AnalizaMAIN

“Jetë a vdekje!” I shtrënguar, Putini do të përdorë bërthamoren

Screenshot

“Nga pikëpamja teknike dhe ushtarake, ne jemi padyshim gati”. Deklarata e fundit e Vladimir Putinit, për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore është bërë në mars. Dhe e lexuar në këtë mënyrë, as që të bën përshtypje. Një vend i pajisur me gjashtë mijë koka luftarake duhet domosdoshmërisht të jetë gati t’i përdorë ato. Por fjalia bëhet më shqetësuese kur vendoset krahas asaj me të cilën Putini na kujton se, “Ukraina është një çështje jetë a vdekje për ne”.

Të dy deklaratat bëhen edhe më shqetësuese në dritën e “doktrinës bërthamore” ruse të nisur në vitin 2010 dhe të përditësuar në vitin 2020. Versioni i vitit 2010 autorizon përdorimin e armëve bërthamore “edhe në rast agresioni me armë konvencionale, kur ekzistenca e shtetit është në rrezik”. Një skenar i bërë më i qartë nga 29 dokumente sekrete të zbuluara kohët e fundit, por të hartuara midis viteve 2008 dhe 2015.

Sipas tyre, përgjigja bërthamore bëhet e pashmangshme përballë «humbjeve që nuk na lejojnë të ndalojmë një agresion», dhe që shkaktojnë “një situatë kritike për sigurinë e Rusisë”. Një koncept i eksploruar në thellësi në vitin 2020 kur Putin firmosi “Urdhërin Ekzekutiv” të titulluar “Themelet e politikës së parandalimit bërthamor”. Në atë dokument opsioni bërthamor justifikohet edhe me nevojën për të zmbrapsur sulmet e karakterizuara nga “superioriteti i armikut me armë konvencionale”.

Një mundësi e bërë edhe më aktuale, nga vendimi për t’i dhënë Ukrainës përdorimin e armëve të NATO-s për të goditur territoret ruse. Për më tepër, dy nga katër skenarët bërthamorë të përshkruar në “Urdhrin Ekzekutiv” të vitit 2020, kanë të bëjnë me përgjigjen ndaj sulmeve konvencionale. Dhe të dyja duken shumë konkrete.

Në fakt, vetëm një javë më parë, një formacion i dronëve ukrainas shkatërroi një radar rus të projektuar për të dalluar raketat bërthamore. Por paragrafi që autorizon përdorimin e bombave taktike për të ndaluar “agresionet me armë konvencionale të afta për të vënë në rrezik ekzistencën e shtetit”, tingëllon po aq keq. “Shteti” rus në vizionin e Kremlinit nuk përfshin vetëm territoret në kufi me Kharkivin, por edhe katër rajonet ukrainase të aneksuara pas referendumeve të shtatorit 2022.

Me pak fjalë, kushtet formale për kalimin e Rusisë në konfliktin bërthamor tashmë ekzistojnë. Për të shmangur këtë, mund të shpresojmë vetëm se armët e NATO-s nuk e detyrojnë Putinin të përballet me “çështjen e jetës dhe vdekjes”. Sepse në atë rast presidenti rus do të kishte shumë pak hezitim. / il giornale

Back to top button