Teknologji

TE DHENAT/Kujdes, Facebooku po të përdor

face 1Reklamat që shfaqen në ekranin tënd mund të duken të dobishme, apo në rastin më të keq, një bezdi. Por janë shumë më tepër se kaq. Bit-et dhe byte-t e jetës tënde mund të përdoren kollaj kundër teje. Mund të kërkosh një punë, kredi apo siguracion dhe gjithcka bazohet në cv-në tënde dixhitale – dhe shpesh herë ti as nuk e merr vesh përse je refuzuar

LORI ANDREWS

Nndryshe nga të tjera korporata të mëdha, Facebook nuk ka një inventar aparatesh apo pajisjesh, makinash apo celularësh. Inventari i facebook përbëhet nga të dhëna personale – të tuat dhe të miat.

Facebook fiton para duke u shitur hapësirë publicitare kompanive që duan të vijnë tek ne. Ata që bëjnë reklama zgjedhin fjalë apo fraza kyçe – si për shembull statusi në një marrëdhënie, vendndodhja, veprimtaria, librat e preferuar dhe punësimi – dhe më pas Facebook vendos reklamat duke shënjestruar sipas këtyre grupimeve, 845 milionë përdoruesit e vet. Nëse tregon që të pëlqen keku i vockël, që jeton në një lagje të caktuar dhe që ke ftuar miq, prit që një reklamë e një ëmbëltoreje aty pranë të shfaqet në faqen tënde. Madhësia e informacionit online që Facebook ka për secilin prej nesh dhe që e vë në dispozicion për marketing të shënjestruar është mbresëlënëse. Në Europë, ligjet u japin njerëzve të drejtën të dinë se çfarë të dhënash kanë kompanitë për ta, por nuk ndodh kështu në SHBA.

Facebook siguroi 3.2 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat vitin që kaloi, 85 përqind e të ardhurave totale. Megjithatë, inventari i të dhënave të Facebook dhe të ardhurat që kjo kompani ka nga reklamat janë gjë e vogël krahasuar me disa të tjerë. Google pati të ardhura dhjetë herë më shumë se kaq, me 36.5 miliardë dollarë të ardhura nga reklamat gjatë 2011, thjeshtë duke analizuar se cfarë kanë dërguar njerëzit nëpërmjet Gmailit dhe çfarë kanë kërkuar në internet, e më pas këto të dhëna i përdor për të shitur reklama. Qindra kompani të tjera kanë marrë të dhëna të përdoruesve duke vendosur programe të quajtur cookies apo duke përdorur mekanizma të tjerë gjurmues në kompjuterët e njerëzve. Nëse ke përmendur ankthin në një email, nëse ke bërë një kërkim në Google për termin stres, apo nëse ke nisur të përdorësh një ditar mjekësor në internet që të lejon të monitorosh gjendjen tënde shpirtërore, prit të të shfaqen reklama për ilaçe dhe shërbime për të trajtuar ankthin.

Reklamat që shfaqen në ekranin tënd mund të duken të dobishme, apo në rastin më të keq, një bezdi. Por janë shumë më tepër se kaq. Bit-et dhe byte-t e jetës tënde mund të përdoren kollaj kundër teje. Mund të kërkosh një punë, kredi apo siguracion dhe gjithçka bazohet në cv-në tënde dixhitale – dhe shpesh herë ti as nuk e merr vesh përse je refuzuar.

Maerialet e depozituar në internet janë përdorur kundër njerëzve që luftojnë për mbajtje të fëmijëve pas divorcit apo që mbrohen në gjyqe. LexisNexis ka një produkt që quhet Accurint for Law Enforcement, që u jep agjentëve të qeverisë informacion për atë që njerëzit bëjnë në rrjete socialë. Internal Revenue Service kërkon në facebook dhe Myspace për prova të të ardhurave dhe vendndodhjes së atyre që bëjnë evazion. Punëdhënësit shpesh herë marrin vendime për të marrë njerëz në punë bazuar në profilet e tyre në internet, ndërkohë që sipas një studimi rekrutues dhe profesionistë në burimet njerëzore kanë refuzuar në 70 përqind të rasteve punëkërkuesit bazuar vetëm në të dhënat që kanë gjetur në internet. Një kompani që quhet Spokeo mbledh të dhëna online për punëdhënës, për publikun dhe për gjithkënd që i kërkon.

Krijimi

Kështu krijohen stereotipe. Aplikimi yt për kredi mund të refuzohet jo në bazë të financave të tua apo të historikut në kredimarrje, por në bazë të të dhënave të mbledhura – pra çfarë kanë bërë njerëz të tjerë që pëlqejnë, dhe nuk pëlqejnë gjëra po ashtu si ti. Nëse kitaristët apo çifte të divorcuar kanë më shume gjasa të mos paguajnë faturat e kredisë, atëherë fakti që ti ke parë reklama kitarash apo i ke dërguar një email një avokati divorcesh mund të bëjë një grumbullues të dhënash që të të klasifikojë si më pak të vlefshëm për të marrë kredi. Kur një burrë nga Atlanta u kthye nga muaji i mjaltit, ai zbuloi që limiti i kredisë së tij ishte ulur në 3800 dollarë nga 10800. Ndryshimi nuk bazohej në ndonjë gjë që ai kish bërë, por nga të dhëna të përgjithshme. Një letër nga kompania i tregonte se “klientë të tjerë që kanë përdorur kartat e tyre në vende ku ju keni bërë pazar kohët e fundit kanë një histori të keqe të shlyerjes me American Express”.

Ndonëse ligji i lejon njerëzit të kundërshtojnë informacione false në raportet e kredimarrjes, nuk ka ligje që u kërkojnë grumbulluesve të të dhënave që të zbulojnë atë çfarë dinë për ju. Nëse kam kërkuar në Google fjalën “diabet” për një mik apo fjalën “drogë për festa” për një tregim misteri që po shkruaj, grumbulluesit e të dhënave marrin të mirëqenë që këta kërkime reflektojnë shëndetin tim dhe prirjet e mia. Për arsye se nuk ka ligje që të rregullojnë se çfarë të dhënash lejohen të grumbullojnë këta grumbullues, ata i bëjnë vetë rregullat.

 

 

Në vitin 2007 dhe 2008, kompania e reklamave online NebuAd kontraktoi me gjashtë kompani interneti për të instaluar servera në rrjetet e tyre që monitoronin aktivitetet në internet të përdoruesve dhe i transmetonin ato të dhëna tek NebuAd për të bërë analiza dhe përdorur në marketing. Për një mesatare prej gjashtë muajsh, NebuAd kopjoi çdo email, kërkim në internet që bënë afro 400 000 njerëz. Kompani të tjera si Helathline Networks Inc., kanë limite të brendshëm për atë se çfarë informacionesh privatë mund të grumbullojnë. Healthline nuk mbledh informacione për kërkimet e njerëzve që kanë të bëjnë me HIV, impotencën apo çrregullimet e të ngrënit për t’i përdorur më pas për marketing.

Në vitet shtatëdhjetë, një profesor i studimeve të komunikimit në Northwestern University me emrin John McKKnight popullarizoi termin “redlining” (vijezim i kuq) për të përshkruar dështimin e bankave, kompanive të sigurimeve dhe institucioneve të tyre për të ofruar shërbimet e tyre në lagjet brenda qytetit. Termi erdhi nga praktika e zyrtarëve të bankave që hiqnin një vijë të kuqe mbi një hartë për të treguar se ku nuk do investonin. Por përdorimi i termit u zgjerua për të përfshirë një sërë praktikash të diskriminimit racor, si përshembull mosdhënia e huave për afro amerikanët, edhe për ata që ishin të pasur apo i përkisnin klasës së mesme.

Tani harta që përdoret për redlining nuk është gjeografike, por është harta e udhëtimeve të tua në internet. Termi weblining përshkruan praktikën e mohimit të shanseve për njerëzit bazuar në profilet e tyre dixhitalë. Mund të të refuzohet sigurimi shëndetësor bazuar në një kërkim që ke bërë në Google për një gjendje mjekësore të caktuar. Mund të të ulet limiti në kartën e kreditit, jo për shkak të hsitorikut tënd në kredimarrje, por për shkak të racës, gjinisë, apo kodit postar apo faqeve të internetit që viziton.

Grumbullimi i këtyre të dhënave ka edhe pasoja sociale. Kur të rinj në lagje të varfëra bombardohen me reklama për shkolla tregtare, a do të jenë ata më të prirur se të tjerët të shmangin kolegjin? Dhe kur grave u tregohen artikuj për njerëz të famshëm në vend të prirjeve të bursës, a do të jenë ato më pak të prirura të zhvillojnë aftësi kursyese? Kompanitë e reklamave po heqin vija të reja të kuqe, duke i kufizuar njerëzit në role që shoqëria pret prej tyre të luajnë.

Praktikat e grumbulluesve të të dhënave bien ndesh me ato që njerëzit thonë se duan. Një sondazh i Consumer Reports zbuloi se 93 përqind e 2000 të pyeturve mendonin se kompanitë e internetit duhet të kërkojnë gjithmonë lejë përpara se të përdorin informacione personalë dhe 72 përqind dëshironin të kishin të drejtën të refuzonin gjurmimin online. Sipas një studimi të Princeton Survey Research Associates në 2009, 69 përqind e 1000 të pyeturve mendonin që SHBA duhet të miratojë një ligj që u jep njerëzve të drejtën të mësojnë cdo gjë që një faqe interneti di për ta. Kemi nevojë për një ligj “Mos gjurmo”, i ngjashëm me atë “Mos telefono”. Nuk është më puna që darka ime do të ndërpritet nga një që bën telemarketing. Tani problemi është se ëndrrat e mia do të bëhen copë e çikë nga koleksioni i bit-eve dhe byte-ve mbi të cilat unë nuk kam kontroll dhe për të cilat kompanitë sot nuk japin llogari.

Lori Andrews është profesor i të drejtës në Chicago-Kent College of Law dhe autor i “Unë e di se kush je dhe e di çfarë ke bërë: Rrjetet socialë dhe vdekja e privatësisë”

Pershtatur ne shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button