Teknologji

TEKNOLOGJI / Të blesh një “like”. Tarifat e kënaqësisë

Me 12 dollarë, 1000 “fansa”. Me 600 dollarë, 1 milionë ndjekës. Por kujdes nga lakmia. Një histori e shkurtër e “gishtit të madh”

Social networking LIKENë vitin 1930, Nevil Monroe Hopkins, inxhinier në Universitetin e Nju Jorkut pati një ide. Vendosi të krijojë një pajisje, që t’u mundësonte dëgjuesve radiofonikë që të shprehnin vlerësimin e tyre për përmbajtjen e transmetimeve që dëgjonin. Ajo pajisje quhej “radiovotë”. Pavaësisht se u përshëndet si një mjet për të testuar humorin e opinionit publik, prototipi mbeti e zuri pluhur në raftet e profesorit. Pothuajse 80 vjet më vonë, në shkurt të vitit 2009, Mark Zuckerbergu vendosi në faqet e Facebookut butonin me gishtin e madh të ngritur lart. Revolucionit të kënaqësisë i ishin dashur vite që të realizohej, dhe tani asgjë nuk do të ishte më si më parë.

Në të vërtetë, butonin “like” nuk e shpiku Zuckerbergu. Merita në fakt u takon perandorëve romakë, kur këta ngrinin gishtin për të përgëzuar gladiatorët në arenë. “Ke luftuar mirë, ndaj po të kursej jetën”, ishte ideja. Sot, ai veprim ka fituar domethënie të reja. “Më pëlqen, më bën të ndihem mirë, ndaj me ty atë që thua, më argëton. Më jep kënaqësi. Dhe ta them duke klikuar një buton”. Që nga viti 2009 e deri sot janë derdhur lumenj boje mbi këtë argument, dhe prej disa vitesh akademikët i janë futur punës për të kuptuar se si një ikonë ka ndryshuar konceptin tonë të kënaqësisë. Ka nga ata që thonë se “like” po zëvendëson seksin. Ndoshta teori e guximshme kjo. Por ajo që është e sigurtë, të paktën sipas Larry Rosen, docent i psikologjië në Universitetin e Kalifornisë, autor i “Psikologjia e Teknologjisë”, është që “like” është shndërruar në një lloj “empatie virtuale”. Për Moira Burke të Universitetit Carnegie Mellon “një ‘like’ e rrit kapitalin tonë shoqëror. Personat që e marrin ndihen më pak të vetmuar”. Nuk është aspak habi, të vjen të thuash, duke parë që në media faqet Facebook kanë sot mesatarisht 50 milionë vlerësime në ditë. Megjithatë, ajo që të befason është analiza cilësore. Sipas një analizë të “Shkenca e Turmës”, 28 % e përdoruesve e klikojnë ikonën për të shprehur mbështetjen e tyre, 28% për të shprehur kënaqësi prej përmbajtjes së materialeve filmikë apo fotografikë. Por, 14 përqind e bëjnë për të shprehur vlerësimin për një markë. Dhe këtu qëndron gjithë ideja. Kënaqësia jonë, simpatia dhe kapitali ynë social po fitojnë një vlerë ekonomike. Ekzistojnë analiza që i përkthejnë në dollarë vlerën e një “like”: për “Zara”-n bëhet fjalë për 405 dollarë për një klikim, për Coca-Colan 70 dollarë. Mesatarisht është diku tek 170 dollarë. Por ajo që shihet prej të gjithëve është se markat e mëdha janë në garë për të shkëputur sa më shumë gishtërinj të ngritur përpjetë. Dhe ashtu si në cdo lloj ekonomie, ekziston një treg i zi i “like”-ve.

Verën që kaloi ngjalli shumë diskutime një investigim i të përditshmes britanike, The Guardian, i cili tregonte se si në Bangladesh ekzistojnë “ferma” të vërteta “like”-sh që shesin ndjekës në Twitter, like në Facebook, kontakte në Google+ dhe zemra në Instagram. Pasi të mëdhenjtë e Silicon Valley i shpallën luftë Bot-eve, domethënë llogarive false që gjenerojnë trafik, tregu e ka kthyer nevojën në virtyt dhe ka filluar të punësojë mijëra punonjës të nënpaguar (paga mesatare është 10 dollarë për 1000 like) detyra e vetme, mekanike dhe përsëritëse e të cilëve është që të klikojnë manualisht. Objektivi është të rritet kapitali social i klientit në fjalë, qoftë ky institut qeveritar, një markë apo një këngëtare në kërkim të popullaritetit. Truku u zbulua nga investigimet e mëvonshëm gazetareskë. Në fillim u vu re që disa faqe kishin një numër “like”-sh që ishte i tepruar po të merrje parasysh përmbajtjen e tyre (për shembull një film me kartona, për më tepër i panjohur, kishte më shumë vlerësime se një film i Hollywoodit). Më tej, duke parë origjinën gjeografike të atyre klikimeve, u zbulua se si shumë “like” vinin nga India, Egjipti apo Azia. Pra, edhe pse rrjetet më të mëdhenj socialë janë kundër përdorimit të këtyre praktikave, është nga ana tjetër e vërtetë që nuk ekzistonë ligje të qartë.  “Facebooku punon në mënyrë konstante për të hequr “like”-t e gjeneruar përmes përdorimit të instrumentave që shkelin rregullat. Në fakt, një “like” që nuk buron nga një interes i vërtetë i një personi të vërtetë kundrejt një faqeje, apo një materiali, nuk përkthehet në një përfitim për personat dhe kompanitë, dhe për këtë arsye ne investojmë cdo ditë për rritjen e nivelit të mbrojtjes”, thotë Luca Colombo, Country Manager i Facebookut në Itali. Por sa kohë që nuk ndërhyn ligjvënësi, marketingu në internet i zgjeron kufijtë e tij. Dhe shkon atje ku tregu i punës është më pak i kushtueshëm.

Mjafton të bësh një xhiro në Google për ta kuptuar. Janë me mijëra faqet që ofrojnë këtë shërbim. Pjesa më e madhe e tyre përdor Botnet-et. Por ka dhe nga ata që janë stërvitur me punonjës të paguar keq. 12 dollarë për 250 pluse në Google+, 1000 ndjekës në Instagram, deri në 1 milionë ndjekës në Twitter për afro 600 dollarë. Për Facebookun në përgjithësi shitjet janë me paketa: një mijë fansa për 18 euro, 5 mijë për 90 euro, 10 mijë për 180 euro. Pagesa kryhet përmes PayPalit me përfundimin e punës për paketën më të volitshme.  Ndërkohë që për dy të tjerat, 50 % paguhet në fillim dhe 50% në fund.

Të rëndësishme janë edhe strategjitë që përdoren: një prej mënyrave më të thjeshta për të zbuluar falset është rritja e papritur. Një arsye përse në tregun e zi të kënaqësive këshillojnë që t’i blesh “like”-t pak nga pak dhe jo të gjitha menjëherë. Ndërsa nëse një profil Twitter kalon brenda ditës nga një ndjekës, në një milionë, e kuptojnë të gjithë që rritja e fiktive dhe nuk i korrespondon një vlerësimi real. Kështu që, teknika më e mirë është që t’i rrisësh kuotat duke duruar.

Përtej trukeve, mbetet fakti që koncepti i kënaqësisë dhe i kapitalit social janë gjithmonë e më të ngjashëm. Dhe që në epokën e “like”, është më e lehtë të bëhesh ai që nuk je. Një mendim që të con të mendosh, mos vallë do të ishte mirë të nxirrnim nga raftet dhe t’i fshihnim pluhurin “radiovotës” së Nevil Monroe Hopkinsit.

Leave a Reply

Back to top button