Enigma

A ndihmoi meteori i shekullit të parë, që një sekt i vogël të shndërrohej në një besim botëror?

Screen Shot 2015-05-03 at 18.25.36

Nga Jacob Aron

Gati dy mijë vjet më parë, një njeri i quajtur Saul, pati një përvojë që ndryshoi jetën e tij, dhe ndoshta edhe tuajën. Sipas Veprave të Apostujve, libri i pestë biblik i Dhjatës së Re, Sauli ishte rrugës për në Damask në Siri, kur pa një dritë të ndritshme në qiell, u verbua dhe dëgjoi zërin e Jezusit. Duke e ndryshuar emrin e tij në Pal, ai u bë figura kryesore në përhapjen e krishtërimit.

Uilliam Hartman, bashkë-themelues i Institutit të Shkencave Planetare në Tukson të Arizonas në SHBA, ka një shpjegim të ndryshëm për atë që i ndodhi Palit. Ai thotë se përshkrimet biblike të përvojës së Palit, përputhen nga afër me rënien e meteorëve, si ato që ndodhën në Çeliabinsk të Rusisë në vitin 2013. Hartman e ka detajuar argumentin e tij në revistën “Meteoritics & Planetary Science”. Shkencëtari analizon 3 shënimet e udhëtimeve të Palit, që mendohet të kenë ndodhur rreth vitit 35 të Erës Sonë.

I pari, është përshkrimi në vetë të tretë i kësaj ngjarjeje, që mendohet të jetë vepër e një prej dishepujve të Jezusit, Lukës. Dy rrëfimet e tjera, tregojnë atë që Pali thuhet se u ka treguar të tjerëve. “Çdo gjë që ata kanë përshkruar në këto 3 tregime në librin e Veprave, janë pikërisht sekuenca ju i shihni tek rënia e meteorëve” – thotë Hartman. “Nëse dokumenti i shekullit të brezit të parë, s’do të kishte qenë asgjë tjetër veçse një pjesë të Biblës, kjo do të ishte një histori e thjeshtë”.

Por Bibla nuk është thjesht një tekst i lashtë. Konvertimi damaskean i Palit, dhe udhëtimet e mëvonshme misionare përreth Mesdheut, ndihmuan në shndërrimin e krishterimit në fenë që njohim sot. Në qoftë se konvertimi i tij, do të ishte me të vërtetë sikurse shpjegon Hartman, atëherë shkëmbi rastësor nga hapësira, ka luajtur një rol të madh në përcaktimin e rrjedhës së historisë.
Por kjo nuk është aq e çuditshme sa duket. Përplasja me tokën e një asteroidi të madh, shkaktoi shfarosjen e dinosaurëve, duke i hapur rrugën dominimit të gjitarëve në Tokë. Pra, pse nuk mundet një meteor të ndikojë në evoluimin e besimeve tona? “Është dokumentuar mirë, se fenomenet jashtëtokësore kanë ndihmuar në formësimin e evolucionit të jetës në këtë planet” – thotë Bill Kuk, drejtori i Zyrës së Mjedisit të Meteoroidëve në NASA. “Në qoftë se ishte një meteor si ai i Çeliabinskut, që ishte përgjegjës për konvertimin e Palit, atëherë padyshim që kishte një ndikim të madh në rritjen e krishtërimit”.
Argumenti i Hartman është atualisht i mundur, për shkak të cilësisë së vëzhgimeve, mbi incidentin e Çeliabinskut. Ngjarja e vitit 2013 e shiut meteorik, është më e mirë-dokumentuara e ndikimeve më të mëdha, që ndodhin ndoshta vetëm një herë në 100 vjet. Para vitit 2013, shpërthimi në vitin 1908 në Tunguska, po në Rusi, ishte shembulli më i mirë, por ai la vetëm një tronditje të fortë sizmike, miliona pemë të rrafshuara me tokën dhe vetëm disa dëshmitarë okularë.

Me Çeliabinskun, ekziston një argument i qartë shkencor thotë Hartman. “Ne kemi të dhëna vëzhgimore, që përputhen me atë që ne shohim në ngjarjet e shekullit të parë”. Ngjashmëria më e dukshme, është drita tejet e ndritshme në qiell, “më e ndritshme sesa dielli, që vetëtiu rreth meje” sipas Palit. Kjo është në përputhje me videon e xhiruar në Çeliabinsk, që tregon një dritë, e cila vlerësohet se ishte rreth 3 herë më të ndritshme sesa dielli, e që krijoi shpejt hije lëvizëse, duke u shfaqur vija-vija nëpër qiell. Pasi përjetoi dritën, Pali dhe shokët e tij ranë përtokë. Hartman thotë se ata mund të kenë qenë në në gjunjë, kur meteori shpërtheu në qiell dhe gjeneroi një valë goditëse. Në Çeliabinsk, kjo e fundit shkatërroi mijëra dritare dhe rrëzoi përtokë qindra njerëz.

Pastaj Pali dëgjoi zërin e Jezusit qe e pyeti përse ai, një fanatik anti-krishterë duke filluar me të, po e persekutonte.
Tre shkrimet biblike ndryshojnë, mbi atë nëse edhe shokët e tij e dëgjuan këtë zë, apo një zhurmë të pakuptimtë. Çeliabinsku prodhoi një tingull të stuhishëm shpërthyes. Ndërkaq Pali u verbua, ndërsa një shkrim bën përgjegjës dritën e fortë. Disa ditë më vonë, “diçka si luspa ranë nga sytë e tij, dhe ai rifitoi shikimin e tij”.

Kjo është idioma jonë e përbashkët për të kuptuar papritmas diçka që buron nga ky përshkrim, por Hartman thotë se shkrimi mund të lexohet fjalë për fjalë. Ai sugjeron se Pali po vuante nga fotokeratitis, një verbëri e përkohshme e shkaktuar nga rrezatimi intensiv ultravjollcë. “Në thelb, kemi të bëjmë me dukurinë që shkaktohet, nga djegia nga dielli e kornesë së syrit. Pasi fillon të shërohet, djegia zhduket”-thotë Hartman. “Kjo mund të jetë një deklaratë e përkryer për dike, që në shekullin e parë të erës sonë, nuk e kuptoi realisht atë që ndodhi”. Rrezatimi ultravjollcë në Çeliabinsk ishte mjaft e fortë, për të shkaktuar djegie nga dielli, rrjepjen e lëkurës dhe verbëri të përkohshme. Raj Das-Bhaumik i Spitalit të Syrit Moorfields në Londër, thotë se kjo gjendje është mëse e zakonshme në mesin e saldatorëve, sytë e të cilëve janë të ekspozuar ndaj shkëndijave të ndritshme, por simptomat nuk janë saktësisht si ato që sugjeron Hartman. “Ju s’mund të prisni të bjerë ndonjë pjesë e syrit. Unë vetë nuk kam hasur kurrë një gjë të tillë”-thotë ai.

Është e mundur që lëkura e hollë e qepallave, mund të digjet dhe të zhvishet, thotë ai, por kjo nuk ka gjasa
të ndodhë në izolim. “Nëse ai ishte një meteorit, jam i sigurtë se do të kishin edhe dëmtime të tjera”.

Mark Belji i “Armagh Observatory” në Britaninë e Madhe, i cili më parë kishte identifikuar një ngjarje të ngjashme me atë të Tunguska, në Brazil në vitet ‘30, thotë se ia vlen të analizohen tekstet e vjetra, për të dhëna mbi ndikimin e një fenomeni të tillë në lashtësi – duke pasur parasysh se shënimet, janë formuluar mbi atë që që njerëzit dinin asokohe.
“Ndonjëherë kjo nuk ka kuptim për ne, por ka kuptim në fakt, nëse ju mund ta riinterpretoni atë”. Çfarë mendon ai për argumentin e Hartmanit? “Ai bën një analizë të detajuar”- thotë Bejli. “Unë do të quaja atë një spekulim të bazuar mbi informacione. Bill Hartman është një autor i shkëlqyer”- thotë Kuk. “Por si shumë gjëra të tjera në historinë e lashtë, nuk ka asnjë provë të vërtetë konkrete”.

Dhe pa shkrime të tjera nga ajo kohë, ka pak dëshmi shtesë për të konfirmuar ose hedhur poshtë idenë. Një kërkim për meteorite rrotull Sirisë mund të provohet e frytshëm – Çeliabinsku la copëza të vogla në të gjithë rajonin – por edhe kjo nuk do të jetë përfundimtare. “Nëse një meteorit zbulohet në Sirinë moderne në të ardhmen, gjëja e parë për t’u provuar do të jetë se prej sa kohësh gjendet në Tokë, dhe nëse potencialisht mund të shoqërohet me një rënie të tillë të kohëve të fundit”-thotë Bejli. Por edhe me teknikat tona më të mira, të përcaktosh një shkëmb të tillë afërsisht njëqindvjeçar do të jetë e vështirë. Në këto kushte, Hartman beson se ne duhet të mendojmë seriozisht për pasojat e idesë së tij. “Qëllimi im nuk është të diskreditoj ndonjë gjë që dikush dëshiron ta besojë. Por nëse përhapja e një feje të madhe, ishte e motivuar nga keqkuptim mbi rënien e një trupi qiellor, kjo është diçka që ne qeniet njerëzore duhet ta kuptojmë për veten tonë”.

Krishtërimi pa Palin

A e frymëzoi rënia e një meteori, konvertimin e Palit në fenë e krishterë, çka e bën një ngjarje të rastit jashtëzakonisht të rëndësishme për historinë e njerëzimit. Çfarë do të kishte ndodhur, nëse Pali nuk do ta kishte vërë re atë ngjarje? “Disa dijetarë e quajnë Palin, themeluesin e dytë të krishterimit”-thotë Xhastin Megit, një historian mbi fenë në Universitetin e Kembrixhit.
Në atë kohë, Krishtërimi ishte një degë e vogël e judaizmit, por Pali ndihmoi në predikimin e një versioni që e shkeli ligjin hebraik. Pali, nuk ishte i vetmi misionar i shekullit të parë, dhe pa atë Krishterimi ndoshta do të ishte ndarë nga Judaizmi dhe u përhapur në të gjithë botën, thotë Megit. Por mësimet e Palit i rezistuan brezave, ndërsa mungesa e tyre do të ndihej. “Interpretimi i njerëzve mbi Palin, është absolutisht thelbësor për disa prej figurave qëndrore të krishtërimit”-thotë Megit. Për shembull, Martin Luteri, i cili e filloi Reformën Protestante në vitin 1517, ishte frymëzuar shumë nga letrat e Palit. Parashikimet specifike, mbi mënyrën sesi Krishtërimi dhe ngjarjet botërore, do të ishin shpalosur pa ndikimin e Palit, janë të vështira për t’u bërë, thotë Megit, por “Krishterimi ndoshta do të ishte shumë ndryshe pa të”.

NS/a.g./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button