Teknologji

TEKNOLOGJI / Po të spiunojnë, dhe nuk është lojë!

po tw spiunojnwNjë grua në një stacion autobusi po publikon një fotografi në rrjetin social, ndërkohë që personi në krah të saj duket sikur po luan me celularin, por në të vërtetë, po vjedh të dhënat bankare nga filiali i një banke që ndodhet përballë, dhe pas pak do të shkojë të boshatisë të gjithë bankomatin. Eshtë një skenë e marrë nga “Watch Dogs”, një lojë e re elektronike shumë ambicioze e Ubisoft, që pritet të dalë në 27 maj. Jemi në Chicago, ku gjithçka është e lidhur në rrjet dhe e menaxhuar nga një program inteligjent: telekamera, semaforë, porta, ura, sisteme sigurie, infrastruktura industriale, metro, automobilë, ashensorë, si dhe telefonë celularë e bankomatë. Personi që luan është në rolin e Aiden Pearce, një hacker në gjendje të hyjë në çfarëdolloj sistemi informatik: dhe “Watch Dogs” “mundëson të kuptosh se çfarë do të thotë të jetosh në një metropol pas dhjetë vitesh, dhe çfarë rreziqesh ndeshim në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur”, shpjegon Vitaly Kamluk, studiues në Kaspersky Lab, kompania e sigurisë informatike konsulente e prodhuesve të lojës. Ka bashkëpunuar për të ofruar detajet e veprimtarisë së hacker-ave “që gjithësesi është paraqitur në mënyrë të besueshme”.

Edhe pse në botë nuk ekziston ende një qytet i ndërlidhur si ai i “Watch Dogs”, që tani disa prej ngjarjeve që përshkruan loja janë realitet: “Për shembull”, thotë Kamluk, “kompania jonë është e angazhuar në investigimin e një keqbërësi rus, i cili përmes internetit hyri në sistemin operativ të një banke dhe pasi e modifikoi në interes të tij, shkoi në bankomat dhe mori prej aty të gjithë paratë”. Pikërisht nga një goditje e tillë nis “Watch Dogs”, me prologun që përzien aksionin dhe dramën dhe që vijon me ritmet e një filmi hollivudian: kur tentativa e Aiden Pearce për të tërhequr në mënyrë të paligjshme paratë elektronike nga një llogari bankare ndërpritet papritur për faj të tij, dikush përpiqet që ta bëjë ta paguajë këtë veprim dhe të provokojë një aksident me makinë, ku megjithatë në vend të tij, vdes i nipi.

“U nisëm nga ideja e një loje elektronike që do i mundësonte lojtarit të kontrollonte një qytet të tërë”, rrëfen skenaristi Kevin Shortt, “dhe kemi menduar që e vetmja mundësi për ta krijuar ishte të kishim një hacker si protagonist. Kemi studiuar metropole të ndryshme të botës dhe zbuluam që, ndonëse në mënyrë ende jo-organike, tashmë shumë prej shërbimeve dhe infrastrukturave janë të lidhura në internet dhe kështu mund të merret kontrolli nga jashtë. Gjithçka që mund të bëhet në lojë është e mundur edhe në realitet: mund të hedhësh në erë përshembull një tubacion të qytetit për ngrohjen, duke orientuar avullin në një drejtim dhe duke mbyllur disa valvula nga interneti”. Lojtari mundet të ndryshojë ngjyrat e një semafori nga distanca, duke provokuar një aksident dhe humbur gjurmët e policisë që po e ndjek, ose mund të bllokojë qëllimisht një semafor për të hequr qafe një armik. “Kemi zgjedhur Chicagon sepse është një qytet shumë kinematografik, me qiellgërvishtësit dhe urat që kemi parë në dhjetëra filma, por nuk ishte shfrytëzuar asnjëherë në një lojë elektronike”, shpjegon Thomas Geffroyd, përgjegjës për përmbajtjen e lojës. “Por mbi të gjitha sepse është një prej qyteteve më të kontrolluar në botë, me 2500 telekamera me qark të mbyllur, disa teknologji shumë të sofistikuara të njohjes së fytyrës, dhe policinë që përdor algoritme matematikorë për të parandaluar krimet në të ardhmen”.

Natyrisht, një pjesë e madhe e veprimtarisë së hacker-imit në lojë u përket jetës së personave të tjerë, që Pearce mund t’i përgjojë nga celulari i tij, duke dëgjuar bashkëbisedimet, zbuluar sekretet që i ruajnë në telefona dhe në internet, duke u gjetur identitetin përmes telekamerave të sigurisë së qytetit, e madje duke përdorur kamerat edhe për të hyrë në shtëpitë e tyre. Për çdo qytetar virtual mund të dihen të ardhurat dhe detaje personalë, si për shembull fakti që ka qenë dënuar për mashtrim, që blen shpesh libra në internet apo që po pret një transplant të mëlçisë. Një seri informacionesh të besueshëm, të çuditshëm dhe shpesh argëtues që krijohen nga programi në kohë reale dhe që i bëjnë qytetarët e Chicagos diçka më shumë se sa një përfaqësim në pixel-a fotografikë. “Një prej temave të lojës është privatësia dhe aksesi në infromacion”, vazhdon Shortt, “dhe shpresa jonë është që duke vendosur lojtarët në vend të Aidenit, ata do të kuptojnë se sa delikate dhe të cënueshme janë të dhënat e tyre personale, që janë të disponueshme në internet. Në realitet, gjithë këto janë të padukshme, të gjithë e dimë që dikush mund të na spiunojë por nuk vetëdijësohemi. Aspekti ironik i “Watch Dogs” është që kur mbaron loja, përdoruesi do të marrë celularin e tij smartphone dhe do të dalë nga shtëpia, duke u shndërruar në një prej atyre qytetarëve të paditur, që sapo ka spiunuar.

Leave a Reply

Back to top button