AnalizaMAIN

Të presësh në këtë jetë është e kotë, mësimi i vyer i Samuel Beket

Ai lindi në Dublin më 13 prill 1906 dhe ndërroi jetë në Paris më 22 dhjetor të vitit 1989. Dramaturgu i madh irlandez Samuel Beket ishte një nga personazhet më origjinalë të kohës në të cilën jetoi. Vepra e tij më e famshme “Duke pritur Godonë” u cilësua menjëherë një nga simbolet kryesore të teatrit absurd. Një vepër origjinale dhe gati e pakrahasueshme, e cila ende sot ka shumë për të na mësuar.

Godo-ja i Beket na mëson se pritja është e padobishme

Drama “Duke pritur Godonë”, e shkruar fillimisht në gjuhën frënge në vitin 1953, pastaj në anglisht në vitin 1955, është më e famshmja dhe më e diskutuara e Beket. Që në shfaqjen e parë në skenë, në të cilën Beket nuk ishte i pranishëm, pati shumë hipoteza në lidhje me kuptimin e saj.

Kishte nga ata që panë tek ajo një vepër alegorike të Luftës së Ftohtë apo kolonizimit anglez të Irlandës. Dikush ka gjurmuar një interpretim të fortë kristian, për shkak të  lidhjes së emrit Godot me God (pra Zotin). Në këtë rast, Beket nuk i mohoi referencat e krishtera, por deklaroi qartë se “Nëse Godo do të ishte Zoti, unë do ta kisha quajtur të tillë”.

Një tjetër interpretim është ai i Shenon Rid, shkrimtare dhe profesore amerikane e letërsisë. Ajo thotë se një nga idetë kryesore të shprehura në këtë vepër, është fakti se njeriu jeton vetëm një herë. Vladimir dhe Estragoni lihen të presin aty përgjithmonë, pa bërë asgjë.

Pritja në jetën e përditshme

Pra “Duke pritur Godonë”, do të përfaqësonte pritjen e vazhdueshme për diçka në jetën e njeriut,duke arritur në përfundimin se në fakt nuk e kanë jetuar plotësisht jetën. Edhe sot mund të shohim rëndësinë e pabesueshme të kësaj vepre, mesazhin e saj të fshehtë që e fton njeriun të mos jetojë jetën e tij duke pritur diçka, qoftë kjo pozitive apo negative.

Njeriu që pret, në fund e gjen veten në një situatë ku kupton se nuk e ka shijuar vërtet jetën që iu dha. Në kohët që po jetojmë kjo temë është më aktuale se kurrë më parë. Të gjithë po presim prej një viti që gjërat të përmirësohen dhe që të kthehemi në normalitet.

Në këtë mënyrë ne e privojmë veten nga shijimi i atyre momenteve, qoftë edhe të shkurtra dhe jo shumë të papara, që mund të fshihen pas leximit të një libri të mirë, tek një bisedë e gjatë telefonike me një person ta afërt,apo edhe pas mundësisë për të jetuar me intensivisht me familjen.

Samuel Beket

Irlandezi jetoi kryesisht në Paris që prej vitit1932, duke u bërë një mik dhe admirues i Xhejms Xhojsit, dhe duke shkruar në frëngjisht dhe anglisht, shpesh duke përkthyer veprat e tij nga një gjuhë në tjetrën.

Ai u bë i famshëm në rrethet letrare me disa romane dhe tregime të shkurtra. E gjithë krijimtaria e tij ka një prirje të fortë filozofike. Edhe në dramat e tij gjejmë një vizion nihilist mbi jetën, si dhe bindjen tek absurditeti i veprimeve njerëzore. / Libreriamo – Bota.al

Back to top button
Close
Close