“Lufta e Gazit” / Evropa përgatitet për përplasje me Azinë

Evropa

Konkurrenca për ngarkesat e gazit pritet të ashpërsohet në muajt e ardhshëm, ndërsa rezervat që ka Evropa janë në nivelin më të ulët të 15 viteve. Edhe më keq: pritet rritje e çmimeve

Një garë globale për ngarkesat e gazit natyror të lëngshëm (LNG) rrezikon t’i çojë çmimet edhe më lart. Evropës i duhet të sigurojë më shumë furnizime se zakonisht për dimrin, ndërsa blerësit në Azi janë të gatshëm të paguajnë shumë më tepër se në të kaluarën.

Çmimi i LNG-së ka arritur tashmë nivelet më të larta të disa viteve, pasi është më shumë se dyfishuar që nga shpërthimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit. Platts JKM, treguesi referencë për tregun aziatik, arriti në mesin e shtatorit pothuajse 30 dollarë për milion njësi termike britanike (MMBtu), ndërsa dje tregtohej në 25,48 dollarë.

Çmimi i gazit të dorëzuar në Evropë ishte të mërkurën 23,62 dollarë për MMBtu, sipas Spark Commodities.

Megjithëse çmimet mbeten shumë më poshtë kulmeve të arritura pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, analistët paralajmëruan se konkurrenca për ngarkesat mund të ashpërsohet në muajt e ardhshëm. Vendet në zhvillim të Azisë, të cilat gjatë krizës së fundit u detyruan të tërhiqeshin nga tregu për shkak të çmimeve të larta, tani janë më të gatshme të paguajnë më shumë për të kufizuar dëmin ndaj ekonomive të tyre.

Kjo mund t’i rrisë më tej çmimet për blerësit evropianë, ndërsa BE-ja përgatitet të hyjë në muajt e dimrit me rezervat më të ulëta të gazit në të paktën 15 vjet.

Gatishmëria e blerësve aziatikë, të cilësuar si të ndjeshëm ndaj çmimeve, për të paguar më shumë në vend që të rrezikojnë mungesa, përbën një “ndryshim themelor në tregun e gazit”, tha për Financial Times Takayuki Ueda, drejtori ekzekutiv i korporatës japoneze Inpex. “India dhe Pakistani duket se tashmë janë mësuar shumë me luhatjet e çmimeve”, tha ai. “Ata vazhdojnë të kenë shumë dëshirë për të blerë.”

Martijn Rats, analist në Morgan Stanley, tha: “Kemi parë si Pakistanin, ashtu edhe Bangladeshin të blejnë disa ngarkesa LNG-je me 25 dollarë për MMBtu. Këtë nuk e pamë në vitin 2022.” Me çmime të tilla, këto vende “ishin larguar tashmë nga tregu” gjatë krizës së fundit, “dhe kjo do të thotë se Evropës do t’i duhet të paguajë edhe më shumë” këtë herë, paralajmëroi ai.

Vendet në zhvillim të Azisë kanë pak mundësi për ta ulur më tej kërkesën për gaz, pasi që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit e kanë reduktuar konsumin pothuajse në minimumin e mundshëm, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike me radhë në disa prej tyre.

Shumë vende të kontinentit, përfshirë ekonomi të zhvilluara si Koreja e Jugut dhe Japonia, kanë shtuar gjithashtu përdorimin e qymyrit. Por drejtues të sektorit të energjisë thanë se mundësitë për të zëvendësuar më tej gazin me lëndë të tjera djegëse janë të kufizuara.

“Aftësia e tyre për të kompensuar furnizimin e kufizuar [me LNG] është reale, por jo e pafundme, dhe mendoj se kjo do të jetë prova në vijim”, tha për FT Liz Westcott, drejtoresha ekzekutive e grupit australian të naftës dhe gazit Woodside Energy.

Evropa, pak mundësi për të ulur kërkesën

Edhe në Evropë kanë mbetur pak mundësi të kollajta për ta ulur kërkesën. Ajo ishte dobësuar që përpara se lufta mes SHBA-së dhe Iranit ta çonte trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit pothuajse në ndalim të plotë, duke kufizuar furnizimet globale.

Uljet e konsumit të bëra në vitin 2022 mbeten kryesisht në fuqi. Kjo sugjeron se çmimet e gazit do të duhej të rriteshin shumë më tepër për ta ulur kërkesën e mbetur, shkruan analistët e Goldman Sachs në një shënim muajin e kaluar. Prandaj, konkurrenca mes Azisë dhe Evropës për ngarkesat e LNG-së është “e pashmangshme”, tha Anders Porsborg-Smith, partner i lartë në Boston Consulting Group.

Çmimet e LNG-së në tregun spot të Azisë, ku blihet për dorëzim të afërt, aktualisht nuk janë aq të larta sa të tërheqin ngarkesa që, përndryshe, do të shkonin drejt Evropës.

Kjo mund të ndryshojë nëse importuesja më e madhe e LNG-së në Azi, Kina, rifillon blerjet pas një ndërprerjeje gjatë verës, ose nëse tarifat e transportit detar bien, duke e bërë më të lirë dërgimin e LNG-së amerikane drejt Azisë.

Megjithatë, mund të ketë një kufi për shumën që janë në gjendje të paguajnë disa prej blerësve aziatikë më të ndjeshëm ndaj çmimeve.

Blerësit indianë që furnizojnë përdoruesit industrialë të gazit i thanë Goldman Sachs se 30 dollarë për MMBtu është një prag që nuk mund ta tejkalojnë, shkruan analistët e bankës në shënimin e tyre të fundit.

Nëse sulmet ushtarake vazhdojnë në Gjirin Persik, duke penguar rifillimin e transportit të rregullt të LNG-së përmes Ngushticës së Hormuzit, parashikohet që çmimet të arrijnë në 35 dollarë për MMBtu këtë dimër, thanë analistët. Disa vende aziatike e kanë zhvendosur vëmendjen drejt sigurimit të furnizimeve afatgjata me LNG, për të zvogëluar gjasat që në të ardhmen t’u duhet të konkurrojnë për ngarkesa në tregun spot.

Ndërsa çmimet referencë të LNG-së janë rritur ndjeshëm, çmimet e marrëveshjeve afatgjata kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Kjo falë një vale të pritshme kapacitetesh të reja, kryesisht në SHBA, që do të hyjnë në funksion brenda tre ose katër viteve të ardhshme.

“Po shohim se vendet aziatike janë të gatshëm të nënshkruajnë sërish kontrata afatgjata”, tha Guido Brusco, drejtori operativ për burimet natyrore në nivel global i kompanisë italiane të naftës Eni.

“Të gjithë klientët aziatikë duan marrëveshje 20-vjeçare, sepse çmimet janë kaq të ulëta”, tha një prodhues LNG-je. Të shqetësuar nga rritja e pritshme e kapaciteteve, edhe shumë prodhues amerikanë po nxitojnë të nënshkruajnë marrëveshje afatgjata furnizimi.

Në konferencën Gastech në Bangkok këtë muaj, shumë prodhues amerikanë po përpiqeshin të siguronin marrëveshje me blerës që më parë nuk do të ishin përpjekur t’i tërhiqnin si klientë, tha Iqbal Z Ahmed, drejtori ekzekutiv i Pakistan GasPort, kompani që zotëron infrastrukturë importi në Karaçi.

Disa blerës evropianë thanë se ngurrojnë të nënshkruajnë marrëveshje afatgjata, nga frika se ato mund të bien ndesh me rregulloret e reja të rrepta të BE-së, të cilat u kërkojnë importuesve të matin dhe të raportojnë emetimet e metanit. Blloku është nën presion për ta shtyrë zbatimin e këtyre rregullave, përfshirë edhe nga presidenti francez Emmanuel Macron.

Alexandros Exarchou, kryetar i grupit grek Aktor, i cili së fundmi nënshkroi një marrëveshje afatgjatë me furnizuesin amerikan Venture Global, tha se pret që BE-ja të tërhiqet nga rregulloret për metanin pas një gare të ethshme për furnizime me LNG gjatë dimrit dhe presioneve inflacioniste të shkaktuara nga rritja e fortë e çmimeve të energjisë. “Nëse nuk e kanë kuptuar ende, do ta kuptojnë”, tha ai.

Ndërkohë, politikëbërësit si në Evropë, ashtu edhe në Azi, do të shpresojnë për një dimër të butë. “Nëse dimri është i ngrohtë, do të jemi në rregull; nëse është një dimër normal, do të kemi mungesa shumë të mëdha gazi; dhe nëse është i ftohtë, do të shohim të njëjtat çmime si në vitin 2022”, tha Porsborg-Smith i Boston Consulting Group. / FT – Bota.al

Back to top button