Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne e gjejmë veten aty ku blloku Trusk u tha me sinqeritet votuesve se donte të shkonte: drejt një bote tjetër. Nuk mund t’i fajësosh për dinakëri apo maskim të qëllimeve. Truskët e deklaruan qartë strategjinë e tyre dhe arritën sukses zgjedhor me atë projekt
Walter Veltroni
Kam dëgjuar shumëkënd të thotë, nga katër vitet e para të Trumpit, dhe në epokën e furishme dixhitale, çfarë ndryshoi në krahasim me Obamën?
Po, ndodhën gjëra të tilla si revokimi i marrëveshjeve për klimën dhe sabotimi i Medicare të Obamës me manovra që sollën më shumë se dy milionë njerëz pa sigurim shëndetësor. Por në fusha të tjera, të politikës financiare apo të marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk janë parë ndryshime të rëndësishme dhe rrënjësore mes administratave të ndryshme.
Por mendoj se këtë herë do të jetë ndryshe. Unë besoj se mes boshtit të mendimit prej millenial-i të Elon Musk dhe sugjerimeve apokaliptike të Steve Bannon-it, do të shohim një kohë ndryshimesh thelbësore dhe jo vazhdimësie.
Do të ndodhë në Ukrainë dhe do të jetë interesante të ndjekim politikën evropiane kur Zelensky të mbetet vetëm, dhe të gjithë të jemi të varur prej vetëkontrollit ekspansionist të Vladimir Putinit. Me shpresën se ai nuk ka ndërmend të shkojë përtej pushtimet ushtarake – tashmë të siguruara.
Bota nuk është më në ekuilibrin e së shkuarës dhe gjithçka është e mundur. Putini e kuptoi qartë këtë, duke folur për gjendjen e paprecedentë gjeopolitike dhe duke kultivuar idenë e një madhështie të rigjetur ruse, me krijimin e një fuqie euroaziatike të aftë për të konkurruar me gjigantin kinez.
Bota po ndryshon ekuilibrat e saj dhe në këtë kontekst procesi i dobësimit të Bashkimit Evropian, i gërryer nga sovranizmi dhe nacionalizmi populist në shtetet anëtare, është funksional për një strategji të ribërjes së marrëdhënieve të fuqisë ekonomike dhe financiare.
Nëse NATO është më e dobët, nëse strategjitë e integrimit autentik evropian – politikat e mbrojtjes dhe ato buxhetore – do të lihen pas dore, do të shfaqet perspektiva e një bote të përbërë nga tre fortesa, Rusia, Kina dhe SHBA-ja.
Steve Bannon e tha shumë qartë në intervistën iluminuese me Viviana Mazza-n: “Po, detyra të reja po vijnë. Do të duhet të paguash për të pasur akses në tregun amerikan. Nuk është më falas, tregu i lirë ka marrë fund”.
Unë besoj se strategjia e bllokut Trusk është më e gjerë dhe duhet marrë në konsideratë ashtu siç është, pa reduktime arrogante në folklorin e një linje që ushqehet me analiza, mjete dhe synime të qarta.
Demokracia, si një mekanizëm i bazuar në votën popullore dhe ndërmjetësimin e përfaqësuar me delegim, duke filluar nga parlamentet, është një gjë e shenjtë dhe e papajtueshme për një shoqëri të çastit si ajo dixhitale..
Nga ky këndvështrim, është paradoksale që kritika e globalizimit bazohet në postulatin se i vetmi dimension universal i lejuar është ai i tregjeve teknologjike, të paktën në sferën e konsumit dhe në dinamikën komunikuese dhe të marrëdhënieve, me mediat sociale të kthyera në një sallë globale.
Musk kohët e fundit ka argumentuar se gazetat dhe televizioni nuk shërbejnë për të garantuar komunikimin, se e vetmja e vërtetë e mundshme është ajo e prodhuar nga dhjetëra miliona njerëz që në të njëjtën kohë ngarkojnë këndvështrime dhe lajme në internet, pak rëndësi ka nëse ato janë të bazuara apo jo në realitet. Njëqind mijë që bëhen askush dhe një, vetëm një, që vendos.
Skema është e njëjtë me atë që zbatohet në politikë: lejimi i një zhurme konfuze në sfond, sado kritike të jetë, ndërkohë që një njeri merr vendime në emër të popullit. Në mënyrë të ngjashme, në mediat sociale, algoritmet rregullojnë ekuilibrin e pushtetit, midis individëve të izoluar dhe makinerive të sofistikuara që përmbytin Internetin me lajme, reale apo të shpikura, në të cilat konsumohet nevoja për njohuri dhe iluzioni i marrëdhënieve.
Pasi komunikimi është dobësuar, gjyqësori është frenuar, intoleranca është përhapur dhe legjitimuar me fjalë që deri dje nuk thuheshin, ne e gjejmë veten aty ku blloku Trusk u tha me sinqeritet votuesve se donte të shkonte: drejt një bote tjetër. Nuk mund t’i fajësosh për dinakëri apo maskim të qëllimeve. Truskët e deklaruan qartë strategjinë e tyre dhe arritën sukses zgjedhor me atë projekt.
Shpejt dhe furishëm. Të martën e parë të nëntorit nuk fituan thjesht republikanët, diçka më shumë po lind: një projekt pushteti revolucionar për këtë kohë.
Të belbëzosh refuzimin e gjithë kësaj në emër të korrektësisë politike ose të diskutosh me pasion nëse, në të majtë, duhet të jemi më të moderuar apo më ekstremistë, është një humbje kohe. Roosevelt, me Musolinin në pushtet dhe Depresionin e Madh në vendin e tij, nuk ndenji duarkryq. Krijoi New Deal (Marrëveshjen e Re). / Në shqip nga bota.al