Speciale

“I dashur Scott, harroje tragjedinë tënde”. Letra e Hemingwayt për F. Scott Fitzgeraldin

Screen Shot 2015-12-14 at 08.39.35

Në 19 maj të vitit 1934, një muaj pas botimit të romanit të tij, “E butë është nata”, F. Scott Fitzgeraldi i shkruajti mikut të tij, Ernest Hemingway, dhe e pyeti për mendimin e tij të sinqertë për librin – një rrëfim për Dick dhe Nicole Diver, një çift, personazhet e të cilëve bazoheshin në njerëz të njohur të të dyve, Fiztgeraldit dhe Hemingwayt: Gerald dhe Sara Murphy.

Sigurisht që Hemingway iu përgjigj sinqerisht. Kjo është përgjigja e tij – një letër që përmban shumë këshilla – për shkrimtarin.

Key West

28 maj 1934

I dashur Scott:

Më pëlqeu dhe nuk më pëlqeu. Fillon me atë përshkrimin e mrekullueshëm të Saras dhe Geraldit (ta hajë dreqi, Dos e mori me vete, kështu që nuk i referohem dot. Kështu që, nëse bëj ndonjë gabim…). Më pas ti filloje të bëje shaka me ta, duke i bërë të vijnë nga gjëra prej të cilave ata nuk vijnë, duke i ndryshuar në njerëz të tjerë, dhe këtë nuk mund ta bësh, Scott. Nëse merr njerëz realë dhe shkruan për ta, nuk mund t’u japësh prindër të tjerë nga ata që kanë (ata formohen nga prindërit e tyre dhe ajo që u ndodh atyre), nuk mund t’i bësh që të bëjnë gjëra që ata vetë nuk do t’i bënin. Ti mund të marrësh ty, ose mua, ose Zeldën, ose Paulinën, ose Hadleyn, ose Saran, ose Geraldin, por duhet që të gjithë t’i ruash ashtu si janë. Nuk mund të marrësh një njeri dhe ta shndërrosh në një tjetër. Krijimi është gjëja më e mirë, por nuk mund të krijosh diçka që në fakt nuk mund të ndodhë.

Këtë duhet të bëjmë ne kur jemi në të mirën tonë – të krijojmë gjithçka – por ta krijojmë në mënyrë kaq të vërtetë, saqë më vonë, të ndodhë pikërisht ashtu.

Ta hajë dreqi, i ke lejuar vetes të marrësh të kaluarat dhe të ardhmet e njerëzve, të cilat prodhuan jo njerëz, por raste historikë të rremë. Ti, që mund të shkruash më mirë se kushdo tjetër, që ke kaq shumë talent sa që… ta hajë dreqi. Scott, për hir të Zotit, shkruaj, dhe bëje vërtetësisht, pavarësisht se kë apo çfarë lëndon, por mos bëj kësi kompromise idiote. Ti mund të shkruaje një libër të këndshëm për Geraldin dhe Saran, për shembull, po të dije mjaftueshëm në lidhje me ta dhe ata nuk do të kishin asnjë lloj ndjenje, përveçse do e linin të kalonte, po të ishte e vërtetë.

Ka vende të mrekullueshëm, dhe askush tjetër nuk mund të shkruaj as sa gjysma jote, por ta hajë dreqi, ke bërë shumë hile në këtë libër. Dhe nuk ke nevojë.

Së pari, gjithmonë kam menduar gjithmonë se ti nuk mund të mendosh. Dakord, po pranojmë që mund të mendosh. Por le të themi që nuk do të mund të mendoje; atëherë duhet të shkruash, krijosh, nga ato që ti di, dhe duhet që t’i përshkruash drejt, ngjarjet e të kaluarës së njerëzve. Së dyti, prej shumë kohësh, ti ke pushuar së dëgjuari, përveç se përgjigjet e pyetjeve që bën po vetë. Kishte gjëra të mira libri, që në fakt nuk i nevojiteshin. Pikërisht kjo gjë e than një shkrimtar (të gjithë thahemi, kjo nuk është fyerje personale për ty), pra të mos dëgjuarit. Prej këtu burojnë të gjitha. Të shohësh, të dëgjosh. Ti sheh shumë mirë. Por ti pushon së dëgjuari.

Eshtë shumë më mirë nga sa them unë. Por nuk është aq mirë sa mund të bësh ti.

Ti mund të studiosh Klausevicin në fushëbetejë dhe ekonominë e psikologjinë, dhe asgjë tjetër nuk të bën mirë, kur ulesh të shkruash. Ne jemi si akrobatë të lodhur, por ne bëjmë disa kërcime të mirë, ndërkohë që ka shumë akrobatë të tjerë që nuk kërcejnë.

Për hir të Zotit, shkruaj, dhe mos e vri mendjen se çfarë do të thonë djemtë, apo nëse do të jetë kryevepër, apo jo. Unë shkruaj një faqe kryevepër, për 90 faqe muti. Përpiqem që mutin ta hedh në kosh. Ti ndihen sikur të duhet të publikosh plehra, për të fituar para, për të jetuar dhe lësh të jetojnë. Të gjithë shkruajnë, por nëse ti shkruan mjaftueshëm dhe aq mirë sa mundesh, atëherë do të ketë të njëjtën sasi kryeveprash (siç themi ne në Yale). Ti nuk mendon aq mirë sa duhet, për t’u ulur dhe shkruajtur një kryevepër, dhe nëse ti mund të heqësh qafe Seldesin dhe ata të tjerët që pothuajse të shkatërruan, dhe nëse lë spektatorët të thërrasin kur është mirë dhe të fërshëllejnë kur është keq, atëherë do të jesh në rregull.

Harroje tragjedinë tënde personale. Të gjithë jemi të katranosur që në fillim, dhe sidomos ty duhet të të dhembë shumë përpara se të ulesh dhe shkruash seriozisht. Por kur ke atë dreq dhimbjeje, përdore – mos bëj hile me të. Qëndroji po aq besnik asaj, dhimbjes, sa një shkencëtar – por mos mendo se një gjë ka ndonjë farë rëndësie sepse të ndodh ty, apo dikujt që të përket ty.

Tashmë nuk do të të vija faje nëse do të shpërtheje kundër meje. O Zot, është e mrekullueshme t’u thuash të tjerëve si të shkruajnë, jetojnë, vdesin etj.

Dua të të takoj dhe të flas esëll me ty për gjërat. Ti kutërboje në Nju Jork dhe nuk shkuam askund. Shiko, Bo, ti nuk je personazh tragjik. As unë. Ne jemi shkrimtarë, dhe ajo që duhet të bëjmë, është që të shkruajmë. Nga të gjithë njerëzit mbi tokë ti kishe nevojë për disiplinë në punën tënde, dhe ti u martoveme dikë që është xheloze për punën tënde, dëshiron të konkurrojë me ty dhe të shkatërron ty. Nuk është kaq e thjeshtë dhe unë mendova se Zelda ishte e çmendur herën e parë që e takova, dhe ti i ndërlikove gjërat pasi ishe në dashuri me të, dhe sigurisht, ti je i çuditshëm. Por ti nuk je më i çuditshëm se sa Joyce dhe shumica e shkrimtarëve të mirë, kështu janë. Por Scott, shkrimtarët e mirë rikthehen gjithmonë. Gjithmonë.

Ti je dy herë më i mirë tani, se sa ishe në atë kohën kur ti mendon se ke qenë i mrekullueshëm. E di, nuk kam menduar aq shumë për Gatsbyn në atë kohë. Ti mund të shkruash dy herë më mirë tani. Gjithë sa duhet të bësh është që të shkruash me vërtetësi dhe të mos e vrasësh mendjen për fatin e librit.

Shko dhe shkruaj.

Sido që të jetë, jam shumë krenar për ty dhe do të doja të flisnim ndonjëherë. Ia kemi kaluar mirë duke folur ne të dy. E mban mend atë tipin që shkuam ta takojmë, kur po vdiste në Neuilly? Ishte këtu këtë dimër. Djalë i mirë Canby Chambers. Eshtë në formë tani dhe vjet në këtë kohë ishte shumë i sëmurë. Si janë Scotty dhe Zelda? Pauline të dërgon të fala. Ne jemi të gjithë mirë. Ajo do të shkojë në Piggot për disa javë me Patrickun. Më pas do të sjellin Mumbyn. Kemi një varkë të lezetshme. Unë po eci mirë me një histori shumë të gjatë. E vështirë për t’u shkruajtur.

Gjithmonë miky yt,

Ernest

Perkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button
Close
Close