Enigma

Grafitet e Persepolis, “pushtuesit” e vërtetë të Persëve

Nga Shirazi, Ben Andoni

Cili është Persepolisi?

Persepolis, fjalë për fjalë, do të thotë “Qyteti i Persianëve”. Dikur ishte kryeqyteti ceremonial i Perandorisë Akamenide (Daton qindra vjet para Krishtit). Persepolis është i vendosur 70 km në verilindje të qytetit të Shirazit, qendra e Provincës Farsi në Iran. UNESCO i shpalli në vitin 1979 rrënojat e Persepolis, sit i Trashëgimisë Botërore. Persianët e lashtë e njihin atë me emrin Parsa. Toponimi Persepolis lidhet me greqishten Persepolis që do të thotë: “qytet persian”. Në persishten moderne, vendi është i njohur si “Takht-e-Jamshid” (Froni i Jamshid) ose “Chehel Minar” (Dyzet Kolonat). André Godard, arkeologu francez që e gërmoi Persepolisin në fillim të viteve 1930, besonte se ishte Kiri i Madh (Kurosh-në gjuhën Farsi), i cili zgjodhi faqen e malit për ndërtimin e Persepolis, por se ishte Dari I (Daryush), i cili ndërtoi tarracat dhe pallatet e mëdha. Nga evidencat ëhstë gjetur se Dari urdhëroi edhe ndërtimin e Pallatit Apadana dhe Sallën e Këshillit, godinën e thesarit kryesor perandorak dhe rrethinat e saj. Të gjitha përfunduan gjatë sundimit të djalit të tij, mbretit Asuero i Madh. Aleksandri i Madh e përshkroi në kohën e tij qytetin, si më armiqësorin qytet të Azisë dhe u dha leje ushtarëve ta grabisin lirisht, kur e pushtoi. Sipas tij, ishte qyteti më i pasur në faqe të dheut. Maqedonasit therën çdo mashkull që gjetën në qytet dhe plaçkitën gjithçka që mundeshin. Shkrimtari iranian Biruni do të shkruante se “Ai (lexo Aleksandër) e dogji të gjithë Persepolisin, si hakmarrje ndaj persëve sepse 150 vjet para tij mbreti pers kishte djegur qytetin e Athinës”

***

Dhjetëra dhe qindrat grafitet që shikon në “Portën e të gjithë kombeve” dhe kudo në rrënojat e ndërtimeve të Persepolis, të japin vështrimin dhe një histori tjetër, e cila është e pazbuluar, por që në një farë mënyre i është ngjitur kryeqytetit të madh të Darit dhe Kirit. Arkeologë, ushtarakë, tregtarë, qeveritarë, njerëz të thjeshtë, mësues, aventurierë, bjerraditës kanë lënë shenjat e tyre dhe përpjekjen të kenë një akses “pushtuesi” në fatin e madh të këtij qyteti historik, djegur e plaçkitur në 330-331 para Krishtit nga Aleksandri i Madh…

Screen Shot 2015-06-26 at 09.32.27

Kur mikpritësit na thonë se udhëtimi në Esfahan është anuluar, asgjë nuk mund të na ngushëllojë. Anipse, një buzëqeshje skajore në buzët e tyre, jep një shpresë të vagullt se diçka tjetër mund të ndodhë. Esfahani më përzihet në romanin e Enes Kariç dhe shumë kujtimeve të dinjitarëve myslimanë…Por, ja që s’është e thënë.

Pasi e pushtoi Persinë, Aleksandri i Madh dërgoi forcat e tij kryesore të Armatës drejt Persepolis nëpër Udhën Mbretërore. Plani ishte aq i arritur saqë vendasit nuk arritën ta nxirrnin dot thesarin nga qyteti. Mu bash ai, ishte grishja për qindra ushtarët maqedonë e grekë, që do të plaçkisnin pa dert.

…Pak minuta më vonë gjithçka qartësohet. Buzëqeshja e organizatorëve, që flasin anglishte shumë të keqe, përveç njërit syresh, na tregon se udhëtimi është zëvendësuar me diçka më interesante. Kanë të drejtë. “Do të shkojmë në një fshat dhe që andej do të përfundojmë në Persepolis. Fillimisht, ikim në një fshat afër qytetit…pasdite në qytetin e Kserksit”. Është aq vapë në Shiraz (gjendemi prej 12 orësh), saqë do jetë vështirë për ju, na thonë vendasit. Për ne po, por gati 1000 kilometra në jug të Teheranit, temperatura 39° e sipër nuk përbën ndonjë siklet për vendasit e mësuar. Iranianët e marrin shtruar. Por, ka një ‘kleçkë’, si gjithmonë. Pak para se të shkojmë aty, duhet të ndalojmë në një fshat, ku një familje, vajza e të cilëve është vrarë në një atentat nga muxhahedinët, do na rrëfejë ngjarjen. Si dikur me partizanët, ngjarja është e njëjtë, por treguar ndryshe. Organizimi pak konfuz na bën të jemi të stepur, por duhet t’i respektojmë mikpritësit. Biseda monotone e familjarëve, në fakt, e ngatërron të gjithën dhe na bën të lodhemi ende pa filluar rrugëtimin tonë. Dhimbja e humbjes së fëmijës vite më parë tashmë është kthyer në propagandë, edhe pse e vërteta për muxhahedinët fillon na qartësohet pak e nga pak…me fillimin e udhëtimit tonë iranian.

Zjarri që shkatërroi Persepolis filloi nga pallati Hadish Palace, ku banonte dikur Mbreti Kserks dhe u përhap në të gjithë qytetin. Ishte aksident apo hakmarrje? Djegia e Akropolit në Athinë gjatë invazionit të dytë pers, duket se ishte arsyeja që Aleksandri nuk fali. Libri i Arda Wiraz, një punë Zoroastriane e realizuar në shekullin III dhe IV pas Krishtit tregon prishjen e qytetit dhe shumë botimeve të vyera të vendasve, që kultivoheshin atëherë në një nga qytetet më të mëdha të Lindjes së Mesme.

Një orë më vonë, do e lemë fshatin ngjitur qytetit të Shirazit, për të shkuar drejt Persepolis. Të 70 kilometrat kalojnë në një peizazh gati shumë monoton, me një kaftësi në okër, që nuk mbaron dhe boshëtisë së tokave djerrë. Makina aspak komode e bën udhëtimin dyfishin e lodhshëm. Janë katër shoqërues në grupin tonë të tre gazetarëve. Njëri syresh, që flet anglishte korrekte më shpjegon shumë. Kupton kureshtjen : Moti tejet i nxehtë e bën të pamundur shfrytëzimin e tokës, por kuptohet se peizazhi urban është tejet larg asaj të metropoleve kryesore në vend. Në kokë, më ngatërrohen shumë gjëra, por kujtoj përshtypjet e një grupi turistësh pleq grekë, me të cilët kemi qenë në hotel. Me të folurën e shpejtë, përzienin përfytyrimet konfuze për vendasit, që i shoqëronin, interpretuar me shakatë e shumta ballkanike. Ishin aq fjalamanë dhe të lexueshëm saqë do ndiqeshin gjithnjë me një buzëqeshje indiferente nga vendasit mësuar me turistët e ndryshëm. Këto më kujtohen teksa udhëtimi me një furgon, që u ngjan atyre makinave të vjetra të STAS-it, mbyllet pas një orë e gjysmë dhe ne gjendemi gati të drobitur mu para Persepolisit. Emri i tij farsi që na shfaqet befas dhe që identifikon madhështinë e qytetit në gjuhën lokale fillon e na grish. Ulemi, por rrënojat që t’i i kap vetëm pas një ecje 15 minutash nga vendi ku parkojmë, të marrin me vete dhe lënë vend për mahnitje. Anash, siç ndodh rëndom në vendet e Lindjes së Mesme, njerëz që luten të bëjnë guidën, shitës të vegjël dhe bjerraditës. Temperatura normal. 40°. Rrënojat janë të njohura mirë, por ende nuk kuptoj ndjesinë që kam pasur prej imazheve në TV. Një përzierje e filmave dhe dokumentarëve. Thjesht i bukur. Persepolis, është qytet frikshmërisht madhështor. Në atë vapë, mbes prej të nxehtit dhe madhështisë së papërsëritshme të këtij qyteti, që mund t’i afrohen vetëm pak qytete. Ndërkohë e quaj fat, që shumë nga reliket e tij sot janë në Muzeun Britanik në Londër, Institutin Oriental në Çikago, Muzeun Metropolitan i Artit në Nju Jork dhe kudo. Të njëjtën ndjesi kam pasur për bazorelievet e Akropolit. Organizatorët janë lehtësuar prej fytyrave tona t’lodhura, pasi shohin shtangien tonë.

Screen Shot 2015-06-26 at 09.32.35Po se mos vetëm ne! Qysh në shekullin e XIX, vendi u mësy nga arkeologë amatorë që gërmuan gjithçka duke i lënë vend gërmimeve të para shkencore, të bëra nga Ernst Herzfeld dhe Erich Schmidt, në emër të Institutit Oriental të Universitetit të Çikagos. Ata bënë tetë ekspedita dhe zbuluan këtë mrekulli që na hapet para syve..

Qyteti

Ngadalë. Duhet të kontrollohemi. Dhe është e kuptueshme. S’është një çudi e madhe që të kontrollohesh me makinerinë e kontrollit mu këtu, para kësaj mrekullie. Rojet na ndjekin indiferentë në një hije të improvizuar. Të vjen të qeshësh, por veprimi është normal. Pak minuta më vonë je në qytetin e madh të Darit, mbretit dhe pushtuesit legjendar, që e bëri këtë vend, një nga më të njohurit në periudhën antike. Qyteti të shfaqet i plotë kur ngjitesh në disa shkallë. Shtresëzimi është i jashtëzakonshëm. Kudo kolona, pak më tej Dyert e mëdha të Kombeve, kolonata pafund dhe një shtrirje që të rrok syri me vështirësi, e që ngjitet deri në mal. “Duhet të blini kapele. Është e papërballueshme për ju vapa”, thonë organizatorët. Në fakt, i nxehti i tillë është realisht i papërballueshëm. Qytetit i shikohen që nga larg Portat e mëdha të Kombeve, ku dy luanë gjigandë guri dhe të gjitha rrënojat monumentale e bëjnë atë një vend të veçantë arkeologjik. Turistë vendas, shumë syresh nga Lindja e Mesme dhe xhihabi femëror janë kudo. Ngado që hedh sytë monumente, fragmente muresh dhe ndërtimesh, rrënojat në formën e shtyllave të Kserksi, mbeturinat e atyre që dikur ishin pallate të mëdhenj dhe mure të mbuluara me gdhendje mbresëlënëse dhe relieve tejet profesionale plot figurina të ndryshme. Pak më tej, dëgjoj teksa një i huaj shpjegon për një tarracë ku ishin ndërtuar shtëpitë mbretërore dhe një peizazh urban për pallatet Akamenide. Dhjetëra objekte të lashta dhe vepra të mëdha monumentale në një sipërfaqe prej 600 hektarësh rreth Persepolis dhe ka pasur kopshte në këto ndërtesa…., ngre supet ai.

Grafitet

Befas shikimi mbetet aty. Ato i gjen kudo dhe ai është shpjeguesi më i mirë. Grafitet e shkruara këndshëm dhe qartë e që datojnë më shumë se tre shekuj, të zbulojnë vërtet aventurën në këtë vend. Ka një rritje dramatike të numrit të grafiteve, që gjatë shekullit të XIX u shtuan pafundësisht, thotë ai. Ciceroni i një grupi tjetër të huaj fillon gati matematikisht: Më 1804 (kemi 6 emra), 1809-1810 (39 emra), 1821 (10 emra) dhe 1826 (15 emra)…I saktësoj më vonë në internet. Gjatë viteve, shumë udhëtarë lanë gjurmët e tyre në rrënojat në formën e grafitit, por interesant është lidhja e tyre me zhvillimin e vendit. Djali i shpjegon qartësisht, por vizitorët janë të lodhur. Ja shikoni: Henry Morton Stanley. Korrespondenti i posaçëm i New York Herald bëri emrin e tij në monumentet historike në Persepolis. “Po pse duhej të gërvishte?”-e pyet një latin. “Nuk e di, i thotë ai-unë di thjesht historinë. Në verën e vitit 1870, gazeta e kishte dërguar në një tur në Krime, Persi, dhe Indi, që të mbulonte ngjarjet që do përcillnin hapjen e Kanalit të Suezit. Stanley arriti në kohën e dekadave të mëdha të qytetit para se të ishte gërmuar. Ai përshkoi monumentet që gjeti e tregoi përmasat e para”. 17 këmbë dhe 2 inç në gjatësi në katër këmbët në lartësi. Masat më të mëdha 21 këmbë. I humbas të gjitha. Ka emra rusë, sllavë, amerikanë, britanikë etj. Kapiteni John Malcolm, Kapiteni Will Campbell dhe Kapiteni J. Colebrooke ishin këtu në 1800, të paktën kjo duket që nga mbishkrimet e tyre. Pak më parë, më 8 nëntor 1704, Cornelis de Bruijn, një artist holandez dhe udhëtar la shënimet e veta bashkë me skicat, që na japin një imazh më të hershëm për këtë vend. Adrian de Baker, arriti dhe e la ndryshe “shenjën” e vet në Persepolis, me një shënim tepër interesant. Piktori ka qëndruar deri në 23 janar 1705. Pjesa më e madhe e grafiteve të huaja u përkasin anglezëve dhe skocezëve, që vinin këtu jo pak herë të shoqëruar edhe me gratë e tyre. Një gjerman përvesh buzët, sikur do të thotë: S’u bënë njëherë këta! Në fakt, shpërvelja e buzëve merr fund, sepse ciceroni u thotë se ka edhe mbishkrime të holandezëve, por ka epigrame në frëngjisht, gjermanisht, rusisht, madje edhe emra indianë. Kjo është historia ndryshe e Persepolisit dhe ajo që më grish më shumë. Nuk i largohem grupit të turistëve sepse për herë të parë gjej ngacmimin për të parë qytetin. Pak javë më parë, këtë e kam ndjerë me grafitet e ushtarëve rusë në Rajshtag. Vërtetë, historia e grafiteve dhe personazheve të saj është njësoj interesante si vetë historia tashmë butaforike e Persepolisit. Jo më kot. Shembujt më të hershëm të grafiteve vinë që nga shekujt e XVII dhe XVIII: në 1638 (von Mandelslo), 1704 (De Backer, De Bruijn), 1765 (Hercules, Moore, Niebuhr), 1767 (Robbins, Skipp, Slupp), 1787 (Francklin)…Këto, në fakt zbulojnë në një farë mënyre edhe zhvillimin e Iranit. Për shembull, cilëson ciceroni: Nga 1623- 1708, dominonin tregtarët holandezë, që shkonin deri në Indi për erëza dhe grafitet e para janë të këtyre njerëzve, që eksploronin në emër të tregtisë evropiane që po bënte ekspansion . Por në mesin e shekullit të XVIII, kur mbaroi pushteti holandez, dhe erdhi hegjemonia britanike ndaj Indive Lindore, fillojnë e lulëzojnë edhe këtu grafitet britanike dhe skoceze. “Historianët e grafiteve zbulojnë mbishkrime, që shërbejnë edhe për histori të ushtarëve. Udhëtarët japin ‘raporte dhe tregojnë kuriozitete të vazhdueshme mbi kuptimin, por edhe përcjellin figurina të skalitura. Ka të dërguar diplomatike, por edhe shumë aventurierë”, zbulon djali që shpjegon këndshëm, e që duket e ka mbyllur vapa. Historia e këtyre aventurierëve dhe kuriozëve të grish për një roman, por duhet të kesh fantazinë e Don Brown, që t’ia dalësh. Pastaj “u shtuan rreth 15 emra të tjerë prej fundit të Lufta e Parë Botërore deri më 1918-1920. Llojet e reja të emrit u takojnë trupave indiane të ushtrisë britanike”. Dhe, pastaj ata. Rusët. Qysh më 1892 rritjen e interesave tregtare ruse në Iran e sjellin fillimisht vetë emrat e tyre (Barthold, Batmanov, Melinitskii, Sultanov, Szechenya) dhe, kuptohet pas tyre amerikanët me interesa gjithnjë e më të gjëra dhe agresive, por që ndryshe nga të tjerët futën duart direkt në Persepolis. Nga e gjitha kupton sesi grafitet e Persepolis janë shembulli sesi njerëzimi mundohet të lerë shenjë direkt, por edhe sesi mund të hulumtohet. Dhe, Irani i 300 viteve të fundit mund të hulumtohet dhe me to.

Screen Shot 2015-06-26 at 09.32.40Aleksandri i Madh e përshkroi në kohën e tij qytetin si më armiqësorin e Azisë dhe u dha leje ushtarëve ta grabisin lirisht. Sipas tij, ishte qyteti më i pasur në faqe të dheut. Maqedonasit therën çdo mashkull që gjetën në qytet dhe plaçkitën gjithçka që mundeshin. Shkrimtari iranian Biruni do të shkruante se Ai (lexo Aleksandër) e dogji të gjithë Persepolisin, si hakmarrje ndaj persëve sepse 150 vjet para tij mbreti pers kishte djegur qytetin e Athinës

Udhëtimit i ka ardhur fundi pas pak orësh, që nuk janë të mjaftë, por Persepolisin dhe madhështinë e vet e kupton vërtetë kur largohesh. Dhe grafitet e shumta të bëjnë me dije se çfarë vendi të mrekullueshëm ke lënë, por edhe sesa interesa përfaqësojnë kaligrafitë e këtyre shënimeve. Mu atë ndjenjë madhështie që admironte Aleksandri i Madh, teksa shihte flakët që përpinin gjithçka. Shoqëruesit na kërkojnë të ikim me ngulm. Temperaturat kanë kapur kulme. E ndjejnë se jam përfshirë dhe i lodh me të drejtë biseda dhe kureshtja. Më duket si një lloj shpagimi edhe për ne bashkëvendasit e Aleksandrit, që rrimë si të murosur nga vapa dhe madhështia e këtij vendi. Kemi lënë pas një qytetërim të madh, ai që përbën zulmën historike të këtyre njerëzve kaq krenarë. Persepolisin dhe Iranin e sotëm, të duket se i ndjen, falë njerëzve të grafiteve dhe mrekullimin e kaligrafisë së tyre. Por, ky yni, në këtë temperaturë kthehet në një udhëtim të bukur dhe të mundimshëm. Një tjetër na pret në kthim për në Teheran. Qershor i vitit 2015./Java

Leave a Reply

Back to top button