Infographics

Përmbajtja që gënjen

Llojet e keqinformimit dhe dezinformimit (3)

Përdorimi me qëllim mashtrimin i informacionit, për të shënjestruar një kauzë ose individ

 

Përdorimi mashtrues i informacionit: paraqitja e fakteve, statistikave ose narrativave në një mënyrë që shtrembëron të vërtetën, ose fshin detajet kritike për të shfaqur një çështje ose individ negativisht ose pozitivisht, në kundërshtim me realitetin. Arsyet? Përfitime politike, përfitime financiare, ndikim social.


Keqinformimi

Informacion i rremë ose i pasaktë, i përhapur pa qëllim të dëmshëm. Keqinformimi mund të rrjedhë nga keqkuptimet, gabimet në raportim ose ndarja e informacionit të rremë pa e kuptuar se është i pavërtetë. Gjithësesi çon në konfuzion, keqkuptim dhe përhapje të paqëllimshme të informacionit të rremë.

Dezinformimi

Krijimi dhe shpërndarja e qëllimshme të informacionit të rremë, për të mashtruar audiencën. Shpesh krijohet për të ndikuar opinionin publik, errësuar të vërtetën ose për të manipuluar rezultatet sociale a politike. Fushatat e dezinformimit mund të jenë të sofistikuara: përdorin mediat sociale, faqet e internetit të lajmeve të rreme dhe platforma të tjera dixhitale.


Selektiviteti

Paraqitja në mënyrë selektive e informacionit që mbështet një argument të veçantë duke injoruar të dhënat që e kundërshtojnë atë.

Shembull: Debatet për ndryshimet klimatike

Në debatet rreth ndryshimeve klimatike, është e zakonshme mbledhja selektive e të dhënave. Për shembull, skeptikët theksojnë luhatjet afatshkurtra në temperaturën globale ose rajone specifike, për të argumentuar kundër provave të ngrohjes globale afatgjatë. Ky përdorim selektiv injoron analizat gjithëpërfshirëse që tregojnë një prirje të qartë të rritjes së temperaturave globale ndër dekada, siç thonë shumica dërrmuese e shkencëtarëve të klimës.


Fabrikimi i provave

Krijimi i të dhënave, imazheve ose historive të rreme për të mbështetur narrativat e gënjeshtërta.

Shembull: Video Deepfake

Përdorimi i teknologjisë deepfake, e cila përdor inteligjencën artificiale për të krijuar regjistrime realiste video dhe audio të rreme. Si videot “deepfake” të politikanëve që thonë gjëra të dëmshme që, në fakt, nuk i kanë thënë kurrë.


Manipulimi i emocioneve

Përdorimi i përmbajtjes sensacionale ose të ngarkuar emocionalisht për të lëkundur opinionet dhe për të shmangur analizën racionale.

Fushatat politike përdorin reklama të ngarkuara emocionalisht për të ndikuar tek votuesit. Për shembull, disa fushata kanë publikuar reklama që paraqesin në mënyrë dramatike pasojat e mundshme të politikave të një kundërshtari, duke përdorur frikën ose zemërimin për të lëkundur opinionin publik. Këto reklama mund të ekzagjerojnë ose shtrembërojnë faktet, duke manipuluar emocionet.


Shfrytëzimi i paragjykimeve

Shfrytëzimi i tendencave njerëzore, të tilla si tendenca për të kërkuar ose interpretuar informacion që është në përputhje me besimet ekzistuese, për të përforcuar narrativat mashtruese.

Fenomeni i “dhomave të jehonës” ose “flluskave të filtrave” në mediat sociale. Përdoruesit shpesh ndeshin dhe angazhohen me informacione që përputhen me besimet e tyre ekzistuese, pasi algoritmet përshtatin përmbajtjen sipas preferencave të tyre individuale. Kjo përforcon keqkuptimet çon në perceptime të polarizuara, ku jemi më pak të ekspozuar ndaj kundërargumenteve ose pikëpamjeve të ndryshme.


Kontrollo informacionin (me burime të tjera)

Verifiko burimin

Kupto kontekstin

Dallo manipulimin emocional

Kupto paragjykimet e tua

Zgjidh edukimin mediatik

Back to top button