Bote të Re ilustrohet nga ajo që i ka ndodhur në vitin 2013 Croun Casino-s në Melbourne: kriminelë kibernetikë u futën përmes internetit në telekamerat e saj dhe i përdorën për të parë letrat e atyre me të cilët luanin poker. 32 milionë dollarë humbje brenda një nate. Pastaj ka hajdutë dhe maniakë që mund të marrin kontrollin e telekamerave në apartamente, për të përgjuar banorët. “Por nuk janë vetëm kriminelët që infiltrohen në shtëpitë tona”, kujton Fratepietro. “Eshtë zbuluar se mikrofonët e televizorëve smart Samsung qëndronin gjithmonë ndezur, duke dërguar atë që përgjonin në një faqe të kompanisë, ndoshta për t’ua shitur ato të dhëna kujtdo që donte informacione mbi programet që ndiqeshin”. Edhe pajisjet mjekësore që shpëtojnë jetë, të lidhura në rrjet për kontrollin mjekësor fshehin rreziqe: në vitin 2012, hackeri Barnaby Jack demonstroi se mund të të bëjë të lëshojë një shkarkesë prej 800 volt, një defribilator i implantueshëm.

Lidhja e gjithçkaje lejon edhe kontrollin në distancë të centralit të makinës, një mundësi reale kjo në disa modele, për të provokuar aksidente. “Dhe çfarë do të ndodhë”, pyet Goodman, “me makinat pa shofer? Nëse siguria e tyre informatike nuk do të jetë e hekurt, mund të përdoren si armë apo për të rrëmbyer njerëz”.

Duam të shohim edhe më larg? Kur automjetet pa shofer do të jenë të zakonshëm në rrugë, shtëpi dhe zyra, dikush mund të marrë kontrollin në distancë, e t’i përdorë si robotë për të kryer sulme pa riskuar aspak.

Lidhja e gjithçkaje në rrjet është shndërruar sot në një parajsë për spiunët: në vitin 2011 u zbulua se dikush nga Kina kishte hyrë në rrjetin e Dhomës së Tregtisë në Uashington, duke penetruar nga një termostat i lidhur në internet, duke arritur kështu të kuptojë të fshehtat industriale që kalonin në kompjuterë.

Rreziku më i keq është që edhe terrorizmi të bëhet kibernetik dhe të përdorë mundësitë e reja teknologjike për të kryer sulme shkatërrimtarë. Për shembull duke ndryshuar sinjalet GPS që udhëheqin anije dhe avionë. Që kjo është e mundur, e kanë demonstruar në vitin 2013 dy studentë të MIT, duke devijuar nga rruga jahtin “Trëndafili i Bardhë” i Drachs, ndërkohë që nga ata që ishin në bord, askush nuk mori vesh gjë.

Dhe dronët? Që tani, përdorimi që u bëjnë narkotrafikantët për të trafikuar drgoë përtej kufirit amerikan tregon se sa e vështirë është të kapen. Tani makthi është që të përdoren prej terroristëve për të transportuar bomba: në vitin 2010, një arabo- amerikan i kapur nga FBI, ishte gati të sulmonte Pentagonin dhe Kongresin duke përdorur tre drone të vegjël të telekomanduar dhe të mbushur me eksplozivë.

Edhe printerat simpatikë 3D kanë anën e tyre të errët: në rrjet janë të disponueshëm projekte pistoletash për t’u printuar në plastikë, të pakapshme nga detektorët metalikë. Për momentin janë të dobëta, por në të ardhmen printerat 3D mund të printojnë polimere më rezistentë, dhe atëherë “armët e bëra vetë” do t’u shtohen atyre industriale.

Një kapitull më vete i kushtohet rreziqeve të bioteknologjive. “Në vitin 2012 u pengua botimi në revistat shkencore i detajeve se si mund të bëhet më ngjitës virusi H5N1””, kujton Goodman, “por megjithatë procedura u shfaq në internet pak kohë më vonë: mendoni sikur terroristët të kishin laboratorë dhe aftësi për të përdorur informacione si këta për të krijuar viruse”.

Në fund ekziston rreziku që keqbërësit kibernetikë të bllokojnë apo ndryshojnë impiantet e rrjeteve të energjisë elektrike, gazit apo ujit të pijshëm: shumë prej këtyre kontrollohen përsëlargu dhe mbikëqyren prej sistemeve të vjetër operativë, të lehtë për t’u infiltruar. Ka ndodhur tashmë: në vitin 2007, kriminelë kibernetikë sulmuan centralet elektrikë në Barzil, duke lënë në errësirë 3 milionë vetë. “Pra”, konkludon Goodman, “nuk do të arrijmë të kontrollojmë as risqet ekzistues, e megjithatë vazhdojmë të shtojmë teknologji të reja, të pasigurta, të cilave u delegojmë detyra gjithnjë e më të rëndësishme”.

Si mund të shpëtojmë? Duke parë që hacker-ët përdorin gabimet e programeve për të ndërhyrë në sisteme, duhet të bëhen përgjegjës shkaktarët e dëmeve që i lënë këta defekte. U duhen ofruar stimuj të rëndësishëm financiarë hacker-ëve që gjejnë këta gabime, me qëllim që të mos tundohen t’ua shesin kriminelëve. Por mund të krijohen edhe agjenci ndërkombëtare për sigurinë në internet, që mund të veprojnë me shpejtësi në të gjithë botën, duke përdorur teknologjitë e fundit, pikërisht ashtu si bëjnë kriminelët kibernetikë. Si dhe të krijohen ekipe “zjarrfikësish” kibernetikë, që bllokojnë rreziqet në rrjet, sapo këta shfaqen. Do të ishte e nevojshme edhe një OKB kibernetike që të koordinojë në nivel ndërkombëtar reagimin ndaj rreziqeve që përhapen në internet.

Por mbi të gjitha, duhet të krijohet një lloj Projekti Manhattan në shkallë botërore: gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara bënë një përpjekje të madhe industriale, shkencore, politike dhe financiare për të mbërritur tek bomba atomike përpara nazistëve dhe japonezëve. E njëjta gjë duhet bërë tani për të eleminuar rreziqet e teknologjisë, duke përfshirë qeveri dhe industri në vendosjen e standarteve të fortë për të gjithë produktet dhe sistemet e teknologjisë së lartë. /L’Espresso/ www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button