Sport

Të mëdhenjtë e letërsisë të frymëzuar nga futbolli

momente futbolli
Ndërsa kampionati botëror i futbollit ka hyrë në fazën më të bukur, më poshtë gjeni disa nga shprehjet më interesante të disa shkrimtarëve, skuadrat e të cilëve këtë vit ishin të pafata…
 
Prej gati tri javësh, aktiviteti që ka marrë vëmendjen e të gjithë botës është padyshim Kampionati Botëror i Futbollit “Brazil 2014”. Edhe për ata më të painteresuarit ndaj futbollit, kampionati botëror gjithmonë zgjon kureshtje, duke qenë se është shndërruar në një arenë argëtimi sportiv dhe jo vetëm.
Në Europë dhe Amerikën Latine, futbolli është sporti më i njohur dhe rrjedhimisht edhe më i dashur. E megjithatë, nuk mungojnë ata që ky sport i lë tërësisht indiferentë.
Shkrimtarë ndër më të njohurit në botë nuk i kanë shpëtuar entuziazmit të shkaktuar nga ky sport. Oscar Wilde, George Orwell, Kamy, Nabokov e të tjerë kanë pasur këndvështrimet e tyre sa i përket futbollit.
 Ndërsa kampionati tashmë është në fazë eliminimi direkt e skuadrat tuaja të zemrës mund të jenë kthyer në shtëpi, ngushëllohuni me mençurinë e disa prej më të ndriturve në letërsi.
 
Albert Kamy: “Gjithçka që di për përgjegjësitë dhe moralin ia detyroj futbollit”. Algjeria e origjinës së ekzistencialist të madh e justifikoi më së miri me një paraqitje spektakolare. Në fund të 120 minutave me Gjermaninë fitoi eksperienca, por padyshim Algjeria zhvilloi një nga ndeshjet më të bukura tëkampionatit.
 
Zhan Pol Sartri: “Në një lojë futbolli, gjithçka komplikohet nga prania e skuadrës kundërshtare.”
Francës së Sartrit iu komplikua vërtet loja nga afrikanët e Nigerisë, por francezët nuk janë dorëzuar ende.
 
Anglia është atdheu i disa prej mendjeve më të ndritura dhe është edhe vendi ku është shpikur futbolli siç e njohim sot, megjithatë paraqitja e kombëtares sivjet ishte për t’u harruar. Pavarësisht kësaj, britanikët janë ndër tifozët më të zjarrtë në botë dhe shkrimtarët nuk bëjnë përjashtim.
Salman Ruzhdi me origjinë indiane, por shtetësi angleze: “Të botosh një libër e të xhirosh një film është fantastike, por Totenhemi që mund Mançester Junajtid 3-2 nuk ka çmim”.
Sir Walter Scott: Jeta vetë është një lojë futbolli.”
George Orwell: “Futbolli – një lojë ku të gjithë dëmtohen dhe çdo komb ka stilin e vet, që u të huajve u duket inferior.”
Oscar Wilde: “Regbi është një lojë për barbarët që luhet nga zotërinj. Futbolli është  një lojë zotërinjsh që luhet nga barbarët.”
 
Shqipëria, fatkeqësisht, nuk ka arritur asnjëherë të jetë pjesëmarrëse në finalet e një Botërori ose edhe Europiani. Kjo nuk e ka penguar pjesën më të madhe të jenë tifozë, por të të huajve. Gjithsesi, jo të gjithë e kuptojnë dhe vlerësojnë futbollin… si në rastin e Faik Konicës: “Lodra e topit me këmbë nuk është veçse një rast kumari: e lozin një grusht burrash dhe mijëra të tjerë bëjnë bast kush do të fitojë. Nuk i sjell ndonjë të mirë as shëndetit, as mendjes. Në Shqipëri është një importim qesharak pa rrënjë në zakonet tona.”
 
Dhjetëra dekada më vonë është e natyrshme të mos jesh dakord me një përkufizim të tillë. Futbolli vazhdon të luhet nga një grusht  burrash – tashmë edhe grash – dhe jo mijëra, por miliona të tjerë i shohin – pa dyshim vënë edhe baste. Futbolli është argëtues për shumicën e njerëzve dhe kampionati i Brazilit është edhe një spektakël i madh.
Përgatiti për bota.al Elona Qose

Leave a Reply

Back to top button